Albspirit

Media/News/Publishing

E dashura e Zogut. Historia e balerinës së kabaresë, që bashkëjetoi me mbretin

Marin Mema

Tania Visarova, balerina me një jetë të trazuar, ishte gruaja e preferuar që i qëndroi për tre vite në krah Mbretit Zog. Për ata që e njohin disi historinë dhe kujtimet e saj, padyshim lind dyzimi nëse kjo dashuri ndaj Zogut ishte një fat i mirë apo i keq për të… Në një rrëfim të Tanias për gazetaren franceze Maria Craipeau, mësohen detaje interesante, shpesh edhe të guximshme mbi bashkëjetesën e saj disa vjeçare me Mbretin Zog. “Tania Visirova- Nga Kaukazi në Foli Berzher” është titulli i librit që hedh dritë mbi jetën dhe rrugëtimin e kësaj balerine, që mesa duket, me lehtësi arriti të fitojë vëmendjen e Mbretit të sapozgjedhur të Shqiptarëve, porse nuk arriti të marrë asnjë emërtesë tjetër, përveçse “Moldavja e Zogut”.

Për Tanian, e cila kulminacionin e parë në jetën e saj profesionale e arriti kur mundi të performojë në kabarenë “Foli Berzher” në Paris, Tirana dukej si një qytet oriental ku jeta kulturore ishte e vakët, sigurisht larg jetës parisiene. Por mesa duket Tirana orientale i ngjante më mikluese se rutina e lodhshme mes frekuentuesve të kabaresë, që e admironin thjesht dhe vetëm për fizikut e saj.

Përtej impaktit të parë për Tiranën, Tania shpreh keqardhjen mbi mjerimin në Shqipëri, gjë për të cilën ajo mendonte se nuk i shkonte për shtat një vendi aq të bukur dhe me një histori të lashtë e të lavdishme. Rrëfimi i saj shkon edhe më tej kur ajo nënkupton në një farë mënyrë, se të paktën gjatë kohës së qëndrimit të saj në Shqipëri, Zogu mban një lloj përgjegjësie lidhur me mungesën e mirëqenies dhe zhvillimit të vendit. Këtë situatë ajo dëshmon se e kishte vërejtur gjatë udhëtimeve të saj në Shqipëri, gjatë periudhës 3 vjeçare të qëndrimit pranë Mbretit Zog.

Prej sa mund të nënkuptohet nga rrëfimet e Tanias, Mbreti Zog i shprehej pa kursim lidhur me fëmijërinë e tij, familjen, rikthimin në Shqipëri pas qëndrimit në pallatin e sulltanit, jetë në Austri apo edhe përfshirja e tij në politikë. Por pikërisht, nisur nga këto biseda, Tania pranon se ndoshta nuk e kishte njohur Zogun në momentin më të përshtatshëm. Takimi së bashku kishte ndodhur kur Mbreti Zog ishte në kulmin e adrenalinës së pushtetit dhe jetonte në ndikimin e një gjendje euforike. Kjo dehje që e kishte kapluar, sipas Tanias, e bënte Zogun të mos gjykonte me objektivitet mbi rrethanat aktuale por edhe të shkuara, veçanërisht ato që lidheshin me historinë, duke aluduar deri në pikën se ai ishte pasardhës i një dinastie që e kishte dominuar fronin për shekuj me radhë.
TANJA

Në kujtimet e saj Tania shprehet:

Ndërsa e dëgjoja, mendoja se i zmadhonte gjërat dhe kuptova se kurora i kishte ‘rënë në kokë’

Më tej, Tania kujton se nuk e kishte bekimin e nënës dhe gjashtë motrave të Mbretit Zog dhe se përmes qëndrimit të tyre, ajo sapo kishte mbërritur në Tiranë e kishte pasur të qartë se ato do të ishin armike të saj. Ndërkohë, ato nga ana e tyre e shihnin Tanian si një kërcënim që u rrëmbente vëmendjen e Mbretit Zog dhe njëkohësisht e cilësonin si pengesë dhe arsyen kryesore për të cilën ai kishte kundërshtuar disa raste për martesë, që ishin të volitshme për mbretërinë.

