Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta poeti dhe profesori, Basri Çapriqi

 

Poeti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi, ka ndërruar jetë të dielën, në moshën 58-vjeçare. Varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën, në Prishtinë.​

Lajmin për vdekjen e profesorit e ka bërë të ditur Familja Çapriqi për Gazetën Express.

Çapriqi vuante nga një sëmundje e rëndë. Për një kohë është trajtuar në Turqi, ndërsa para pak ditësh është shtrirë në Spitalin Amerikan në Kosovë, ku edhe ka ndërruar jetë sot pasdite.

Çapriqi ishte lindur më 15.01.1960, në Anë të Malit, Ulqin. Ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijë.

Çapriqi ishte profesor i Letersisë Shqipe, Gazetarisë, Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare në Universitetin e Prishtinës.

I ndjeri ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka udhëhequr PEN Qendrën e Kosovës, dhe ka botuar më shumë se 100 studime e artikuj nëpër revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendi.

Është përfshirë në dhjetra antologji të poezisë në gjuhë të huaja (polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frengjisht, arabisht, japonisht, koreane).

 

Statusi i Milazim Krasniqit

Miku ynë i shtrenjtë, Basri Çapriqi, u nda prej kësaj jete sonte, një ditë para se të mbushte 58 vjet. Basriu ishte mik i mirë, poet i shkëlqyeshëm, mësimdhënës universitar pedant, njëri nga themeluesit e LDK-së, kryetar i PEN-it të Kosovës. Basriu ishte bashkëshort dhe prind i përkushtuar. Pas vetes la një emër të mirë, një vepër të mirë dhe shumë zbrazëti tek familjarët dhe miqtë e tij. Të gjithë neve na mbetet të jetojmë me kujtimet e mira për këtë mik të shtrenjtë! Lus Zotin Mëshirëplotë ta radhis në mesin e njerëzve të mirë edhe në botën e përjetshme.

 

Please follow and like us: