Nën tingujt e muzikës lirike ruse

 

Fjoralba Sukulli,
Muzikologe
Koncertet e ciklit Opera Soul, organizuar nga Teatri i Operas dhe Baletit, janë të tipit recital-solistik, ku interpretohet muzikë lirike; romanca apo arie të kompozitorëve të ndryshëm. Për nga mënyra se si janë konceptuar, këto koncerte ngjallin interes për t’i ndjekur. Secili prej tyre konsiston në një mbrëmje me muzikë mjaft të përzgjedhur operistike/lirike të një kulture të caktuar. Kështu, në koncertin e fundit, të zhvilluar ditën e hënë, u dëgjuan disa prej romancave të dy kompozitorëve të mëdhenj rus, Tchaikovsky dhe Rachmaninoff.
Romancat e zgjedhura nga Tchaikovsky (ashtu si gjithë krijimet e tjera të tij në këtë gjini) janë të një shkalle të konsiderueshme vështirësie. Kjo pasi, ato janë tepër emocionale. Disa melankolike, disa të një karakteri lirik të ndritshëm, ato dallohen për një thellësi mendimi që ‘buron’ edhe prej teksteve të përzgjedhura për t’u muzikuar; tekste të shkruara në vetën e parë e në të cilat i mëshohet fort gjendjes shpirtërore të personazhit. Pjesa më e madhe e romancave që u interpretuan nga Tchaikovsky, të shkruara në një temp relativisht të ngadaltë, imponojnë vëmendje dhe përqëndrim për të qenë gjatë gjithë kohës të qëndrueshëm emocionalisht dhe sa më shprehës.
Në këtë drejtim, dy solistet e mbrëmjes, sopranoja Renisa Laçka dhe pianistja Ardita Bufaj, ia dolën mbanë. Megjithëse në dy pjesët e para u ndje njëfarë pasigurie, gjithçka më pas shkoi më së miri. Pati harmoni mes tyre, gjë që solli edhe realizimin në karakter të romancave. Kështu, tërhoqën vëmendje Nie Sprashivaj (Mos më pyet), Lullaby (Këngë djepi), si dhe Den li tsarit (Nëse mbretëron dita); të gjitha këto romanca të Tchaikovsky-it. Interpretimi i kësaj të fundit, sipas gjykimit tim, ishte një ndër më të arrirët e koncertit.
Të them të drejtën, do të doja të dëgjoja më tepër romanca nga Rahmaninoff në këtë mbrëmje. Kjo mendim më erdhi befas teksa po shijoja ato që po luheshin në skenë. Pianistja, delikate dhe e ngrohtë njëkohësisht në lojën e saj. Zëri i sopranos te Sirjenj (Jargavani) apo te ‘Nje poj, krasavica’ (Mos këndo bukuroshe) të krijonte përshtypjen e një tingulli që vinte nga larg; i ëmbël dhe i qetë, dhe që ngjallte kërshëri për ta ndjekur. Mjaft bukur erdhi edhe Burja (Stuhia); një romancë e gjallë, dramatike dhe tepër impenjative.
Gjatë gjithë koncertit më tërhoqi vëmendjen sopranoja Renisa Laçka. Laçka, e cila është në fillimet e karrierës së saj, dëshmoi një njohje të materialeve. Duke i dhënë rëndësinë e duhur çdo note, ajo arriti të jetë shprehëse dhe të depërtojë emocionalisht te publiku. E përmbajtur, por njëkohësisht me një thellësi tingulli që i jepte peshë pasazheve mjaft karakteristike të shpërthimeve të herëpasherëshme pasionale në romancat e Tchaikovky-it apo linjave aq të bukura melodike në ato të Rahmaninoff-it. Pra, gjithçka në interpretimin e saj ishte e natyrshme, e pasforcuar dhe e menduar mirë.
Në pritje të një koncertit të radhës ditën e hënë, më datë 18 dhjetor 2017; një mbrëmjeje e menduar e gjitha me arie nga kompozitori i njohur i muzikës operistike italiane, Giuseppe Verdi, urojmë që koncerte të tilla të këtij lloji, kaq dinjitoze, të shoqërojnë sa më gjatë aktivitetin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.