Albspirit

Media/News/Publishing

Nis fushata #NjëFijeDritë, kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut (IHRC), Elvana Shala, ka nisur sot fushatën vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Fushata vetëdijësuese me slloganin “Një fije dritë”, është inicuar  me qëllim të ngritjes së vetëdijësimit të qytetarëve të Kosovës në thyerjen e paragjykimeve, luftimin e diskriminimit, stigmës, rritjen e ndërgjegjësimit, e mbi të gjitha promovimin e të drejtave të tyre për integrim të barabartë në shoqëri.

Sllogani #NJËFIJEDRITË është vendosur me qëllim kërkesës së dritës për të ndriçuar errësirën e krijuar pa fajin e tyre, duke mos pasur guximin, te shfaqen dhe të flasin hapur për fatkeqësinë dhe krimin e padrejtë të cilin e përjetuan 18 vite më parë.

Pjesë kryesore e fushatës është video-mesazhi i realizuar me personalitete nga fusha e politikës, diplomacisë, artit dhe shoqërisë civile, të cilët përmes tekstit të ndërthurur në formë artistike bëjnë thirrje për një jetë më të dinjitetshme për këto viktima.

Gjatë kësaj fushate 10 ditore, Ambasadorja Shala do të zhvillojë takime me të gjitha organizatat që merren me mbrojtjen dhe rehabilitimit e këtyre viktimave, për t’u njohur nga afër me gjendjen aktuale të viktimave dhe mundësinë e integrimit të barabartë të tyre në shoqëri. Përveç kësaj do të bëhet edhe shpërndarja e broshurave me informacione rreth fushatës, mesazheve vetëdijësuese dhe fragmenteve të shkurtëra nga përjetimi i dhunës nga viktimat.

Në fund të fushatës do të organizohet konferenca përmbyllëse me pjesëmarrjen e krerëve institucionalë vendorë e ndërkombëtarë, ku do të adresohen të gjitha kërkesat dhe nevojat e viktimave për qasje të barabartë në shoqëri.

Fushata është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Austriak, Ambasada e Turqisë në Kosovë, Ambasada e Zvicrës në Kosovë, IHRC dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës./Ekspress/

 
Please follow and like us: