Ndue Ukaj: Sipërfaqja e vërtetë

 

 
Ne kemi humbë shtigjet dhe jemi në pyll.
E sheh: qielli është i pikëllua dhe qan.

Rreth nesh sillen silueta njerëzish.
Ata duken si në një kortezh
Dhe po varrosin dëshirat e tyre.

Të kujtohet: ti mbrëmë ma rrëfeve andrrën tënde
Me një piano të moçme. Ishe e veshur me të bardha dhe i kurseve fjalët,
Të cilat i zëvendësove mrekullueshëm me lojën e gishtave të tu.
Oh! Ata janë magjikë dhe të ëmbël.
I shprishnin kujtimet,
Në sytë e mi të mbytur nga malli.

Ti e di: ne gjatë u mashtruam
Kur besuam se po hynim në pyllin e së vërtetës,
Dhe po mbyllnim portat e frikës.

Jo. Në atë hapësirë dikush mbolli lule të këqija.

Atëherë me arkitekturë fjalësh të vjetra
Thurëm histori pa heronj për ne dhe për ata
Dhe ngadalë u rrokullisëm derisa ramë në teatrin marrëzisë.

( Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, 2017, OM)