Çerçiz Loloçi: Mbi çmimet e panairit të librit 2017

 

Panairi i përvitshëm i librit mbylli siparin dhe një ditë më parë janë dhënë edhe çmimet për veprat më të spikatura. Sipas njoftimit zyrtar për këtë panair janë vlerësuar:

  • Betim Muço fiton çmimin për veprën letrare më të mirë;
  • Agron Alibali merr çmimin për letërsinë studimore “Faik Konica”;
  • Persida Asllani vlerësohet për letërsinë origjinale artistike për fëmijë “Unë jam Musine Kokalari”;
  • Diana Çuli evidentohet si fituese në fushën e përkthimit.

Natyrisht se ky panair nuk ka qenë shumë i begatë në vepra origjinale që shpalosin talentin, individualitetin dhe letërsinë cilësore, por shqetësimi është se vlerësimi është tërësisht politik, siç ka ngjarë jo pak herë edhe në raste të tjera.

Nëse maxhorancën qeverisëse do e kishte Partia Demokratike do të vlerësonte të angazhuarit e saj, siç edhe e ka bërë me krijuesit e vet mediokër dhe nënmesatarë, ndërsa në këtë rast që në maxhorancë është Partia Socialiste ka bërë zgjedhjen e vet që janë pikërisht të preferuarit e saj: Muço, Alibali, Asllani dhe Çuli.

Pa asnjë hezitim duhet thënë se çfarëdolloj regjimi të ishte Shqipëria, pra Juntë, Fashizëm, Komunizëm apo Demokraci, këta të mësipërmit janë autorë periferikë që nuk i thonë asgjë lexuesit, qoftë edhe atij të majtë dhe që do harrohen shpejtë më shumë se krijuesit e dikurshëm të periudhës totalitare.

Një vështrim i ftohtë jashtë PD dhe PS dhe pavarësisht preferencave të shoqatës personale të botuesit të “Diturisë”, mund të evidentonte vepra të tjera, që për fat gjendeshin në këtë panair. Kështu për shembull një vepër studimore e profesor Xhevat Lloshit mund t’i jepte më shumë dinjitet këtij panairi se sa ajo Agron Alibalit, po ashtu një vlerësim për përmbledhjen poetike të Sadik Bejkos “Këngë të Solomonit” do ta nderonte më shumë këtë ngjarje kulturore përkundër vlerësimeve për Persida Asllanin, Betim Muçon dhe Diana Çulin.

Dikur në komunizëm e përjavshmja “Drita” dhe e përmuajshmja “Nëntori” jepnin çdo fundviti një mori çmimesh, që koha tjetër, kjo e demokracisë i flaku pa mëshirë dhe askush nuk kujtohet më për emrat e tyre.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me çmimet politike që ka dhënë PD dhe PS kur kanë qenë në maxhorancë (për fat të keq edhe shoqata e botuesve është orientuar gjithnjë nga maxhorancat e radhës) dhe kjo natyrisht nuk i ka shërbyer vlerave më të mira të letërsisë dhe artit.

Shoqata e botuesve, nëse dëshiron një herë të vetme që të shfaqet e pavarur dhe jo si çmimet ‘Kult’ të Ylli Sulës që evidenton si shkrimtar deri edhe Artan Fugën me librin “Murgu”, do të ishte mirë që të debatonte mes botuesve të tjerë për veprën më të spikatur dhe që të vendoste mbi kritere estetike se sa mbi ato politike që e mbajnë letërsinë tonë në një qark katundi ku “libra ka, por vepra s’ka”.

 

P.S.: Personalisht nuk kam patur ndonjë botim në këtë panair, që të kem rezervuar edhe qejfmbetje, por shqetësimi është për libra më të mirë dhe të ballafaqueshëm me letërsinë bashkëkohore.