Jorida Tabaku: Kush nuk ka punë, ka fjalë!

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar mbi deklaratën për shtyp timen duke mohuar faktet dhe evidencat e paraqitura jo vetëm prej Partisë Demokratike por edhe prej Bankës së Shqipërisë. Në deklaratën e gjatë për shtyp ku lexohej jo pa droje sikleti i shifrave që flasin të kundërtën e propagandës vërehej një jo-koherencë jo vetëm mbi shifrat por edhe për rrugën se si qeveria zgjodhi të llogarisë ndikimin e TAP dhe Devollit.

Së pari sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë investimet e huaja direkte në vendin tonë nga viti 2013-2016 janë si më poshtë:

Viti 2013: FDI 923 mln Euro

Viti 2014: 812 mln Euro

Viti 2015: FDI 720 mln (TAP dhe Devoll 288 mln Euro)

Viti 2016: FDI 983 mln Euro (TAP dhe Devoll 693 mln Euro)

Ajo që vihet re nga tabela është se Investimet e Huaja në vitin 2014 kanë qenë më të ulëta se sa viti paraardhës. Gjithashtu në vitin 2015 IHD e zhveshura nga TAP dhe Hidrocentrali i Devollit kapin vlerën e 432 mln eurove ndërsa në vitin 2016 vlera e IHD-ve duke përjashtuar TAP dhe Devoll që kanë ardhur përpara qeverisjes së rilindjes është 290 mln euro.

Efekti i investimeve të TAP dhe Devoll nga viti 2015-2017 do te jete 1.5 mld euro apo sa 14% e PBB-së. Pra, këto dy investimeve tejet serioze jo vetëm që kanë kontribuar që ta nxjerrin qeverinë e djeshme të rilindjes nga bataku por do të ndihmojnë edhe për pak vite qeverinë e sotme që të krenohet me investimet e huaja direkte.

Një tjetër fakt interesant na serviret nga INSTAT, sipas të cilit në vitin e shkuar numri i ndërmarrjeve të huaja të përbashkëta (pra me pronësi shqiptare dhe të huaj) është ulur me 5%. Banka Botërore nga ana tjetër ka lëshuar sinjale të forta në drejtim të qeverisë që kjo e fundit të kërkojë thithjen e investimeve të huaja. Sipas BB, përfundimi i projektit të TAP dhe Devoll do të sjellë një thatësirë të madhe në fushën e investimeve në Shqipëri. Shenjat e para të këtij paralajmërimi (që opozita e ka sjellë me kohë) nisën që në këtë 9 mujor ku IHD-të sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë rezultojnë 4.2% më të ulëta.

Sa i takon vlerësimeve ndërkombëtare, duhet theksuar se qeveria sot është përgjegjëse për vlerësimin negativ të Doing Business që e ka zbritur vendin me 7 vende duke fokusuar gjithë kritikën në fushën e taksave dhe problemeve me korrupsionin. Pak javë më parë edhe BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit FITCH artikuloi ekzaktësisht këto fjali për Shqipërinë “Akuzat se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që është në pushtet, është përfshirë në trafikimin e drogave tregon se sa i vështirë do të jetë procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, pavarësisht se PS mban shumicën në parlament që nga zgjedhjet e qershorit. Nëse akuzat dalin të vërteta, madhësia e asaj mazhorance ka gjasa të reduktohet dhe kryeministri Edi Rama ka gjasa të humbasë besueshmëri”.

Jo vetëm kaq, por ditën e djeshme raporti i FMN artikulonte qartësisht problemet e qeverisë duke nisur që nga klima e varfër për afrimin e investimeve që vjen si pasojë e sistemit fiskal ineficent, furnizimit me energji elektrike, mungesën e të drejtave të pronësisë. Në raport detajohet edhe problemi i taksimit selektiv që do të aplikojë qeveria do të ndikojnë në krijimin e xhepave dhe problemeve të tjera me mbledhjen e të ardhurave si dhe me barazinë përpara ligjit në taksim.

Të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare raportojnë gjithashtu se kreditimi në ekonominë tonë ka rënë ndjeshëm. Jo vetëm Banka e Shqipërisë por edhe raportet e FMN shkruajnë se kredia në vendin tonë ka njohur rënie. Një gjë të tillë e pranoi edhe zoti guvernator gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës.

Ulja e kredisë është një nga treguesit për gjendjen anemike të ekonomisë, pasi një ekonomi e cila ka kreditimin e ulët nuk dihet se ku mundet të gjejë stimulin e parave për të investuar. Siç edhe vërejtëm investimet e huaja janë në rënie të dhënat flasin për një rritje ekonomike thuajse 4% ndërkohë që parashikimi për vitin 2018 është 3.8%. Atëherë ku gjenden paratë për rritjen e ndërtimeve?

Në fakt, arsyet e dyshimit tonë si opozitë nuk janë të bazuara vetëm tek rritja e sektorit të ndërtimit. Ne bazojmë dyshimin tonë duke vërejtur një sërë faktorësh ekonomikë që lidhen mes tyre. fjala vjen si shpjegohet që monedha Euro në një vit që ka njohur rritje në tregjet botërore njohu pikën më të ulët të nënçmimit në Shqipëri duke u zhvlerësuar kur asnjë e dhënë ekonomike nuk e mbështeste zhvlerësimin e saj në raport me lekun vendas? Gjithashtu kemi vërejtur edhe trajektoren e kredisë që është shumë herë më e ulët se sa viti 2009.

Për fatin e keq, ministria nuk mundi të dalë përtej tullumbaces së propagandës që ka ngritur. Ministri vazhdon të fshihet pas përgjigjeve që kanë pak fakte dhe shumë fjalë ndërkohë që ministria vazhdon të prodhojë interpretime të shifrave duke kapërcyer deri në vitin 2009 për të mbuluar dështimin 4 vjeçar. Duke e përmbysur fjalën e urtë popullore në “Fjalë shumë e punë pak”!