Albspirit

Media/News/Publishing

Diaspora merr një televizion dhe titullin e madh

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për diasporën” ku detajohen rregullat dhe kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën. Projektligji parashikon ndër të tjera krijimin e Qendrave Kulturore për Diasporën që do të ushtrojnë veprimtarinë në vendet me interes për diasporën e Republikës së Shqipërisë të cilat do të hapen në marrëveshje me këto vende.

Po ashtu parashikohet që në Muzeun Historik Kombëtar të themelohet një pavion i veçantë për diasporën ndërsa Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, do të mundësojë aksesin në fondin e librave on-line, pa pagesë, për edukimin dhe letërsinë, dedikuar interesave të diasporës.

Ndërkohë, Radio-Televizioni Shqiptar do të sigurojë një kanal transmetimi me program radioteleviziv për diasporën. Shpenzimet për prodhimin e programeve të dedikuara për diasporën dhe transmetimin do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës do të akordohet çmimi “Ambasador i Kombit”. Kriteret dhe mënyra e ndarjes së çmimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, data 18 dhjetor caktohet si Dita Kombëtare e Diasporës.

Please follow and like us: