Pjetër Bogdani, korife i kulturës shqiptare

Fotografia e profilit të Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta, janë figura themeltare të kulturës dhe historisë shqiptare, që i bashkon fati i përbashkët i pasvdekjes- mungesa e varreve. Secili nga ta dha kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm për kulturën dhe historinë tonë. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, ata i bashkon fati i pasvdekjes- mungesa e varreve. Këto tri figura, janë tri shtylla, që e mbajnë lart ngrehinën kulturore dhe identitetin europian të shqiptarëve.
Ismail Kadare, te eseu monumental, “Mosmarrëveshja”, ashtu sikurse edhe te tregimi, “Raporti i fshehtë”, e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, ndërmjet mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe Jezu Krishtit. Te tregimi në fjalë, Kadare shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë”.
Një shenjtëri të tillë, pa mëdyshje, e dëshmon jeta dhe vepra Pjetër Bogdanit.
Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura, të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Pjetër Bogdani ynë, i traditës së Hasit, për të cilin shkruajnë studiues të shumtë, shqiptarë dhe të huaj, nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu dashtë të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët, në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman- kundër pushtimit që dvarte gjuhë e kulturë. Misionari në aksion, s’mund të ndalej me kaq. Ai, përshkoi qytete e vende, për të kërkuar dije e kulturë. U bë doktor i parë i filozofisë dhe teologjisë ndër shqiptar. Në Itali, mësoi për artin e kulturën, për poezinë e filozofinë, për historinë e shumë dije tjera. Dhe, dijen e akumuluar e manifestoi te libri monumental, “Çetën e profetëve”, një vepër misionare e shëlbuese. Si i tillë, ky libër, nga botimi i parë, 1685, gjer në ditët tona, ka pasë një influencë të madhe në kulturën shqiptare.
Pjetër Bogdani, siç shkruan në parathënie të librit, ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit, ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit dhe e rezistencës kundër turqve. Të dhënat biografike tregojnë se, nga sëmundja nuk arriti ta realizonte përpjekjen me Pikolominin, për të organizuar betejën kundër osmaneve, sepse, ushtria e gjeneralit austriak niset në drejtim të Shkupit, po nuk arriti të hynte në qytet, sepse e kishte marrë epidemia e murtajës, prandaj, e djeg qytetin dhe kthehet prapë në Prishtinë. Në këtë kohë, Bogdani, ia siguron ushtrisë së Pikolominit 6000 shqiptarë, dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohet ushtria e Pikolominit nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Me të arritur në Prizren, Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes më 6 dhjetor të vitit 1689, në Prishtinë. Pas vdekjes, siç njofton nipi Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët, trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri dhe ua kanë hedhur qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria e tij tragjike dhe fillon jetën vepra e tij kulturore, si zgjatim i frymës së tij; e kujtesës dhe identitetit shëlbues që la si testament të përhershëm për ne. Më këtë akt, tatarët tentuan ta zhduknin filozofinë bogdaniane, por ajo triumfoi dhe i qëndroi stoikisht kohës së mëvonshme, kur persekutimet dhe kalvari i shqiptarëve veçsa u thellua. Megjithatë, Çeta e tij, si kulturë e ideologji, asnjëherë s’u ndal. Ajo, marshoi deri në ditët tona. U mishërua te dishepulli i ideve dhe idealeve të tij, Ibrahim Rugova, i cili, ashtu si Bogdani, u nda nga jeta, pa e finalizuar misionin e tij. Një shëmbëllim që na shtyn të përsiasim dhe meditojmë!
Historiografia letrare shqipe, dëfton se, vepra e Bogdanit, pati jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi dukshëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ajo, njihej nga rilindësit e shumtë: Naimi, Mjeda, Konica, etj., dhe përjetoi botime e studime kritike të shumta. Në këtë mënyrë, u bë pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të gjithë shqiptarëve.
Nga relacionet e Bogdanit me vlera historiografike e letrare, kuptojmë se bredhja ishte fati i Bogdanit. Ai, vazhdimisht bridhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; herë duke kërkuar mbështetës, për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte pa dija.
Bogdani, si i apasionuar për dije e kulturë, për të shëlbuar vendin e vet, përballë mëkatit dhe padijes, që zgjeronin hapësira në atdheun e plandosur në mjerim, dinte se armët më të fuqishme, ishin dija e libri. Në këtë mënyrë, ai mendonte se, mund të ndikonte në vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur. Atëbotë, vendi i tij dergjej në robëri të errët, siç thoshte, “i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e padija sepse, ai ishte dvarë dijeje e urtija”.
Në parathënien, “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani, në formë programatike e misonarike, e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin, dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve.
Bogdani, i vetëdijshëm se duhej kultivuar “bukurinë e giuhesë”, u rrek të shkruante një vepër për Arbërinë, gjuhën dhe kulturën e vet; një vepër që do të mbetet përmendore e përhershme letrare e kulturore.
Luigj Marlekajt, njohës i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”, tregon se Bogdani, me guximin e pashoq, u bë “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”- thoshin sundimtarët osmanë. Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh; e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum” mbetet Çeta e kulturës shqiptare.

Cuneus Prophetarum: Çeta e kulturës shqiptare

Pjetër Bogdani (1630-1689), nga njohës të veprës së tij është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare. Vlen të përmendet se, në kohën e Bogdanit, në Europë, letërsia luante rol të jashtëzakonshëm në emancipimin kulturor, ndërkohë që vendi i Arbrit, ishte plandosur në robëri të rëndë, pasojat e së cilës ndiheshin veçmas në sferën e kulturës. Kjo frymë, e krijuar matanë Adriatikut, nuk arriti të depërtonte te shqiptarët. Megjithatë, lëvizja për rezistencë kulturore kundrejt akulturimit, mori impuls të fuqishëm, më autorin më të ditur të kësaj periudhe, dhe njërin nga më të shquarin e letërsisë shqipe, Pjetër Bogdanin, i cili, në përkim me filozofinë dhe konceptet e Mesjetës, shkroi veprën monumentale, “Cuneus Prophetarum”. Kjo vepër, u botua në shqip dhe italisht, dhe nga studiuesit e shumtë, vlerësohet njëherësh si vepra me e përkryer e shekujve të parë të letërsisë shqipe. “Çeta e profetëve”, ashtu siç e ka përkufizuar Ibrahim Rrugova, është vepër bazë në humanistikën shqiptare. Këtë vepër, autori e ka shkruar si tekst letrar. Vepra, si kompozicion dhe si strukturë, i përgjigjet me përpikëri konceptit organizues dhe kompozicional të Biblës. Pra, libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë Bibla në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re.
Bogdani, është autor origjinal dhe e shkruan një vepër origjinal, duke e zbatuar strukturën e Biblës dhe duke u bazuar në të. Po ashtu, në aspektin tematik, libri i parë është analog me Besëlidhjen e Vjetër, ku ritregohet kronologjia e Krijimit të rruzullimit, sipas modelit biblik.
Libri i dytë shfaqet analog me Besëlidhjen e Re dhe kjo mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, “Jeta e Jezu Krishtit”. Në këtë pjesë, numri i ligjëratave, është i njëjtë me numrin e librave biblikë. Në këtë pjesë të librit, bëhet ritregimi i jetës së Krishtit, momente të rëndësishme të jetës së tij, që nga gjeneza familjare, shfaqja-lindja, vepra, dënimi-vdekja-kryqëzimi, ngjallja dhe rishfaqja e tij sipas modelit biblik.
”Çeta e Profetëve” është tekst i shkruar kryesisht në prozë. Librit i paraprin një parathënie tejet interesante “Të primit përpara letrarit”, ku autori tregon synimet qëllimore të tekstit të vet, në një kontekst të zymtë kulturor, ku atdheu dergjej në robëri, dhe ku mjegullat e akulturimit kishin errësuar jetën arbërore, prandaj edhe kërkohej dija e urtia, dhe ajo lypsej nëpërmjet librit,- e në këtë rast, duke e riaktualizuar Biblën, që për konceptin mesjetar, ishte libri më i përkryer, sepse autori ishte Hyji i përkryer. Nëpërmjet librit, autori, si prijës dhe bari, kërkonte zgjimin dhe vetëdijesimin kulturor, etnik e fetar. Autori, në përkim me misioni dhe konceptin për misionarin, shprehte hapur synimet letrare dhe kulturore: “që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, po duke u lartësuar nga urtësia”.
Kjo vepër, me tiparet karakterizuese, duke u shfaqur analoge me modelin e shkrimit biblik, sipas studiuesit të veprës së Bogdanit, Anton Berishaj “është një hipertekst i tij dhe interpretim diskursiv i atij shkrimi, me shumë funksione të citatësisë, metatekstit, si njësi të shfaqjes së intertekstualitetit të pastër”.
Përmes modelit të ritregimeve biblik, Bogdani ka dashur ta paraqes Jezu Krishtin si fenomen kulturor dhe letrar evropian, shkruan Engjëll Sedaj, dhe në të njëjtën kohë, t’i ngjallte shenjat e idealitetit dhe të kulturimit.
Përveç ligjëratave, nga krijimtaria e Bogdanit, kemi një cikël poezish, të njohura si ”Këngët e Sibilave”. Te këto poezi, siç ka vlerësuar studiuesi Ibrahim Rugova, “Bogdani ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara dhe më të bukura në poezinë shqipe”.
Një element karakteristikë i poetikës së Bogdanit, është prania e poezisë me tipare kozmogonike, e shkruar me një rrjet figurash stilistike të realizuara estetikisht dhe me një gjuhë poetike mjeshtërore. Teksti poetik bogdanian, ka një skemë të rregullt rimash, që vargut i japin një muzikalitet rrëmbyes dhe poetik. Bogdani, i kontekstualizon sibilat nëpërmjet topikës dhe figurës idiomatike shqipe. Te vepra e tij, gjejmë dhe një vjershë të pastër kosmogonike, “Krijimi i Rruzullimit”, poezi kjo me vlera të dallueshme, do të thosha e denjë për të qenë pjesë e çdo antologjie poetike. Botën e pasur dhe sistemin poetik të Bogdanit e çmonte edhe poeti i mirënjohur, Lasgush Poradeci, i cili shkroi: “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, Vjeshtën e 1924-ës, kur pata gëzimin t’i-a shikoj me sy…t’i-a çik me dorë…t’i-a studioj dhe t’i-a përpij “Conneus”-in në shpirtin t’im për të parën herë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepcionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës letrare përgjithësisht. Kozmogonia e të madhit shqiptar i-u bën ballë, me cilësit’ e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase) ashtu sikundër këtë e shohin në Biblën hebraike, dhe kozmogonisë indike, ashtu sikundër këtë na e çfaqin Vedat e shenta. Kur të vij aty, do t’a rrëfej poezinë e Bogdanit, që të gjykosh më mirë vetë mbi vleftën e saj.

Pjetër Bogdanit, me jetën e flijuar në altarin e idealeve kombëtare, fetare e kulturore, dhe me veprimtarinë e bujshme në shërbim të atdheut, mbetet apostulli kryesor i letërsisë dhe kulturës shqipe, ndikimi i të cilit, në formimin e identitetit kulturor të shqiptarëve, mbetet i pazëvendësueshëm.

Bogdani, në kohen e përndjekjeve dhe persekutimeve, kudo ku fshihej, me vete merrte libra. Sepse, ai ishte i mishëruar me dijen, librin dhe misionin e bariut, në përkim me shëmbëlltyrën e mësuesit të besimit të vet.
Vepra e Bogdanit, ishte e njohur përgjatë gjitha fazave të zhvillimit të letërsisë shqipe. U çmua dhe vlerësua nga rilindësit, mirëpo kulmi i influencës u shfaq në platformën e kulturore e ideologjike të Ibrahim Rugovës. Ne fakt, Rugova si dishepull i Bogdanit, e ndoqi ëndrrën e tij, për ta vazhduar aty ku mbet korifeu i kulturës shqiptare.

 

(Fragment nga teksti i lexuar në Zym, më 27. 06. 2015, në konferencën kushtuar Pjetër Bogdanit)