Ndërkohë, moldaven Tania diskutimi me Zogun mbi një martesë të mundshme mes të dyve nuk e kishte “ngrohur”, porse e kishte futur në një rrugëtim përsiatjesh të forta dhe në përfundim Tania u mjaftua me cilësimin nga ana e mbretit si e zgjedhura e zemrës së tij. Ndonëse në ditëlindjen e saj të 21-të ajo mori si dhuratë nga Zogu një unazë me një diamant shtatë karat e gjysmë, e ngjashme në format me një unazë fejese, Tania përsëri nuk krijoi ndonjë iluzion të tepërt, përveçse kënaqësisë që i jepte moment i të pasurit të çdo gjejë që dikur as nuk e kishte menduar, të përmbledhura nën termin luks… Përveç kësaj ajo ishte hezituese për ta çuar në një tjetër nivel marrëdhënien mes të dyve.

Interesante janë edhe detajet që Tania përcjell lidhur me kapriçot e tepërta të motrave të Zogut, të cilat arrinin deri të godisnin me këpucë ministrat apo edhe përfaqësues të tjerë të lartë të oborrit mbretëror. Në të njëjtën linjë Tania përshkruan edhe marrëdhënien e ministrave me Mbretin Zog, por duke vënë në dukje disa fakte kompromentuese mbi aktivitetin e tyre, ku përpos panikut ndaj tij e vidhnin Mbretin pa reshtur.

Përmes rasteve konkrete Tania na paraqet edhe një Zog xheloz, gjë që në një moment e kishte bërë të reagonte me nervozizëm ndaj veprimeve të Mbretit Zog, duke e cilësuar si një njeri që pavarësisht pretendimit se ishte evropian, nuk po sillej si i tillë, aq më tepër që nuk kishte vend për xhelozi për sa kohë që për nuditetin dhe ekspozimin e plotë të saj ishte “dëshmitar” një Paris i tërë por edhe më tej.

Por jeta në hije pranë oborrit mbretëror filloi të bëhej e vështirë për Tanian dhe nënën e saj që e kishte ndjekur në këtë aventurë. Për t’i shpëtuar vëmendjes dhe përndjekjes së njërëzve të cilët nuk duhet ta shihnin të preferuarën e Mbretit, ajo u detyrua të izolohej dhe gradualisht nisi t’i venitej ngazëllimi i dikurshëm. Ajo dëshmon se pas derës ku flinte ajo dhe Zogu përgjonin njërëz të armatosur, kjo ndoshta si pasojë e mospëlqimeve ndaj tij dhe një revolte të brendshme të kishte nisur të ndihej. Në këto kushte, largimi ishte një nevojë imediate për Tanian dhe të ëmën, pavarësisht manovrare të Zogut për t’u krijuar kushtet që ato të vijonin të qëndronin, duke menduar deri përpjekjen për ta martuar të ëmën e saj me një ministër.
TANJA 1

Por përtej dëshirës së madhe që të vijonte ta kishte të tijën “La Visirovën” e famshme të Parisit, që për hir të së vërtetës në damarë i lëvizte gjak mbretëror që derivonte prej Mbretëreshës Natali të Serbisë, ishte drejt humbjes së betejës për ta mbajtur pranë atë.

Një krizë e radhës xhelozie ishte pika e fundit që derdhi gotën, duke shërbyer si shkak për Tanian që të ndahet nga Zogu. Kështu, pikërisht në vitin 1932, e sfilitur dhe pa asnjë motivim të mëtejshëm për të vazhduar, Tania së bashku me të ëmën vendosin t’i japin fund jo pa dhimbje bashkëjetesës me Mbretin Zog, nga e cila i mbetën stolitë që në kohëra të vështira i shërbyen për t’i siguruar mbijetesën.

Natyrshëm lind pyetja: Kaq mbytëse ishte atmosfera në atë oborr mbretëror sa një femër e dëshpëruar për famë e pasuri nuk arriti të mbijetojë, duke e shkëmbyer luksin me lirinë e një jete që nuk i dihej në çfarë shtigjesh do e çonte?

Please follow and like us: