Albspirit

Media/News/Publishing

Dekonspirim i operacionit, SHÇBA nis hetimin për dështimin në arrestimin e 3 zyrtarëve të lartë të policisë

SHÇBA ka nisur hetimin lidhur me dështimin në arrestimin e tre ish-zyrtarëve të lartë të Policisë gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Ish-zyrtarët që dyshohen si të përfshirë në trafikun e kanabisit nuk u gjetën në banesat e tyre, ndërsa mediat flasin edhe për arratisje jashtë shtetit. SHÇBA do të verifikojë nëse oficerët Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila ishin në dijeni për urdhrin e ardhur nga Prokuroria që kërkon arrestimin e tyre. Ekzistojnë dyshime të forta se operacioni është dekonspiruar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestet për 3 ish-drejtues të Policisë së Vlorës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në çështjen “Habilaj”, për të cilën është nën hetim edhe Saimir Tahiri. Gjatë hetimeve të dosjes “Habilaj” tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë dyshohet se me mosveprimet e tyre kanë lejuar vëllezërit Habilaj të kultivojnë kanabis sativa.Ndërsa ka dyshime edhe për favorizimin e tyre në trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës në drejtim të Italisë. Për një prej këtyre drejtuesve, Sokol Boden, ish-shefi i Postës në Dhërmi dhe ish-shef i Kufirit në Drejtorinë e Vlorës, për të cilin opozita ka publikuar edhe fotografi të tij me vëllezërit Habilaj, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë se “arrestit me burg”. Ndërsa për Jaeld Çelën, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës dhe Gjergj Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në të njëjtën drejtori vendore, janë nxjerrë urdhra ndalimi.

Please follow and like us: