Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mbi poezinë “Tirana në dimër” të Ismail Kadaresë

 

Ismail Kadare: Tirana në dimër

Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.
Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.
Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,
Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.

Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja
M’u duk se më kujtonte një premtim.
Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,
I thashë më në fund plot pikëllim.

Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:
Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.
Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,
Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?

S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,
Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.
Dikush nga ne të dy s’është më në botë,
Po cili a cila, këtë s’e di askush.

Një copë herë me shenja morëm e dhamë.
S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.
Gjersa ajo u tret te qelqi i madh
Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.

Kjo poezi është një fragment, është kreu i 6-të, i poemes “Tirana në dimër” (2005) krijimi i fundit poetik publikuar deri me sot nga I. Kadare.
E ka zgjedhur dhe e ka sjellë në Facebook për miqtë e saj Ilnisa Agolli, prozatore, poete, regjizore…
Është një poezi antologjike. Varg njëmbëdhjetërrokësh, formë strofike. Kadareja me kohë u largua nga poezia me vargje te lira, pëlqeu poezinë e zymtë klasike, me inovacione të brendshme, alla Pasternak.

Më poshtë po bëjmë një sprovë leximi, një nga leximet e mundshme të saj.
Mos në ndonjë moment të jetës disa gjëra – dashuria mes të tjerash- mbeten thjesht një premtim? Bie mjegulla, fanitja e të dashurës nga matanë saj. Urat janë prerë. Dhe malli e mundi, moskuptimi dhe akullimi në të dy krahët. Një nga pikëllimet më të mëdha të jetës.
Sa e vështirë do të jetë për ndokënd, për ca e ca që këtë ta shpallin hapur. Sa e vështirë për mua, për ty që të pranosh, në gjallje, se për diçka të tillë si dashuria, je i vdekur? Sa guxim ta thuash… pikëllimin.
Je i vdekur si cilido që nuk mban dot një premtim. I vdekur kur nuk i përmbush ëndrrën një të dashuri/të dashure. Dhe sa forcë… Ç’ forcë prej sovrani që pranon të abdikojë nga zotërimet e tij, të rrëzohet pa kthim nga froni… i jetës. I gjërave më intime e më të thella.

Please follow and like us: