Shqiptari që talli portalet shqiptare: E vërteta për Hajdar K!

Ilaz Hysaj jeton prej 25 vitesh në Francë. Thotë se ka studiuar angiologji, mjekësi vaskulare. “Kohë të gjatë merrem me hulumtime klinike. Merrem edhe me shkrime letrare, tregime, poezi, analiza dhe ese” shkruan Hysaj në profilin e tij në Facebook. Por një shkrim satirik, i shkruar me mjeshtëri dhe humor të hollë duket se do të mbetet shkrimi i tij më i lexuar.

Historia e stërgjyshes së Mark Zuckerberg dhe Hajdar K. Shtimes, të cilën portalet shqiptare e servirën sit ë vërtetë për lexuesit e tyre. Ishin gati 30 portale me mbi 150 mijë klikime, shkruan Ilaz Hysaj në një status të tij në Facebook, që nuk e kuptuan se bëhej fjalë për një trillim.

Një test që tregoi jo vetëm dobësinë tonë për të “shqiptarizuar” njerëzit e famshëm nga e gjithë bota, por edhe një provë e nxitimit të medias online për të arritur tek klikimet.

E vërteta është që letra e Mark Zuckerberg ishte një lojë e Ilaz Hysajt.

“Pikërisht qëllimi i satirës sime ishte të thumboja shqiptarët që besojnë në gënjeshtrën, në mrekullinë dhe që ëndërrojnë se çdo njeri i madh mund të jetë shqiptar. Unë kam dhënë elemente që të kuptohet që është një trill. Në vend të “Washington Post”, unë kam shkruar “Washington port” se sepse nuk dua të manipulojë me burimet. Po ashtu shkruaj “Le mode” për gazetën “Le Monde” dhe “Charlie et Heddo” për “Charlie Hebdo”. Në këtë shkrim thuhet se personazhet kanë lëvizur me një makinë në vitin 1853(?), ndërkohë që makina është zbuluar 50 vjet më vonë dhe flitet për një përkthyese grua shqiptare në kohë të Turqisë. Të gjitha këto i “hëngrën” jo më pak se 30 media shqiptare me mbi 150000 pëlqime dhe klikime të panumërta”, ka thënë Ilaz Hysaj në një intervistë për Anabel.