Albspirit

Media/News/Publishing

Thaçi, njeriu i luftës së drejtë dhe i paqes

Tonin Gjuraj

Është gjithnjë vështirë të flasësh për politikanë në karrierë dhe është akoma më e vështirë të flasësh për politikanë në karrierë, në vende si ne, apo si Kosova, ku demokracia është e brishtë, ku shumëkush ka një mospëlqim për dikë, ku ky mospëlqim kthehet në një arsye për të mos vlerësuar asgjë. Megjithatë, unë do të përpiqem të shkoj pas në kohë, shumë shkurt, për të sjellë disa momente, për mua të pashqitshme nga kujtesa. Janë pamjet e televizioneve që tregojnë oborrin e një kështjelle në Rambuje të Francës, në 6 shkurtin e vitit 1999, pamje në sfond të të cilave dukeshin trëndafila që në atë ngricë gjithë brymë, dukeshin si të mbuluar nga mjegulla. Për ne, për mua, që prisnim me ankth se ç’do të sillte kjo konferencë ndërkombëtare për Kosovën, që niste pas një kalvari të patregueshëm dhimbjesh e vuajtjesh, vrasjesh e shpërnguljesh, ato pamje ishin drithëruese dhe e shtonin edhe më mosbesimin dhe frikën. Kisha dëgjuar një natë më parë se, në delegacionin e Kosovës do të ishte edhe një djalë i ri, që ishte drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, krahas personaliteteve të njohura politike dhe intelektuale, si: Rugova apo Qosja. UÇK-ja ishte kthyer në shpresën e madhe të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Të gjithë mendonin se bota po tregohej indiferente, se populli ishte lënë në mëshirë të Millosheviçit dhe vetëm djemtë e asaj toke, të tokave shqiptare pra, apo edhe ata që vinin nga Amerika, Zvicra, Gjermania etj., ishin heronjtë dhe shpresa, dhimbja dhe krenaria njëherësh. Hashim Thaçi ishte për gjithkënd në ato momente personifikimi i gjithë këtyre emocioneve, por edhe i ëndrrës se Kosova mund të mbrohej.

Konferenca e Rambujesë vijoi me tensione nga më të ndryshmet, me presione nga më të fortat dhe te ne nisi të bëhej e fortë bindja se, delegacioni shqiptar kishte mbështetjen e Amerikës dhe Europës dhe se të gjithë, nga Rugova te Qosja, nga Bardhyl Mahmuti te Fehmi Agani, nga Mahmut Bakalli te Hashim Thaçi, ishin në një ngjarje të madhe dhe ishin aty për të mbrojtur Kosovën, flamurin, gjakun, varret, kujtimin dhe nderimin e të rënëve përgjatë gjithë shekullit, që kur Serbia i kishte marrë nën pushtim. Konferenca solli edhe një moment tjetër shumë domethënës, por dhe mjaft dëshpërues njëkohësisht. Delegacioni shqiptar, me këmbënguljen, sidomos të Hashim Thaçit, kërkonte të merrte miratimin e popullit të tij në Kosovë për të nënshkruar marrëveshjen me serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Ishin momente shumë të vështira dhe të një përgjegjësie të madhe, sidomos për një djalë aq të ri. Marrëveshja e Rambujesë do të vuloste njëherë e për shumë kohë, fatin e Kosovës dhe në momente të tilla burrat e mençur i thërrasin zemrës, por dhe mendjes, i thërrasin maleve apo bjeshkëve, si dëshmitare të një qëndrese të rrallë dhe të dhimbshme, i thërrasin popullit që përditë përballet me terrorin, gjenocidin, përzënien. Sot dikush mund të thotë se këto fjalë janë të zbukuruara. Ju siguroj, të dashur pjesëmarrës, se unë nuk jam një përdorues i mirë metaforash, as fjalësh të zgjedhura, por po them thjesht atë që kam përjetuar në ato momente dhe çfarë impresioni të fuqishëm krijoi delegacioni dhe sidomos ai që ishte kreu real, lideri që gjeti kohën dhe drejtuesi që mori përgjegjësi të përfaqësonte luftën, ushtarët, të vrarët, vendin e tij, duke qenë edhe vetë një luftëtar. Për politikën sot, pas 17 vitesh, për çdo demagog, për çdo cinik, për çdo hipokrit, etj., ajo që ndodhi ndoshta e ka humbur vlerën dhe fuqinë. Për mua jo. Ajo vijon të jetë dhe sot burimi që pavarësoi Kosovën, kuraja që bëri bashkë njerëz e zemra dhe që fitoi besimin e botës dhe përkrahjen e saj.

Thaçi ishte njëri nga ata që ishin në luftë për të bërë paqen, që ishin në luftë për të ndalur një fatkeqësi të përbindshme. Me të ishin edhe Haradinaj, edhe Limaj, edhe djemtë që u vranë, edhe ata që ndihmuan në një mënyrë tjetër. Me të ishte edhe Rugova, edhe Qosja, ishte i pavdekshmi Adem Jashari, ishte edhe Zahir Pajaziti, ishte Shaban Polluzha, Sefë Kosharja, Azem Galica, e plot të tjerë, ishte gjithë dhimbja e mbledhur lëmsh në grykë për gati një shekull. Hashim Thaçi diti të jetë politikan pas luftës, diti të humbë zgjedhjet përballë Rugovës, diti të rrijë në opozitë, diti të nderojë kundërshtarët. Por, Hashim Thaçi u bë kryeministër, ishte në krye të përpjekjeve për të shpallur vendin të pavarur. Beteja për pavarësinë në paqe mund të jetë edhe më e vështirë se sa ajo në luftë. Në paqe armiku është ngjitur me ty, është i heshtur, i fshehur.

Unë nuk dua të zgjatem më tej, pasi Hashim Thaçi është një personalitet që ka prekur, ndikuar dhe madje përkufizuar, në një lloj kuptimi, gjithë veprimin politik dhe jopolitik të Kosovës, dy dekadat e fundit që janë dekadat e pavarësisë së saj. Sot ai është presidenti i Kosovës, një Kosove sigurisht me shumë probleme, një Kosove që përpiqet të përdorë lirinë e shumëdëshiruar, për të qenë mes vendeve të zhvilluara. Nuk dua të them se Hashimi ka qenë i pagabueshëm, përkundrazi ai ka patur çdo gabim të mundshëm njerëzor në politikë. Por, kjo është arsye më shumë për ta çmuar atë.

Please follow and like us: