Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria me tre sulmues në miqësoren ndaj Turqisë

 

Kristian Panucci ka vendosur të lërë në stol Sabien Lilaj dhe Astrit Hajdareviç, për miqësoren e kësaj të hënë ndaj Turqisë.

Duke qenë se testi në Antalia cilësohet pikënisja e përgatitjeve për edicionin e ri, trajneri nuk mendon të humbasë kohë, por kërkon të hedhë bazat, mbi të gjitha për mënyrën e lojës.

Me Panuccin që ka premtuar gjithmonë guxim dhe futboll më sulmues, Shqipëria pritet të luajë me skemën 4-3-3.

Kapiteni Etrit Berisha do të ketë përpara tij Veselin dhe Mavrajn në qendër të mbrojtjes. Hysaj është i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë, ndërsa në të majtin, në mungesë të Ansi Agollit, Lenjani ka fituar balotazhin me Alijin për faktin se ky i fundit nuk ka skuadër dhe nuk i ka minutat e nevojshme në këmbë.

Në mesfushë, risia pritet të jetë aktivizimi i Lilajt në qendër, në një pozicion ku Migjen Basha i dëmtuar u largua nga grumbullimi. Treshja e këtij reparti do të plotësohet nga Taulant Xhaka dhe Ledian Memushaj, ndërsa Astrit Hajdareviç mendohet se do ta nisë ndeshjen nga stoli.

Panucci është menduar gjatë për ta aktivizuar si titullar mesfushorin e AEK Athinës, me një të kaluar te Liverpool e Standard Liège.

Megjithatë në fund trajneri duket se ka zgjedhur ti japë kohën e mjaftueshme 27-vjeçarit të përshtatet me ekipin dhe për këtë arsye është preferuar aktivizimi gradual.

Në sulm, Armando Sadiku do të mbështetet nga krahët me Odise Roshi dhe Eros Grezda. Ky pritet të jetë formacioni i përzgjedhur nga Panucci ndaj Turqisë, edhe pse titullarët do t’i njoftohen zyrtarisht skuadrës vetëm pak pas mesdite.

Trajneri ka tentuar me fanatizëm që të mos japë asnjë indicie për 11-shin startues, duke përzier shpeshherë kartat.

Të vetmen taktikë që Panucci nuk ka mundur të fshehë ishte ajo e goditjeve standarde në fazën difensive, pjesë të cilës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë. Synimi është që Shqipëria të fitojë siguri në mbrojtje dhe të arrijë të shfaqet më tepër sulmuese. Kjo është rruga drejt Europianit të vitit 2020, shkruan Super Sport.

Sfida miqësore mes Turqisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në oren 18:30 të kësaj të hëne në stadiumin e qytetit të Antalias. Për këtë ndeshje edhe pse bëhet fjalë vetëm për një miqësore do të angazhohen 8 mijë forca policore.

Please follow and like us: