Ibrahim Vasjari: Një buqetë lulesh për ata ‘’jashtë varrezave’’

Babait

-baladë –

Ti nuk ke varr…
Ti thellë vdekjes endesh.
Pa arkivol, pa rrasë, pa gur, pa ritual.
Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes,
Mbi ç’kalë do hipje, si do vije vallë?!

Ti nuk ke varr…
Ashtu, përgjakur plumbash,
Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.
Rreth meje retë nxinin përzisht si në balada
Dhe korbat krokërinin…Ç’llahtari!

Ti nuk ke varr…
Dhe korbat të kërkonin.
Kafshonin thellë meje për të të gjetur ty.
Një vaj i largët vinte përmallshëm nga baladat
Kur korbat hanin vetulla e sy.

Si të varros?!
S’mund të të shkul nga gjoksi.
Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.
Dosjet e kuadrit, plagët, përgjimet bashkë i kemi.
Gjersa të dy të flemë në qetësi.

Kur vritej prifti

– elegji për At Gjergj Sulin –

T’u fanit një kishë e largët.
Bëre kryq e re në gjunjë.
Atë çast t’u çlodhën plagët
E t’u mbushën sytë me gjumë.
Atë çast, tek falnin meshën,
Nën kambana të pafund,
Re në paqë e dhimbjet reshtën.
Nuk e ndjeve atë plumb.

Nëpër natën e përgjakët,
Shkurret ndritën si shandanë.
Për qirinj t’u ndezën plagët.
Qielli t’u bë kambanë.