Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Sjellësit e fatkeqësisë së re shqiptare

Shqiptarët janë të kapur në një zgjedhë shumë të rëndë.
Por tani kanë ardhur më në fund në procesin e çlirimit të tyre.
Vetë Reforma në Drejtësi dhe shpronësimi e ndëshkimi i të korruptuarve të mëdhenj, është proces i i çlirimit të shqiptarëve dhe i ngritjes së prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Vetëm ata që kanë abuzuar dhe ata që urrejnë qytetërimin perëndimor janë në prag të depresionit.
Ky pastrim do të jetë historik për historinë e Shqipërisë, se ne shqiptarët vetë nuk patëm mundësi ta bënim: gjithmonë janë shitur krerët te fqinjët, dhe kanë zhvatur shqiptarët.
l.Gabimi…
Abuzuesit; gënjeshtarët dhe shitësi e interesave kombëtare kanë bllokuar gjithçka në Shqipëri, dhe, në 20 vjet rresht, po sundojnë duke abuzuar ligsht mbi shqiptarët.
A ka një shpjegim kjo? Natyrisht qenka – i pari shpjegim është paaftësia e shoqërisë shqiptare; nga e cila në këta 20 vjet nuk përjashtohet askush. Ky ishte një gabim i madh historik i të gjithëve, i tërë shoqërisë shqiptare. Por i ndryshëm nga komunizmi, i cili realisht ka qenë një gjëmë historike që iu imponua shoqërisë shqiptare me vrasje, terror dhe zjarr; ky i sotmi ishte një proces jashtë frikës dhe i pranueshëm nga gabimi shoqëror, si besim fëminor në fillim, dhe më pas si interes abstrakt kundrejt partive politike që u drejtuan nga banda të inkriminuara.
Gjithsesi tani e dinë të gjithë se gabimi është i vetë shqiptarëve; që u hodhën me pasion drejt gënjeshtrës, por a e kanë kuptuar tani?
Në fakt janë të shumtë ata që po presin pastrimin e madh të krimit me ndihmë të politikës amerikane. Kjo është realisht një shenjë e mirë; por ndërkaq shihet ngritja e madhe e tensionit të të gjithë korrupsionit.
ll.
Naivitet dhe mediokritet.
Të gjithë të korruptuarit e mëdhenj janë naivë, por edhe me intelekt nën mesataren për të kuptuar politikën perëndimore të ligjit dhe drejtësisë.
Natyrisht; qëkurse vendosën të vidhnin këta kryeministra, ministra, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që sot janë nën frikën që iu ka errësuar dhe vetë arsyen; duhet ta dinin që kjo kohë do të vinte.
Dhe koha erdhi.
Por kur themi që nuk e kanë kuptuar dot politikën perëndimore, kemi parasysh faktin që, strukturat e brendshme të vendeve të demokracisë së lartë, nuk mund të të fusin në strukturat e tyre, nëse liderët e tu janë të korruptuar.
Por injorantët abuzues shqiptarë këtë që duhej ta dinin që në vitin 1992, nuk po duan ta kuptojnë as sot.
Nuk kanë faj; është fenomen që nuk e kupton dot niveli i provincës shqiptare. Se elitarët e kanë kuptuar mirë ndërkohë.
Në fakt elita e re po pret të drejtojë vendin me ligj dhe drejtësi. Dhe nëse të pavëmendshmit apo skeptikët pyesin se ku është. Përgjigja është e sigurt: këtu janë; do t’i shihni shpejt.
lll.
Të korruptuarit nuk e kuptuan dot politikën amerikane.
Ndërkohë, sigurisht që nga korrupsioni i nivelit të lartë shtetëror po kërkohet destabilizimi i Shqipërisë. Por histeria politike e 20 dhjetorit tregoi që ka shumë pak të gënjyer që mund të vriten për paratë e vjedhura të Saliut, Ramës, Metës dhe Bashës.
Kanë marrë fund. Në fakt kjo është politikë e nivelit të lartë që asnjëri prej këtyre nuk e kupton, madje as edhe të gjithë ministrat dhe drejtorët që kanë abuzuar bashkë me këta, nuk e kuptojnë dot.
Në fakt; niveli i ulët i intelektit; kurrë nuk e beson atë që nuk dëshiron; ose, me nivelin mediokër që ka, mendon se do ta mundë kundërshtarin.
Po pse, vërtet mund të mundin disa shqiptarë të inkriminuar, krejt të paaftë, politikën amerikanë në një vend të interesit të lartë amerikan, ku 97 përqind e popullit është me Amerikën?
Po mirë; këta injorantë, ende nuk duan ta kuptojnë që këtu po luajnë interesa shumë të mëdha të politikës së lartë perëndimore?
Siç duket ende nuk e kanë kuptuar dot luftën e ftohtë të Uashingtonit dhe Moskës në këtë zonë; dhe faktin e qartë që Uashingtoni nuk mund të jetë në aleancë politike me njerëz si këta që shesin gjithçka.
Por, a mund ta shesin edhe sot këta të korruptuar interesin kombëtar në Moskë për të shpëtuar veten?
Pse, o të “vdekur”; vërtet mendoni se edhe ju mund të aktorin me politikën anakronike dhe të pistë të Enver Hoxhës?
lV.
Po ta shohësh me një sy kritik e konstaton menjëherë që këta që po drejtojnë Shqipërinë në dy dekada, janë sjellësit e fatkeqësisë së re shqiptare.
Ja çfarë iu kanë bërë shqiptarëve:
I kanë bllokuar kundrejt çdo zhvillimi.
I kanë dëbuar nga Shqipëria.
I kanë varfëruar deri në ekstrem.
Bëjnë sikur shkojnë drejt Bashkimit Europian, dhe vetë bllokojnë anëtarësimin e Shqipërisë atje.
I kanë vjedhur shqiptarët deri në ekstrem dhe i hodhën edhe në një luftë të nxehtë, sepse nuk hiqnin dorë nga vjedhja në vitin 1997.
Iu kanë bllokuar tregun me klientët e tyre.
Kanë depozituar jashtë shtetit mbi 5 miliardë Dollarë, kur këtu ka shtresa të tëra shoqërore që vuajnë për strehë dhe ushqim.
Kanë futur në drejtimin e shtetit imoralitetin dhe korrupsionin si kulturë që ka zënë vend.
Kanë degraduar gjithçka humane dhe kanë tentuar gjithmonë në përçarjen e shoqërisë.
Kanë shkatërruar me ndërgjegje të plotë të gjithë arsimin shqiptar.
Kanë vrarë në Shqipëri sensin e punës.
Kanë luftuar me histeri intelektuslizmit shqiptar.
Iu kanë imponuar shqiptarëve injorancën si dije; dhe me injorantët i sundojnë dhe i vjedhin.
Nuk kanë lejuar votimin e lirë, dhe kanë krijuar me kast një Parlament injorantësh që i shërben vetë korrupsionit të tmerrshëm të krerëve.
E pra…
Kjo reformë që ka nisur do t’i likuidojë të gjithë këta aspekte të rëndë jetësorë që u janë imponuar shqiptarëve.
Dhe kjo tani është një ndërmarrje e nisur…
Please follow and like us: