Albspirit

Media/News/Publishing

Rikthimi i Helenës nga Parisi:Dashuria ime për Kadarenë…

Një grua shkrimtare dhe përkthyese, e cila i ka hapur udhë bashkëshortit të saj, shkrimtarit Ismail Kadare në sakrificë e sfidë jo vetëm në jetë, por edhe në karrierë. Helena Kadare flet për herë të parë mbi momente delikate të raportit të saj me miqtë, feminizmin, letërsinë e vet, përkthimin, çfarë ka ndikuar në fatin e jetës së tyre…si vjen njeriu, dhe dashuria e shkrimtarit

Një bisedë jo shumë e gjatë, por e organizuar me modesti në mjediset  e Heminguej bar, ka sjellë përkthyesen dhe shkrimtaren Helena Kadare nga Parisi, duke u vendosur përballë, me shkrimtarin Ylljet Aliçka në të rrallat herë për miqtë, jetën, njeriun, letërsinë, kryeqytetet që ndajnë përvojat e tyre. Befasuese bashkëshortja e shkrimtarit Ismail Kadare, kur ka treguar Parisin e saj dhe Tiranën që kërkon të mbyllë jetën, a udhëtimin e gjatë në rendje të njohjes së shkrimtarit. Për herë të parë ajo ka folur për sakrificën, si grua, nënë e bashkëshorte për t’iu kushtuar jetës letrare të Kadaresë.  

 

 

 

***

Rikthimi i Helenës nga atmosfera e Parisit, pyetjes se si e gjejnë shkrimtarët veten, ajo ka kujtuar, rrëfimin e një miku, të tyre, në Paris: “Ai vinte nga jugu i Francës dhe e adhuronte për 15 vjet Parisin. Një ditë më tha, më zuri mërzia me të…Në fillim unë nuk e besoja në fillim se mund të më vinte mërzia me Parisin. Por tani, them se ka ardhur ky moment…”.

Duke menduar se kjo mund të ishte një çështje snobizimi, më vonë ka kuptuar pse edhe Parisi mund të bëhej një qytet rutinë, i mërzitshëm. Me këtë ndjesi, Helena thotë se kthehet në Tiranë, se është qyteti që do më shumë dhe se dëshiron ta përfundojë këtu jetën e saj. Edhe shkrimtari Ylljet Aliçka ndan të njëjtin mendim, pothuaj, për Tiranën, qëndresën në këtë qytet. Ndërsa Helena ka shtuar se, sigurisht “Parisi si kulturë është një distancë krejt tjetër se Tirana”, por nuk është domethënia e saj për këtë, por për miqtë e tyre. Në këtë bisedë, zonja Kadare ka kujtuar mikun e tyre të përbashkët, Agim Myftiun, djali i një udhëheqësi të ish Bllokut komunist, se si kanë qenë bisedat e tyre, dhe miqësia: “Është një shprehje që, “Zër miq të rinj, por mos harro të vjetrit”. Unë mendoj se të vjetrit janë diamante. Kemi pasur një mik, Gim Myftiun. Na jepte libra fshehurazi. Vinte rrinte te ne. Edhe ai si Ismali, kishte frikë. Por, Ismaili gjithë temat që ka shkruar ia tregonte Gimit. Na zinte mëngjesi duke biseduar e më pas niseshim për në punë. Një miqësi e tillë nuk përfytyrohet në Paris. Mbase ka, por nuk e ndjej. Në Francë më dukej sikur më kuptonin në fillim, por më pas nga pyetjet që bënin kuptoja se nuk kishin marrë vesh asgjë. Ata kanë një stil jete ndryshe. Atyre u dukej anormale jeta jonë, ndaj Kadare, thotë s’kam qenë disident, kam bërë letërsi normale në një vend anormal”.

Përkthyesja Aida Baro, që organizon këtë mbrëmje, e ka pyetur për të shkruarin, letërsinë se, çfarë ndjesish ka shkaktuar ky proces në jetën e saj, Helena përgjigjet se nuk i jep individualisht. Ajo përfshin në këtë bisedë, krejt natyrshëm edhe shkrimtarin, bashkëshortin e saj, z. Kadare, Helena thotë se kanë bërë të dy punën që donin, dhe se ky ishte një privilegj në jetët e tyre: “Për shoferët, Ismaili thotë se, sa punë të mërzitshme kanë. Sidomos ata të metrove. Ndërsa unë e doja punën që bëja. Është kënaqësi kur shkruan, themi gjithmonë sa të lumtur jemi që kemi bërë një punë që e duam, është privilegj. Mua më ka munguar koha, prandaj e kam quajtur librin tim “Kohë e pamjaftueshme”. Ky libër më shkoi 15 vjet për ta shkruar”.  Ne, ndalemi pak në këtë libër, për ta risjellë në vëm ka endje, pasi bërë mjaft bujë për shkak se duke qenë edhe ajo shkrimtare, bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena, ka zbuluar fatin e një çifti të pazakontë. Në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen e një jete të përbashkët, shpaloset aktualiteti i një gjysmë shekulli që ka parë apogjeun, dhe më pas, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste në Europën Lindore.

Në rrethin e miqësive, takimeve, të fshehtave të përbashkëta, ky çift gjen energji dhe kurajë që të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi mbi banorët e vendit më të mbyllur dhe më misterioz në Europë. Përtej episodeve shumë të pasura dhe të një humori, që jep përvojën e tragjedisë, këto kujtime dëshmojnë drejtpërsëdrejt mbi kompleksin e “punës së laboratorit”, në të cilën është përpunuar vepra e Ismail Kadaresë, si dhe mbi strategjitë e përdorura për të bërë që të dështojë censura, ose për të çuar e strehuar në Francë tekstet më të rrezikshme.

Por, pas këtij libri, në këto rrethana, duke folur për sakrificën që i duhej të bënte, marrja me rritjen e fëmijëve, ndërsa duhej të mbështeste bashkëshortin e saj në punë krijuese, Helena ndan me të pranishmit dhe mundimet e gruas, të të përkushtuarit edukimit dhe rritjes së fëmijëve, duke shtuar se “dikush në familje duhej të merrte përsipër këtë sakrificë”.

“Sigurisht, nëse do kisha qenë burrë do kisha shkruar më shumë patjetër. Por, Kadare vlente më shumë, ishte më e rëndësishme puna e tij. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar. Por, kuptova që vlente letërsia e tij. Imja do ishte letërsi mesatare, para letërsisë së tij. Ismaili s’ka bërë punë tjetër, veç letërsisë. Unë zgjohesha në 2 të natës, kur lindi vajza për të zënë radhën për qumështin, por nuk dua të kujtoj këtë, sepse ia ka vlejtur e gjitha…

Kryesorja është ta adhurosh atë me të cilin je dhe unë e kam bërë”.

Ndërsa jeta e një shkrimtareje, apo në rastin e Helenës të bashkëjetesës me një shkrimtar emblemë për letrat shqipe, duket se e ka më të lehtë përgjigjen kur pyetet për kureshtinë, raportin e saj me njeriun, letërsinë. Për këtë Helena thotë se: “Dua të di gjithçka. Nëse nuk e ke kureshtjen është si vdekje. Nëse s’ke më aftësinë për t’u habitur ke humbur. Habia tregon se diçka më shumë kërkon nga jeta”.

Pothuaj në të njëjtën prespektivë është edhe shkrimtari Ylljet Aliçka, kur në bisedën e tij kujton Aznavour, thënien se kureshtja e mban gjallë njeriun, e posaçërisht shkrimtarin.

Një moment nga fëmijëria, e shtyn shkrimtaren e përkthyesen Helena Kadare të sjellë në mend një gjest të rrallë, një korrespodencë jashtëzakonisht të gjatë leximesh me një shoqe nga Pogradeci. Kjo ishte gjithë fëmijëria e saj: “Babai dhe drejtori i shkollës sime në Elbasan ishin kuriozë se çfarë shkruanim. Im atë më mbante në kontroll për letra dashurie. Lexoja “Kontin e Monte Kristos”, e jo vetëm, lexoja ato që përkthente Vedat Kokona, një burrë i pashëm. Jetonim si në ëndrra, sepse vetëm librat ishin atëherë. Ishin histori nga më të bukurat”.

