Albspirit

Media/News/Publishing

Rita Loloçi: Rugova, njeriu i paqes

 

 

Nuk ka asnjë dyshim se figura më e konsiderueshme politike në hapësirën e natyrshme shqiptare është zoti Ibrahim Rugova, president i Kosovës, fitues i disa Honoris Causa në universitete perëndimore, posedues i çmimit Saharov, senator nderi i Europës dhe një prej figurave më të rëndësishme rajonale që kontribuonte në mënyrë kostante për paqen.

Jo thjesht për arsye studimore, por edhe pse çprej një periudhë relativisht të gjatë, Rugova ka qenë dhe është ideator dhe drejtues i lëvizjes paqësore në Kosovë (president i padiskutueshëm në një votim plebishitar të paradokohshëm dhe kryetar shteti në një proces demokratik), ky personalitet më ka bërë përshtypje për orientimin konstant properëndimor dhe për një përpjekje maksimale për të pasur marrëdhënie sa më të ngushta veçanërisht me SHBA, me selinë e Shenjtë të Vatikanit, Izraelin dhe me kancelaritë perëndimore në Bon (më vonë Berlin), Paris, Bruksel etj.

Shkrimtar dhe sidomos studiues i klasit të parë, Ibrahim Rugova do të organizonte të parën lëvizje moderne politike në Prishtinë në 1989, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila u bë e vetmja zëdhënëse  e aspiratave kosovare dhe që do të kulmonte në evenimente të rëndësishme me organizimin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese 1990, me përgatitjen e Kushtetutës së Kaçanikut 1990, me organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës 1991, me zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Republikës së Kosovës 1992 e 1998.

I ardhur nga një familje nacionaliste (komunistët jugosllavë i kanë pushkatuar njëheri gjyshin dhe babanë), Rugova do të studionte për albanologji në fakultetin e Prishtinës, ndërsa do të kryente në Francë edhe një vit studime pasuniversitare në fushën e kritikës letrare. Pas 1994-ës vërehet një veprimtari e dendur e zotit Rugova: në po këtë vit është doktor i letërsisë në Prishtinë, autor i dhjetra librave dhe shkrimeve publicistike, anëtar i akademisë së shkencave në Kosovë, redaktor në “Bota e re” dhe “Dituria”, kryeredaktor në revistën shkencore “Gjurmime albanologjike”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe shumë veprimtari të tjera të sferës intelektuale.

LDK, herë si lëvizje dhe herë si front, falë Rugovës arriti të shndërrohej në një parti moderne europiane duke qenë forca kryesore më e votuar në Kosovë dhe që analistët e shohin si favoriten kryesore edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Natyrë koniciane në vështrimin e historisë së hershme dhe të re të shqiptarëve, jo shumë entuziast, me një dukje indiferente deri në mërzi por përherë i vëmendshëm, Rugova është edhe një prej personazheve politikë më të kërkuar të shtypit më të zëshëm perëndimor.

Siç ngjet rëndom në mjediset shqiptare për “të hedhur gurin marran në pus”, pavarësisht se është politikani më i votuar në strukturat e LDK-së dhe në popullin e Kosovës, Rugova jo pak herë ka qenë në qendër të trillimeve dhe të fakteve të pavërteta, të cilat po vetë dhe me indiferencë i ka flakur tutje. Kam parasysh këtu takimin e përfolur me Millosheviçin në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd, kur ai spjegoi në një takim me shqiptaro-amerikanët se gjithçka sa ishin thënë justifikoheshin me gënjeshtërsinë e një prillit, pra se një datë dhe një takim i kryer nën pushtim ishte shumë pak përballë përcaktimit të tij disavjeçar anti-pushtim dhe anti-Milosheviç.

Në një dimension të besueshëm dhe substancial doli përsëri Rugova në përballjen e drejtpërdrejtë me Milosheviçin në gjyqin e Hagës, siç ishte edhe tepër befasues në një intervistë të para pak kohe në ‘Corriere dela Sera’ ku rrëzoi besueshëm një propagandë që e cilësonte Kosovën si djep të ekstremistëve islamikë.

 

13 shkurt 2004

Please follow and like us: