Albspirit

Media/News/Publishing

‘Pallati i ëndrrave’ i Kadaresë, një udhëtim në ferrin e Komitetit Qendror të PPSH

Related image

 

Së fundmi, një nga veprat e tij më alegorike, “Pallati i ëndrrave”, është përkthyer në gjuhën çeke nga Hana Tomkova dhe është botuar nga shtëpia botuese “Havran”. “Literarni noviny” i ka kushtuar jo pak hapësirë përkthimit të veprës së shkrimtarit shqiptar. Ajo komentohet si një vepër alegorike, që edhe pse është vendosur në një periudhë të caktuar, heq paralele me regjimin komunist shqiptar. Kjo ka qenë edhe arsyeja e ndalimit të tij në vitin 1981. Mjeshtërisht, autori i paraqet lexuesit një institucion që kontrollon ëndrrat e çdo shtetari, një institucion i cili të kujton ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë. Revista e ka shoqëruar komentin me një pjesë nga romani i Kadaresë, pikërisht atë ku përshkruhet godina e “Pallatit të ëndrrave”.

Një nga më të vlerësuarit, më kritiku dhe pa frikë mund të themi, romani më provokativ i shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, është “Pallati i ëndrrave” i vitit 1981. Ideja qendrore e romanit dhe e të gjitha veprave të Kadaresë, tek e fundit, është të zbulojë shtypjen dhe skllavërimin e personalitetit njerëzor prej institucioneve të pushtetit dhe regjimeve totalitare.

Për shkak se komentet e hapura apo një kriticizëm i tillë nuk ishte i mundur nën regjimin e Enver Hoxhës, në Shqipëri, Kadare i kthehet alegorisë dhe i vendos ngjarjet e romaneve apo tregimeve të tij në periudha historike dhe hapësira gjeografike të ndryshme. Kur “Pallati i ëndrrave” u botua në vitin 1981, ai u ndalua menjëherë, si një provokim kundër regjimit. Dhe në fakt, qëllimi i autorit ishte që përmes fjalësh, të përshkruante ferrin. Dhe ky ferr, i krijuar prej despotizmit qeveritar, i cili është subjekti i gjithçkaje, është përshkruar mjaft mirë.

Ai jo vetëm që përshkruan në mënyrë impresionuese atmosferën e ngrysur, errësirën, mosbesimin, dyshimin dhe frikën që ka pushtuar pallatin, ashtu si edhe shoqërinë, por aty ka edhe shumë ngjashmëri konkrete mes romanit-fiction dhe realitetit shqiptar.

Në ndërtesën e “Pallatit të ëndrrave”, një lexues i vëmendshëm gjen ngjashmëri me atë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në rrugët e Stambollit sot, rrugët e brendshme të Tiranës. Problemi i vazhdimësisë së drejtimit të pallatit, korrespondon me reflektimin mbi pasardhësin e diktatorit të plakur shqiptar.

Ndërhyrjet dhe arrestimet e policisë, që prekën të gjitha nivelet e popullsisë, deri nënivelet më të larta të regjimit në atë kohë, ndikojnë si romanin dhe familjen e heroit kryesor.

Mark Alem, një pinjoll i një familjeje me influencë në Shqipëri, që për breza me radhë ka qenë në funksionet më të larta shtetërore, nis të punojë në pallat dhe gradualisht arrin në nivelet më të larta drejtuese. Por, megjithatë, ky post fsheh një rrezik-interpretimi i keq apo i papërshtatshëm i një ëndrre mund të shkaktojë një fatkeqësi për të.

Pallati i ëndrrave është një institucion, që për detyrë ka të mbledhë dhe të analizojë ëndrrat e qytetarëve dhe kjo mund të krijojë idenë e “humorit” në vend dhe t’ia përshtatësh atë politikave qeveritare. Në të vërtetë, ky mekanizëm i jashtëzakonshëm i kontrollit të mendimeve të qytetarëve, i privon ata nga më e fundmja pjesë e mbetur e privatësisë dhe lirisë personale.

“Pallati i ëndrrave”është vendosur në një periudhë të caktuar kohore, por kur Ismail Kadare ka folur për të, në vitin 2010 për të përditshmen spanjolle “El Pais”, ai është shprehur se diktatura, në një formë apo në një tjetër, vazhdon të ekzistojë në botë, pavarësisht se format e kontrollit të mendjes njerëzore janë sofistikuar dhe strukturat sociale dhe politike nuk kanë nevojë të përdorin dhunën.

Pas vitit 1981, kur libri u ndalua në Shqipëri, “Pallati i ëndrrave” u botua në gjuhën frënge në Francë në vitin 1990. Në vitin 1991, ai u nderua në Paris me çmimin “Nouveaux Droits de l’Homme”. Përkthimi në gjuhën çeke nga Hana Tomkova është botuar nga shtëpia botuese “Havran” në kolanën e prozës europiane.

 

Please follow and like us: