Perëndeshë e bukurisë më je, Marina Fara…

Marina Fara, vajza e hijshme e këngëtares së njohur Eli Farës rrëfehet ekskluzivisht duke treguar se përse ajo është bërë më e klikuar në faqet e mediave të shkruara dhe online. Megjithëse prononcohet rrallë, ajo tregon se si janë raportet me të ëmën, këngëtare e shquar dhe raportet me shoqërinë, shokët e universitetit, pasionet dhe hobitë. Marina Fara është vajza juriste e Eli Farës, që me bukurinë e saj po tërheq vëmendjen e të gjithëve. Ajo është fëmija i vetëm i këngëtares, e cila në vite është komentuar dhe si simbol bukurie. Së fundmi Marina ka pushtuar rrjetet sociale me foto, ku duket shumë seksi.

 

Krejt papritur jeni bërë një figurë e njohur për publikun dhe rrjetet sociale, përse ka ndodhur kjo gjë?

 

Marina Fara: Po është e vërtetë, por nuk është se e kam kërkuar unë këtë gjë. Shumë kohë më parë më thoshnin goca e Eli Farës, për shkak të profesionit të saj si këngëtare dhe që është shumë e njohur brenda dhe jashtë vendit. Nuk mund ta mohoj se kam qenë shumë lidhur me mamin tim në vitet e fëmijërisë, por gradualisht me kalimin e vetes kam krijuar edhe unë personalitetin tim që edhe ngjaj me të por edhe që kam disa të veçanta.

 

Po më pas?

 

Marina Fara: Më pas unë fillova të nxjerr personalitetin tim të krijoj miqësitë dhe shoqëritë e mia.

 

Kush është Marina Fara?

 

Marina Fara: Kam lindur më 27 mars 1988. Kam kryer shkollën e mesme në Shtete të Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork që quhej “Bishop Kearny”. Kam përfunduar shkollën e lartë në Universitetin Luarasi, për degën Drejtësi.

 

Ndodh shpesh që fëmijët e artistëve ndjejnë një lloj frustimi për shkak të famës së prindërve, po ju a është kjo ndjesi?

 

Marina Fara: Përkundrazi. Unë e kam kënaqësi të veçantë që jam e bija e Eli Farës. Mami im vlerësohet jo vetëm si një këngëtare krejt e veçantë në hapësirën mbarëshqiptare, por edhe si një shpirt mjaft i bukur.

Edhe në Shqipëri, por edhe jashtë vendit dhe sidomos në SHBA, kam dëgjuar konsideratat më të larta për mamin tim që më bën të ndjehem dyfish krenare.

Eli Fara ka çarë vetë në jetë falë talentit, zërit të saj të papërsëritshëm dhe punës këmbëngulëse që vetëm ajo di ta bëjë.

Unë në një farë mënyre e kam edhe idhull për të ecur përpara. Mami ka qenë gjithë e vendosur dhe e pandalshme në gjithë veprimtarinë e saj të gjatë si këngëtare dhe jo vetëm.

 

Ndryshe nga shumë bij artistësh, ju keni zgjedhur të bëheni juriste; përse kjo zgjedhje?

Marina Fara: Edhe kjo ka qenë një zgjedhje imja sigurisht duke u konsultuar edhe me mamin. Nëse do të doja të ndiqja një pasion tjetër natyrisht se do e bëja, por unë zgjidha të shkollohem atje ku kam edhe më shumë aftësi. Natyrisht edhe modelingu më pëlqen, edhe spektaklet e bukurisë gjithashtu, por ato asnjëhrë s’kanë qenë parësore për mua.

 

Si e shpjegoni tërheqjen e mediave ndaj jush?

Marina Fara: Kjo në radhë të parë i dedikohet teknologjisë. Mediat online janë bërë sot një trend në gjithë botën. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë që kanë marrë një përhapje të gjerë sajtet, blogjet apo portalet elektronike. Është edhe kjo një mënyrë komunikimi, e shpejtë, e lehtë dhe pa kosto.

Unë s’kam bërë ndonjë shfaqje, s’kam dhënë ndonjë koncert, por thjesht kam parapëlqyer të përcjell imazhin tim që siç këndon mami im “Perëndeshë e bukurisë më je, unë për ti moj do pëlcas…”.

S’kam ftuar asnjë të më pëlqejë ose jo. Këtë e bëjnë pothuaj të gjitha moshataret e mia, por ndryshe nga ato unë s’preferoj të njihem thjesht nga fotot, pamja e jashtme. Kam jetën time me plot surpriza dhe befasi të këndshme dhe kam miq të shumtë në “perandorinë” e pafundme të këngëtarëve.

 

Po a ka persona që plasin për ty?

 

Marina Fara: Natyrisht shumë dhe unë gjej rast t’i falënderoj për komplimentat që më japin në faqen time zyrtare në Facebook.

 

Po komente negative a ka ndaj teje?

Marina Fara: Për fat të keq ka dhe unë i mishëroj. Më duken vërtet njerëz të frustuar. Media online, pra edhe Facebook është si një ekran televizori, nëse do e sheh nëse do nuk e sheh dhe lëviz pultin. Unë vetë jo të gjithë i pëlqej ata që shfaqen në rrjetet sociale, por asnjëherë nuk i fyej, i denigroj apo gjëra të tjera. Secili ka jetën e vet private që i jep llogari vetvetes dhe askujt tjetër.

 

A keni pasur kërkesa për intervista?

Marina Fara: Po natyrisht shumë, por jo të gjithave u jam përgjigjur. Vërej me keqardhje se shumë persona, përfshi edhe ata të medias, tërhiqen më shumë nga pamja ime e jashtme. Nuk mund ta fsheh që bukuria është një anë dhe ajo bëhet lajmëtarja e parë për t’u admiruar nga shumë njerëz. Megjithatë ajo nuk është gjithçka. Si bijë e Eli Farës edhe unë kam marrë diçka nga ëmbëlsia, bukuria, thjeshtësia, feminiteti i saj, pra kam edhe botën time që sigurisht e njohin miqtë e mi më të afërt.

 

Planet tuaja për të ardhmen?

Si çdo person që ka mbaruar një shkollë të lartë, preokupimi i parë është puna, një punë ku mund të shprehësh vetveten dhe shkollimin. Kam edhe plane të tjera që natyrisht do t’i them kur t’i kem konkretizuar më e mirë./Telegraf, 2 gusht 2015/