Dhe në këto ëndrra, sigurisht për shkrimtaren dhe gruan, ka një bilanc jete, për të cilën ajo shprehet se ka pasur një jetë të realizuar, me vështirësi, por aspak konfliktuale.

“Ka qenë një jetë e realizuar, por nuk ka qenë e thjeshtë. Mbase kjo ka qenë sharmi i jetës. Por, kur je i ri, nuk e kupton se je i tillë. Është interesante se kur je i ri nuk mbushet dita, ndërsa tani nuk të del koha, ndjen mungesën e saj. Si është ajo shprehja, kur desha të kuptoj si ishte jeta, kthen kokën prapa sheh se ajo ka kaluar tashmë”.

Ndërsa procesi i përkthimit e ka shoqëruar gjithnjë jetën letrare të Helenës. Ka kujtuar përkthimin e parë, pas leximit të një tregimi të shkurtër, në dorëshkrim, e ngacmuar nga Robert Shvarc i cili e ka nxitur për ta botuar, pasi e kishte redaktuar, njohur edhe botimin e parë në gazetën Drita, organ i lidhjes së shkrimtarëve në kohën e diktaturës. Më vonë ajo ka treguar se donte të përkthente ata burra që ka dashur t’i takojë. Ndalet në librin e fundit, të neokirurgut Henri Marsh, “Mos bëj dëm”, e sapo ardhur në shqip, për të cilin thotë se kur ai shkruante se  “në zemrën e çdo kirurgu ka një varrezë të vogël”,  kishte parasysh se jetën e njeriut e ndjek më shumë fati. “Sa më shumë punoja, aq më shumë besoja se ka shumë rol fati. Ai ka thënë se e kish zili nënën që besonte”.

Dhe, tani duke ndjekur gjithë jetën e kaluar, për gruan që ka pasur në krah shkrimtarin më me emër në Shqipëri, në diktaturë dhe pas saj, kandidat për disa vjet Nobel në letërsi, Helena jep përgjigje dhe për çështje të rëndësishme të njeriut, nëse jetën e tij e bëjnë rrethanat, fati apo vullneti?! Helena thotë: “Në jetën e njeriut sa më shumë eksperienca të ketë, aq më shumë i prin fati, sa më shumë jeta pasurohet aq më tepër luan rol fati”. Duke kujtuar përkthimin e saj, “Një grua në Berlin”, Helena shton se sikur fati luan edhe me kombet, popullsitë, qoftë edhe në shkatërrimin e tyre. Ajo thotë: Kur kemi qenë në shkollë mësonim nga teoria marksiste se individi s’ka vlerë. Por, unë mendoj ndryshe. Një njeri, një individ bën hatanë, si Hitleri a diktatori ynë. Hitleri e ngriti Gjermaninë, po pastaj e përmbysi”.

Ndërsa shkoi në një rrjedhë interesante tema e përhershme për skenën letrare shqiptare, qoftë për letërsinë e re, apo çështje të njohjes, famës. Pa guxuar të japë këshilla, Helena thotë se njeriu duhet të dijë të frenohet, të dijë të përzgjedhë, mes kësaj diareje që po ndodh në shkrimtari, ku paguajnë nga të gjitha anët për t’u botuar, sidomos të rinjtë.

Porse Aliçka është ndalur në faktin, se ndjesia e çdo njeriu që shkruan është të marrë famë, dhe se sado i aftë dhe i talentuar të jetë një njeri, është thelbësore përmbajtja.

“Vetënjohja është e vështirë, ndaj çdo njeri duhet të ketë koshiencë”, e mbyll Aliçka.

Edhe pse ka bërë një jetë të tërhequr, duke ndjekur jetën letrare të bashkëshortit të saj, z. Kadare, Helena ka mohuar totalisht të ketë e të jetë me ide feministe duke u shprehur se “e bukura e të parit  të gjërave në një drejtim, është zbulimi i saj në dashuri”, edhe pse romanet e përkthyera janë përzgjedhur me personazhe femra, “por jo për të mundur burrat”!/Mapo.al/

Please follow and like us: