Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Romeo Hanxhari: Çfarë është Himara për ju, zoti Kryeministër?

Vitet e fundit në Shqipëri është shpikur një lojë. Loja quhet “provoko njerëzit  në Himarë” ose ndryshe, “bëj tym për të mbuluar hallin”. Kjo lojë luhet sa herë që duhet hequr vëmendja nga diçka e rëndë në Tiranë dhe sidomos kur qeveria ka nevojë për një alibi. Për motivin se dikush ka shumë nevojë që ta quajnë “patriot”, himarjotët bëhen mish për top, bëhen viktimë e lojës së pamëshirshme dhe trajtohen de facto si qytetarë të dorës së dytë. Seanca më e fundit e lojës me Himarën u luajt të enjten që shkoi në Parlament.

Pasi kishte nisur buldozerët në Himarë, zoti Kryeministër i kërkonte llogari opozitës nga podiumi: “Hajdeni këtu e u thoni shqiptarëve se çfarë është Himara për ju?”. E, natyrisht që ka rëndësi se çfarë është Himara për opozitën, por në fund të fundit, opozita s’ka as buldozerë, as IKMT, as hipoteka, as polici, e as sekserë… Opozita nuk i ka këto. Kësisoj, për të përditshmen e banorëve të asaj krahine, nuk ka fort rëndësi opozita. Qeveria ka rëndësi. Pra, ka rëndësi se çfarë është Himara për qeverinë.

Por le të themi dy fjalë se çfarë është Himara për njerëzit e këtij vendi. Himara është një krahinë me të kaluar aq heroike, të shkruar me gjak nga bijtë e saj, saqë arkeologu i madh Leon Rei, që e deshi aq shumë këtë vend e që gërmoi Apoloninë në vitet ‘20, kur studioi historinë e asaj krahine, shkroi se, “nëse Shqipëria ka me çfarë të krenohet, më së pari duhet të krenohet me historinë e Himarës”.

Kjo është Himara dhe këtë le ta mësojnë edhe ata që nuk e dinë, por sidomos ata që e dinë, por s’duan ta dinë. Dhe le ta mësojnë një gjë njëherë e mirë: ata banorë janë atje prej mijëra vjetësh dhe as kanë ardhur gjoja nga ndonjë krahinë tjetër, siç thonë me naivitet disa studiues bardhë e zi, e as kanë ndërmend të ikin në ndonjë shtet tjetër, siç do të donte mafia e tokave. Por sot, kjo krahinë 5000-vjeçare heroike është kaq e turbulluar. E turbulluar jo nga banorët e saj, por nga pushteti. Nga pushteti…

Na duhet të hapim të gjithë sytë mirë e të shohim përtej tymit që shpërndan loja “bëj tym për të mbuluar hallin”. Le ta shpërndajmë pak tymin, duke parë, pra se çfarë është Himara për pushtetin dhe mafien e tokave e të drogës. E gjithë krahina e Himarës për pushtetin tonë është 2 gjëra. Së pari, është thjesht një terren ndërtimi, të cilin ai e do që ta ketë të lirë nga himarjotët. Dhe për këtë, ai ka nxjerrë nga kasaforta teorinë se meqë himarjotët, në gjithë historinë e tyre nuk kanë pasur ndonjëherë nevojë për hipotekë, atëherë ata nuk qenkan pronarë të tokave të tyre e të shtëpive të tyre shekullore.

Pushteti ka dëshiruar shumë që tokat në Himarë të “dalin” si toka pa zot, pra toka “të lira”. Dhe prandaj po tund flamurin e ligjit 7501, siç nuk e ka bërë asnjë qeveri tjetër e tranzicionit. Përveç atij ligji, pushteti po përdor edhe disa marifete të tjera “ligjore” dhe ekstraligjore. Por pushteti e di mjaft mirë që Himara ka disa specifika, që nuk i kanë krahinat e tjera. Himarjotët nuk e kanë njohur pushtetin osman dhe kanë jetuar të lirë në trojet e tyre, mbi bazën e një armëpushimi të nënshkruar midis tyre dhe sulltanit Bajazit që në fund të shekullit të 15-të.

E, për rrjedhim, himarjotët nuk kanë pasur nevojë për dokumentet e atij pushteti, sepse kanë jetuar me tokën e tyre dhe me lidhjet me perëndimin gjithmonë. Më vonë, gjatë pushtetit komunist, himarjotët u shpërndanë nëpër Shqipëri, dhe ashtu të shpërndarë, i zuri viti 1991 dhe ligji 7501. Të gjitha qeveritë e kanë ditur mirë se himarjotët nuk e zbatuan ligjin 7501 sepse respektuan ligjin e pashkruar të të parëve, duke rimarrë secila familje atë pak tokë që kish trashëguar. Në gjithë këto vite të tranzicionit nuk ka pasur asnjë konflikt apo krim prone në këtë krahinë, sepse të gjitha qeveritë e kanë respektuar këtë specifikë.

E vetmja qeveri që guxoi dhe turbulloi ujërat aty për çështje pronash e tokash, është kjo aktualja. Pse? Pushteti kërkon t’u bëjë presion të zotëve historikë të tokave të Himarës, duke u thënë atyre që “ju s’keni letra, ju s’keni dokumente”. Kjo, me qëllimin që këta pronarë të vegjël tokash në Himarë të ndihen të detyruar, madje të nderuar, t’ua shesin lirë tokat e tyre pronarëve të mëdhenj të lidhur me pushtetin. Madje, në ndonjë rast, si ky i prishjeve të shtëpive në qytetin e Himarës, qytetarët u dashka të ndihen të nderuar që të marrin dy qindarka nga qeveria sepse “ata s’kanë dokumente” as për shtëpitë 200-vjeçare.

Qeveria e do tokën e Himarës pa himarjotët, pa zotërit e asaj toke. Madje, qeveria, në fakt, do vetëm bregdetin e Himarës. Atë e do të lirë. Pjesën tjetër të gërxheve mund edhe t’ua lerë himarjotëve si lëmoshë. Nuk i duhet. Ja pra, kjo është ajo çfarë përfaqë- son së pari Himara për pushtetin: një tokë “pa pronarë”. Së dyti, Himara për pushtetin është një terren i përhershëm alibie, ku atij i pëlqen shumë që herë pas here, të ngacmojë për të fshehur apo justifikuar diçka më të rëndësishme për të.

Meqë pushteti ka hallin se BE nuk po i hap negociatat për shkak të implikimit të pushtetit me krimin, atëherë kishte nevojë për një tymuese. Dhe nxori kartën e “patriotizmit”. Me pak fjalë, pushteti kërkon që pavarësisht se çfarë ai gatuan në Himarë, pavarësisht nëse merr nëpër këmbë të zotët e atij vendi, pavarësisht se nuk njeh të drejtën e pronës shumëshekullore, qytetarët e këtij vendi duhet me domosdo të anatemojnë himarjotët dhe të përkrahin qeverinë.

Sepse, sipas pushtetit, “janë këta, himarjotët, ata që duke kundërshtuar këtë qeveri, po e pengojnë atë që të marrë hapjen e negociatave”. Ja pra. Për pushtetin, himarjotët duhet që të mos jenë aty për tokat e tyre, dhe nga ana tjetër, duhet të jenë aty thjesht për t’u provokuar si sebep sherri. Në këtë skenar gjoja “patriotik”, pushteti ka edhe mbështetjen e një pjese dritëshkurtër e naive të opinionit publik që gënjehet kollaj.

Cila është zgjidhja? Pushteti duhet të kuptojë njëherë e mirë se himarjotët e kanë mbrojtur tokën e tyre edhe nga turku, edhe nga shejtani vetë, e jo mos ta mbrojnë nga qeveria e një vendi të NATO-s. Pushteti duhet t’i lerë të qetë himarjotët dhe t’u krijojë kushte që të gëzojnë pronat e të parëve. Pushteti duhet t’u japë atyre njerëzve certifikatat e pronësisë për çdo pronë të trashëguar nga të parët e tyre, me apo pa ligjin famëkeq 7501.

Këtë kërkojnë himarjotët dhe janë në të drejtën e tyre elementare për këtë. E pasi të ketë çdo pronar aktin e pronësisë, mund të bëhet fjalë për projekte, me kushtin që këta të fundit të mos jenë diskriminues, por transparentë dhe të diskutohen paraprakisht dhe hollësisht me secilin pronar, të cilit i preket prona. Pra, loja që luhet nga pushteti me Himarën, nuk do të funksionojë kësaj radhe.

Halli është aq i madh, saqë as tymi “Himarë” nuk e mbulon dot. Por gjithsesi, taksirati është që edhe kësaj radhe, ata njerëz punëtorë e trima të asaj krahinë do të kenë kusurin t’i rezistojnë edhe një herë, si gjithmonë, kërbaçit arrogant të dovletit…/Panorama/

Please follow and like us: