Albspirit

Media/News/Publishing

Emrat e Shoqërisë Civile/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kuvendi përmbys listën e ONM

Kuvendi ka mbyllur shqyrtimin e kandidaturave të Shoqërisë Civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke përmbysur vlerësimin e ONM-së për katër kandidatët në garë.
Sipas vlerësimit të Kuvendit, kandidatët të cilët mbeten në garë janë Alfred Balla i vlerësuar me 80 pikë, Andi Muratej – 79 pikë dhe Mimoza Qinami – 78 pikë, ndërsa është përjashtuar kandidatja Entela Hoxhaj. Ndërkohë, në listën e ONM-së e përmbyllur tre ditë më parë, Hoxhaj renditej e para me 80 pikë, ndërsa Alfred Balla i vlerësuar maksimalish nga Kuvendi, në rekomandimin e ONM ishte i fundit me 69 pikë.

Vlerësimi i Kuvendit
Sipas njoftimit të Kuvendit shqyrtimi është mbyllur brenda afateve ligjore të përcaktuara në nenin 35 pika 9 të ligjit 115/2016. Në këtë mënyrë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ka përfunduar raportin e tij të vlerësimit lidhur me 15 kandidaturat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e Shoqërisë Civile duke u bazuar në përcaktimet ligjore sipas neneve 35, 132, 152, 154, 156 dhe 287 të ligjit 115/2016.

Ky raport së bashku me listën e kandidatëve të kualifikuar dhe listën e kandidatëve të skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, si dhe dokumentacioni për secilin kandidat i është dërguar po sot dt.15.1.2018 Komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend.

Gjithashtu në zbatim të pikës 4 të nenit 287 të ligjit 115/2016 Komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend i është vënë në dispozicion edhe kopje e raportit të ONM për vlerësimin e kandidatëve për KLP nga shoqëria civile së bashku me dy listat e hartuara prej tij sipas kërkesave të pikës 3 të nenit 287 të ligjit 115/2016.

Kandidatët sipas vlerësimit të Kuvendit:

Alfred Balla – 80 pikë

Andi Muratej – 79 pikë

Mimoza Qinami – 78 pikë

Përjashtohet Entela Hoxhaj për mospërmbushje të kushteve ligjore

Rekomandimi i ONM: 

Entela Baci (Hoxhaj) – 81 pikë

Andi Muratej – 79.5 pikë

Mimoza Qinami – 79 pikë

Alfred Balla – 69 pikë

Please follow and like us: