Ksenofon Kristafi: Kreta dhe e Vërteta

Dy ditë më parë përfundoi në Kretë një raund negociatash intensive ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Kotzias, të cilët shoqëroheshin nga ekipet e tyre përkatëse. Tre ditët e bisedimeve dhe tematika gati gjithëpërfshirëse e tyre janë lajm që flet për një hap pozitiv përpara, i hedhur pas një periudhe “ftohjeje”, të padëshirueshme në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Prej shumë kohësh ato karakterizoheshin nga një stanjacion i papërligjur. Dy popuj fqinjë, me një të kaluar përgjithësisht pa probleme, të cilët, për një varg arsyesh, duhet të ishin ndër protagonistët e zhvillimeve europiane në gadishullin ballkanik, janë futur në një qerthull mërish e akuzash, që ka komplikuar dhe ka ngadalësuar avancimin e procesit të bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Për fat të keq dominon shigjetimi negativ në distancë, nëpërmjet një gjuhe që mban erë vjetërsirë, shoqëruar ngandonjëherë edhe nga veprime të mbështetura në akte juridiko-ndërkombëtare të para një shekulli, të kapërcyera nga zhvillimet progresive. Ndjehet edhe gjuha e kërcënimeve dhe e forcës, e shpallur jashtë ligjit që nga Pakti Briand-Kellog i 1928, Karta e Kombeve të Bashkuara dhe akte të tjera të rëndësishme pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Kretë, ato që fliteshin në distancë u shtruan në tavolinën e bisedimeve dhe besohet se palët ia thanë njëra tjetrës pikëpamjet e veta pa censurë. Ato gjetën rastin të përsëritnin zyrtarisht në nivele të përshtatshme diplomatike pozicionet e tyre në qëndrimet aktuale për disa nga çështjet më delikate dhe më të komplikuara të dosjes voluminoze të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Diskutime dhe komente të shumta u përhapën me shpejtësi nga pothuajse të gjitha mjetet e informimit të të dy vendeve si edhe ato të shteteve të tjerë. Një pjesë ishin objektive, të matura dhe të ekuilibruara. Një pjesë tjetër mbështeteshin mbi informacione të deformuara të rrjedhura nga kanale jozyrtare të mjediseve të negociatave, disa mbi hamendësime hipotetike. Në përgjithësi ato prireshin nga kritikat, nga ndjenja e deziluzionit për rezultatin.

Mendoj se janë gjykime sempliste dhe të ngutura.

Së pari, nuk ka dyshim që, normalisht, çështjet e kontestuara ndërmjet shteteve duhet të zgjidhen me negociata dhe jo me forcë ose me kërcënimin e përdorimit të saj. Në këtë rrugë ecën të dyja palët gjatë bisedimeve të Kretës dhe kjo nuk lë vend për kritika.

Së dyti, nuk mund të përligjet nguti që tregohet duke pritur që me një takim ministror të  ezaurohej tërë tematika e marrëdhënieve shqiptaro-greke, për më tepër që çështjet janë të tilla që kërkojnë trajtim të kualifikuar, tepër të kujdesshëm, me shumë përgjegjësi, nga specialistë me kompetencë të spikatur, të karakterizuar nga qytetaria, emancipimi dhe integriteti.

Ministrat kishin marrë përsipër të bisedonin dhe të merreshin vesh vetëm për domosdoshmërinë e përgatitjes dhe nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse për secilën prej çështjeve dhe jo të hidhnin firmat e tyre mbi një dokument çudibërës që do t’iu jepte atyre zgjidhjen e menjëhershme magjike. Qoftë edhe nga një pikëpamje formalo-juridike ata nuk e kishin tagrin e duhur ta bënin këtë, sepse minimumi lypseshin që aktet që mund të pretendonin zgjidhjet e dëshiruara në interes të të dyja palëve, të përshkonin një cikël procedural, formal e juridik, në instancat përkatëse të secilit prej shteteve, për miratimin e tyre në parim në formën e projekteve që do të shërbenin për diskutim. Këto procedura zgjatin dhe vetë negociatat për çështjet kërkojnë ngandonjëherë shumë kohë, deri vite të tëra. Nuk duhet harruar gjithashtu domosdoshmëria e marrjes së miratimit nga kreu i shtetit, kjo për faktin e thjeshtë se bëhet fjalë për akte që trajtojnë dhe zgjidhin çështje të kompetencës së tij. Në këtë mënyrë nuk do të përsëritej gabimi që u bë 8-9 vjet më parë, kur kjo instancë superiore u injorua, në të ashtuquajturin Pakti detar. Ato mund të ndërmerren tashmë kur mendohet se palët ia kanë ekspozuar njëra tjetrës paraprakisht qëndrimet përkatëse për çështjet objekt kontesti.

Siç u tha ato janë komplekse dhe delikate, që ngërthejnë interesa të rëndësisë së veçantë për të dy vendet. Si të tilla kërkojnë vëmendje e kujdes maksimal.

Në veprimet e ndërmarra në politikën e jashtme shtetet tregojnë prudencë të skajshme, sepse nuk është si në politikën e brendshme, ku një gabim mund të rregullohet duke e abroguar aktin e mëparshëm dhe duke e zëvendësuar me një tjetër më të përshtatshëm. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ndërhyrje të tilla përligjen vetëm kur ekzistojnë rrethanat e përcaktuara nga klauzola rebus sic stantibus. Shembulli më i qartë i një gabimi të tillë (le të qëndrojmë te ky përcaktim), është sërish barra e rëndë që i lanë këtij vendi dhe këtij populli politikanët e papërgjegjshëm që avancuan dhe nënshkruan të ashtuquajturin Pakt detar dhe që tani, për t’i shpëtuar përgjegjësisë blasfemojnë Gjykatën Kushtetuese, si të shitur a të blerë, të vetmin institucion që kishte mbetur e paprekur nga baltosja, pas përgojimit të qeverisë, kryeministrit, ish prokurores së përgjithshme dhe vetë ish presidentit. Keqardhje e thellë për tentativën e njollosjes së një prej organeve më të larta të shtetit dhe të një grupi të respektuar juristësh, të cilët meritojnë vlerësime dhe mirënjohje për kurajon dhe gjestin e jashtëzakonshëm të anulimit të një akti që cenonte rëndë interesat kombëtare.

Është koha kur të gjitha forcat politike në vend, të braktisin për pak çaste sheshin e betejave dhe të shprehen qartë në mbështetje të qeverisë dhe të negociatave të Kretës. Ato duhet të inkurajojnë vazhdimin e tyre, duke kërkuar që të respektohen institucionet dhe legjislacionet kombëtare, normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare për këto çështje, si dhe të mbrohen interesat kombëtare, integriteti dhe sovraniteti territorial, barazia dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të njëra tjetrës etj. Këtë, krahas qeverisë, e ka për detyrë veçanërisht opozita e sotme, sepse ishte ajo që dje në pushtet, me papërgjegjshmërinë e treguar, problemeve të shumta në marrëdhëniet shqiptaro-greke, iu shtoi edhe të tjera me pasoja shumë të rënda.

Të dyja palët duhet ta hedhin firmën e vet në akte juridiko-ndërkombëtare që rregullojnë seriozisht problemet dhe jo që bëjnë sikur i zgjidhin, duke i kapërcyer e duke lënë farën e së keqes për t’u shfaqur sa herë që krijohen kushte shpërthyese.

Athina dhe Tirana duhet të bëjnë kujdes që të krijojnë një atmosferë të përshtatshme bisedimesh. Nuk mund të negociohet normalisht kur politikanë të ndryshëm apo turma ekstremistësh të irrituar, lëshojnë thirrje kërcënuese, tregojnë “muskujt” ose ekskluzivitetin e papërligjur të certifikimit të lejës për të shkuar në Europë etj.

Ata që tregojnë ngut për të mësuar menjëherë gjithçka u tha në tryezën e bisedimeve në Kretë, duhet të mbajnë parasysh se në taktikat e përdorura gjatë realizimit të veprimeve të ndryshme në politikën e jashtme, për një periudhë fillestare kohe, palët ruajnë edhe një marzh të caktuar konfidencialiteti, natyrisht brenda limiteve të kërkesës për transparencë të imponuar nga dispozitat e kushtetutës dhe legjislacionit, për çka duhet treguar durim dhe mirëkuptim.

Tre ditët e bisedimeve të Kretës dhe ato që do të vijojnë duhet t’i vënë politikanët e të dyja palëve përpara përgjegjësisë dhe detyrimit sublim që të t’iu hapin shqiptarëve dhe grekëve horizontet e bashkëjetesës miqësore e paqësore, t’iu japin atyre shansin e merituar të një jete të bukur, të begatë e pa probleme, për të merituar bekimin e njerëzve të zakonshëm nga të dyja anët e kufirit.

 

*Dekan i fakultetit të shkencave juridike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë