Albspirit

Media/News/Publishing

Irini Qirjako: Edhe në ëndërr këndoj, kënga polifonike labe është jeta ime

Bashkim Koçi

Irini Qirjako ka lindur në fshatin Finiq të Delvinës. Ajo  është një nga emrat e shquar të këngës popullore e veçanërisht asaj polifonike labe, një ndër këngëtaret më të suksesshme, me një karrierë të gjatë prej më shumë se tre dekadash, një  zë i artë, por edhe  veprimtare e shquar. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme në Liceun Artistik në Tiranë dhe më pas vazhdoi shkollën e lartë në Akademinë e Arteve. Është një muzikante shumë e formuar, por veç kësaj është edhe pasioni i saj i brendshëm që e larton në këtë rrugë të bukur. Ajo është vlerësuar me disa çmime si interpretuese e jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit.

Artistit të Popullit Çesk Zadeja e ka cilësuar Irini Qirjakon një vokal të xhevahirtë, me timbrikë të veçantë, që gjendet rrallë, shumë rrallë dhe  sikur ka lindur enkas për këngën epike të Labërisë.

Ajo ka marrë titullin “Qytetare Nderi” nga bashkia e Sarandës, “Mirënjohje e Labërisë” nga Shoqata “Labëria” dhe gëzon titullin “Mjeshtre e Madhe”.

-Tashmë, zonja Irini, kini arritur moshën e një ndërtese “qiellgërvishtëse”. Të shkon mendja të thuash: “O vite të lumtura! Sa  do të doja të bëhesha edhe një herë fëmijë!” Si e kujtoni fëmijërinë?

-Shumë herë humbas e zhytem në kujtime, duke menduar të kaluarën, vitet e fëmijërisë.

Gjithçka ishte kaq e thjeshtë, ku na mjaftonte pak për të qenë të lumtur. Ato vite ku në

fytyrat tona të padjallëzuara, letër e pashkruar, mbizotëronte buzëqeshja. S’e njihnim ç’ ish vuajtja, ç’ishin të përpjetat që na prisnin në jetë. Kisha dëshirë të nxitoja për t’u rritur shpejt, pa e ditur se sa e komplikuar do kishte qenë jeta më vonë, pa e ditur se sa përgjegjësi na prisnin dhe sa net do të mbeteshim pa gjumë.

Eh, fëmijëria! Çfarë nuk do të jepja për t’u kthyer serish mbrapa, në ato vite të pafajësisë, të lumturisë, të thjeshtësisë, ku bota ishte në duart tona, ku jeta dukej si një parajsë e vërtetë.

-Kjo nostalgji për fëmijërinë, ky rënkim i shpirtit. Lidhet me rrugën tënde për t’u bërë këngëtare, një këngëtare e famshme?

-Lidhet, madje shumë. Qysh fëmijë kam qenë e pasionuar, e dashuruar pas këngës. Kur isha fëmijë kam qenë një natyrë shumë impulsive, shumë e përkëdhelur. Kam ende nostalgji për çapkënllëqet e mia. Mbaj mend që këndoja, ashtu e shkujdesur, nëpër shtëpi. Kur isha vetëm 5 vjeç kam dhënë “koncertin” e parë solistik. Aty tek oborri i shtëpisë. Në klasën e parë të shkollës fillore më zbuluan se kisha prirje për të kënduar, se “kisha vesh për muzikë”. Mësuesi im i dashur, i ndjeri Petro Kurti, u mrekullua kur  dëgjoi për herë të parë në klasë, duke kënduar me shoqen time këngën “Më dërgoi babai me shqerra”. Klasa ishte në qetësi absolute -ndërsa mësuesi pyeti.”Ju pëlqeu”? Nxënësit brohoritën në një zë “Poooo”!…

-Babai të paska “dërguar me shqerra”, por, nese mund të më thuash, donin prindërit, kujdeseshin ata që ti të aktivizoheshe, të ndiqje këngën kur të jepej rasti?

-Unë kam patur dy prindër të mrekullueshëm. Dhe, meqë ra fjala, dëshiroj të them se ata ishin që të dy minoritarë. Fshati nga kam origjinën është Finiqi i Delvinës, është fshat minoritar. Por ky fakt nuk më ka penguar kurrë, nuk ka qenë asnjëherë pengesë për të kënduar shqip. Të parët që më kanë mëkuar këtë dashuri janë babai dhe nëna. Më mbanin afër. Babai më mbante në krahët e tij edhe kur këndonte. Më ka dashur shumë. Madje nga vokali i kam ngjarë babait, i cili ka një zë brilant, zë kumbues, shumë melodioz dhe një vesh absolut. Kishte pathos në këngë. Kishte më të preferuar këngën e mërgimtarit. E këndoja edhe unë se më kishte emocionuar pamasë. Kur isha e vogël  babai më shpuri një ditë në Butrint me skaf.  Për të më nxjerrë frikën, që ta mësoja shpejt notin, më hodhi në liqen. Nuk u trema fare. Edhe sot e kësaj ditë kam raporte të shkëlqyera me ujin, me atë të detit sidomos. E përfytyroj ende atë udhëtim magjik dhe mrekullohem.

Këndoja shumë kur isha fëmijë. Më dëgjonin komshinjtë dhe kërkonin  t’ua përsërisja  edhe njëherë këngën.  Mbaj mend kur një fqinjë i tha mamasë: ”Dhimitrulla, Irini do të bëhet këngëtare…o zot çfarë zëri që ka…sa bukur këndon.”

-E pastaj?

– Dikur kisha frikë se njerëzit do të thoshin: E cila mendon se është ajo? Tani kam kurajën të ngrihem e të them: Kjo jam unë! Sepse jam kjo që jam në saje të një pune të jashtëzakonshme, e kryer e gjitha më dashuri të madhe. Shumë të madhe, e pazakontë. Këtu kam parasysh të gjitha shkallët që kam ngjitur, nga e para deri tek e fundit, këtu ku jam sot. E fillova me ”spektatorin” e lagjes, u ngjita në festivalin e shkollës me asamble, kore, deri në festivalin e rrethit të Sarandës.  Me nostalgji  kujtoj Festivalin e pionierëve të vitit 1962-1963 në të cilin u vlerësova për herë të parë si soliste. Aty pashë për herë të parë dritëzën e shpresës për të ardhmen. Më pas, kur familja ime u vendos në Sarandë, veprimtaria muzikore në pallatin e pionierëve më  përfshiu të tërën. Aty qëndrova deri në moshën 14 vjeç sepse pastaj nuk po kërkoja unë këngën, por kënga mua.

-Si e përjeton Irini Qirjako kur themi: Artisti i vërtetë duhet të jetë i lidhur me jetën, sidomos me popullin. Janë kaq vite që këndoni, që interpretoni mrekullisht këngën polifonike. Mendoni se kini çuar dritë tek zemrat e  njerëzve, se ua kini bërë jetën më optimiste?

-Kënga polifonike për mua është diçka e shenjtë, e pastër, autoktone, origjinale, pa sajesa. Unë e adhuroj këngën polifonike, jo vetëm për muzikalitetin e veçantë të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart. Këngën polifonike e kam këngën e nënës, me atë jam rritur. Unë jetoj me këngën polifonike, e bëj pjesë të shpirtit tim. Jam përpjekur të përcjell dashurinë dhe përkushtimin tim ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit me gjithë forcën e shpirtit. Kur e këndon këngën në burim, merr edhe freskinë dhe pasurinë e saj.

Detyra e parë për një këngëtar është mbledhja e nektarit shpirtëror të popullit, tejngopja me emocionet e tij, me shpirtin e tij. Përtej modestisë më duhet të them se bashkë me disa këngëtarë të grupit polifonik kemi shëtitur nëpër fshatra të Labërisë, të Lunxhërisë e gjetkë, për të njohur vokalet e artistëve popullorë, meloditë popullore, të zhyteshim në gurrën e popullit. Me Hysni Zelën, Xhemal Laçin, Panajot Kanaçin etj. Vetëm për një këngë apo valle i kemi rënë Shqipërisë anë e mbanë, cep më cep.  Kishte një këngë të bukur të Stavri Nasit në Zagori, për shembull, niseshim e studionim mirë. Në këto ekspedita  këndonim te rrapi i fshatit, në ara, ku punonin fshatarët, ose në vatrën e kulturës me këngëtarë të rastit. E di përse e bënim këtë? Për t’u ballafaquar nga afër me popullin nga ku merrnim, si në gurrë, artin, vërejtjet dhe aprovimet e tij. Më vjen mirë kur vërej se kënga polifonike është ngritur në art, në origjinalitetin e polifonisë së Jugut.

Kur këndoj polifoninë ndihem si labe. S’kam përse të mos them që ajo më ka dhënë emrin në Shqipëri e në Botë. Aty jam duartrokitur si shumë artiste me emër. E dashuroj skenën, është shtëpia ime ku gjej lumturi, dashuri, çlodhje. Në të gjej gjithçka. Edhe në ëndërr këndoj. Ajo është jeta ime. Më duket se nuk do të ndahem kurrë nga kënga popullore, nga polifonia labe. Nuk lodhem kurrë. Vëmendja dhe admirimi i spektatorëve më detyrojnë të nxjerr shpirtin kur interpretoj. Për spektatorin shqiptar kam shumë përgjegjësi, para atij u bëra artiste.

– Specialistët thonë se Irini Qirjako  për polifoninë ka vendosur një standard që ende nuk mund të arrihet. E vërtetë?

-Polifonia është vlerë universale e shpirtit të popullit. Kjo vlerë universale e muzikës botërore e të tradicioneve të popujve të lashtë,  është pjesë edhe popullit shqiptar. Nuk kam ndërmend të bëj leksion, por polifonia  popullore shqiptare bën pjesë në atë panteon vlerash, popujt  e të cilave nuk janë të shumtë që ta kenë privilegjin në një rrafsh botëror.  Polifonia popullore shqiptare mbetet pika më e lartë e referencave të vlerave. Ajo është origjinale, autoktone, janë të lashta, të patjetërsueshme, të patrazueshme të pangatërrueshme, shqipfolëse me tinguj, shqipfolëse me gjuhë shqiptare, e që sido t’ia tjetërsojnë, apo trazojnë pa dashje a  me dashje emërtesën, me lloj- lloj “iso –polifonirash”, ajo mbetet e thjeshtë dhe e bukur: Polifonia popullore shqiptare. Unë e dashuroj këtë të thjeshtë, këtë bukuri. Ndoshta kjo forcë e brendshme, e padukshme, më ka sjellë të vendos këtë standard që kam sot. Për këtë gjë ndjehem shumë e lumtur.

-Sa barrë e rëndë është një emër që është bërë shumë i famshëm, ka thënë Volteri. Si e kuptoni, a e kini ndjerë rëndesën e të qenit e famshme zonja Irini? Ndonjë moment, ndonjë çast që jeni ndjerë vërtet krenare, duke menduar se brohoritjet, duartrokitjet janë nxitje për njerëz fisnikë, siç janë shqiptarët.

– Çaste të tillë janë të panumërt, por gjej rastin të sjell në këtë intervistë atë çka na ngjau në një vend jashtë shtetit, në Korsikë. Ishim të ftuar në një festival të polifonisë. Ishte fill pas trazirave  të vitit ’97. Menaxherja franceze, madamauzel Frasuazë Soavy, na priti në Paris. Isha bashkë me përgjegjësen e grupit artistik, pianisten e mirënjohur Margarita Kristidhi. Mbërritëm në Korsikë dhe atje u bashkuam me 7 artistët e tjerë të grupit polifonik. Informuar nga kanalet televizive, për gjendjen e rrëmujshme në Shqipëri, pritja ishte injoruese, si nga vendasit ashtu edhe nga artistët e vendeve të tjera. U hutuam, u deziluzionuam! S’kishte ndodhur ndonjëherë që artistët shqiptarë të priteshin në këtë mënyrë në koncertet e tyre jashtë shtetit! Rastisi që atë ditë të isha shumë keq me grykën, kisha djegje, dhimbje që më shqetësuan shumë. Do të mjaftonin të dy këta faktorë negativ para koncertiti  për të parashikuar dështimin tonë.

 

Madamauzel Fransuaza interesohej vazhdimisht me një shurup të veçantë, për të më stabilizuar grykën. Isha shumë e acaruar, më tepër nga mospërfillja e organizatorëve dhe artistëve, që nuk arrinin të na kuptonin! Ne prag të koncertit Fransuaza bëri një ndërhyrje psikologjike: “Kam lexuar se shqiptarët me këngën polifonike kanë kapërcyer sëmundje të vështira, madje kanë përballuar edhe operacione të krahut pa narkozë. Në marrjen e dytë ose të tretë çuditërisht i gjithë organizmi juaj mobilizohet, duke përballuar çdo sëmundje apo brengë. Unë do t’ju lutesha, që kësaj mospërfilljeje dhe injorimi, ju t’i kundërvini artin tuaj polifonik që asnjë nga grupet pjesëmarrëse në festival, nuk e zotëron. Tregojuni atyre se arti juaj është i bukur dhe nuk ka asgjë të përbashkët me rrëmujën që kanë parë në media”.

Ç’do të më thoshte më tepër një diplomat, apo psikolog i vendit tim? Ishin 30 minuta program vetëm me tetë këngëtarë! Shumica e këngëve do të këndoheshin polifoni, ndërsa unë kisha peshën kryesore. Nuk di, nëse ma stabilizuan fytin dhe ma sollën zërin e kthjellët ilaçet e Fransuazës, apo vetë zoti! Filloi koncerti nën një mërmërimë ngacmuese dhe zhurme të bezdisshme që më nervozonte. Nuk bëhej fjalë për duartrokitje, siç ndodh zakonisht në raste festivalesh ndërkombëtare. Sa fillova këngën “Janinës çi panë sytë”, i dhashë zërit disa dridhje dhe kalime vibrato, që dilnin nga poshtë gjoksit si nga një shpellë e fundosur dhe ngrihej e fuqishme si për ta theksuar tragjiken, përthyer përmes elegjisë që përmbante kënga. Kthimi, që ngjitej një oktavë më lartë dhe isoja e trishtuar që e mbështillte melodinë e vajtueshme si një brengë njerëzore që këndohej përmbi një shpat mali, sollën një harmonizim të përsosur. Spektatorët kishin heshtur, zhurma pushoi. Një heshtje e plot sundoi sheshin, indiferentizmi ishte kthyer në interesim, vëmendja u rikthye. Pa lënë shteg për zhurmë fillova këngën e Hormovës; “Flaka mori fshanë”.  Në fund të marrjes së parë shpërthyen duartrokitjet, ishin si ai vullkani që shpërthen grykën e kraterit dhe llava s’pushonte më. Në këngën “Mbeçë more shokë mbeçë”, të “Artistit të Popullit” Demir Zyko, i gjithë sheshi u ngrit në këmbë, dhe unë interpretoja duke qarë, krejtësisht duke qarë. Përjetoja një ndjeshmëri të rrallë të këngës, jo më tepër nga dhimbja që zotëronte melodia e këngës, sesa nga gëzimi që kishim mposhtur një neglizhencë, një injorim të padrejtë të kulturës së vendit tonë. I përdridhja oioi-të e xha Demirit, si të ishin thirrje që dilnin nga një shpirt i brengosur. Ishte përmbysur gjithçka, ovacionet dhe duartrokitjet s’ndalonin…Të gjithë në shesh bërtisnin: “Manifik”, e hatashme, e mrekullueshme, e magjishme!

-Po ju si reagonit?

-Ç’të bënim, ndjeheshim të shushatur, të habitur. Duke kaluar përmes spektatorëve për të shkuar në ballkonin tonë, njerëzit më kapnin dhe më puthnin dorën. Thashë se më shkulën krahun, më kapnin tre katër njerëz njëherësh. Mezi kaluam përmes sheshit për të shkuar aty ku na ishte caktuar vendi për të qëndruar. Besoj se për çka tregova janë që të gjitha brenda. Dhe ndërsa e lëmë dritën tonë të shndrijë, ne me vetëdije u japim të tjerëve lejë të bëjnë të njëjtën gjë. Teksa çlirohemi nga frika jonë, prania jonë automatikisht çliron të tjerët. E prekëm, e pamë me sytë tanë në Korsikë.

– Kini shëtitur shumë vende të botës si Turqi, Francë, Itali e gjetkë. Mesa kam informacion në Francë kini qenë rreth 25 herë…

-Në Francë  kam dhënë plot 27 koncerte. Të gjithë, absolutisht të gjithë kanë arritur sukses të padiskutueshëm. Dhe ku, në Francë ku konkurrenca është shumë e madhe. Aty hyjnë jo më pak se 400 grupe artistike në vit. Është thënë e stërthënë suksesi i Ansamblit të Këngëve e Valleve në Dizhon, në vitin 1981. Ka qenë sukses i paparë. Aty kam parë francezë që qanin ngaqë ishin prekur emocionalisht. Kemi dhënë koncert edhe në vitin 1994 me grupin polifonik “Tirana”. Mijëra francezë, që nga Langon e deri në Briançonais, thellë në Alpe, e bashkë me ata edhe turistë të huaj në Kanë e gjetkë, janë mahnitur me polifoninë shqiptare. Një gazetë franceze në ato ditë shkruante: ”Grupi shqiptar vallëzon si një yllësi”

Në vitin 1983, Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore bëri një turne në Gjermani, në Mynih. Ka qenë një  turne shumë mbresëlënës.  Aty u binda se sa vlera të jashtëzakonshme kanë këngët tona polifonike. Në vitin 1985 bëmë një turne shumë të sukseshëm edhe në Itali, në Milano, në sallën e teatrit “Skala”. Mbaj mend që pas koncertit na afroheshin qytetarë, duke na komplimentuar: jini të mahnitshëm! Po kaq mbresa kemi lënë edhe në Turqi e Greqi. Madje në Greqi mbaj mend diçka, gati të pabesueshme. Ndërsa u nisa për në Prevezë për të kaluar pushimet, përfundova në salla koncertesh për të kënduar. Ma kishin dëgjuar zënë. Një herë tjetër shkova në Korfuz. Duke bërë banjë në det ia kisha marrë këngës, ashtu në qejfin tim. Pranë ishin disa turistë danezë. Ndërsa unë vazhdoja të isha në botën time, ata më dëgjonin sy e vesh. Ndoshta ishin  mahnitur nga zëri im kumbues, ndaj kur dolën në breg po më prisnin sa të dilja nga deti  për të më përshëndetur. Për çka po të them kam fakte të panumërt, por po e lë me kaq.

-Pas viteve ’90 shumë njerëz të artit si aktorë, këngëtarë, sportistë etj. u larguan  nga vendi, në perëndim, për një jetë më të mirë. Kam dëgjuar se për Irini Qirjakon një dimër në atdhe është më i ëmbël se njëqind pranvera në dhe të huaj. Është e vërtetë?

– Është shumë e vërtetë. Për mua, Irini Qirjakon, nuk do të ketë rast, nuk do të gjejë vend kurrë “pazari” për të ndërruar vendin tim, Shqipërinë, me ndonjë vend tjetër. Nuk do të bëjë kurrë vaki. Më janë ofruar me dhjetëra raste për të lidhur kontrata me specialistë apo grupe të huaja, por unë në të gjitha rastet i kam refuzuar. Në vitin 1982, kur bëmë turneun e parë në Greqi, pas koncertit, mu qepën disa specialistë muzike. Mu shprehën hapur, troç: ”Rri këtu, zëri yt do të bëjë milionere.”  Edhe unë iu përgjigja troç: Jo, misioni im është të përhap nëpër skenat e botës këngën popullore të Kombit Tim.

-Ju këndoni aq bukur këngën “Çfarë po bën moj Marigo”. Unë dëshiroj të pyes: Çfarë po bën moj Irini, me ç’këngë të re do të na i gëzosh shpirtin?

– Për herë të parë “…Marigonë” e kam kënduar  në vitin 1985. Kjo këngë ka një ndjeshmëri të rrallë, një harmoni perfekte, muzika ecën  valë-valë si puhizë që të freskon shpirtin. E kam të veçantë këtë këngë. Ç’po qëndis moj Marigo/Nën qerpik të syrit-o! Është vërtet këngë që ma nxjerr zërin nga shpirti, nga gëzimi, nga trishtimi. Ju kërkoni ç’po “qëndis” Irini Qirjako? Qëndismat e mia janë pa fund,  janë koncertet që nuk i lënë radhë njëri-tjetrit. Sa të rroj.

– Kur isha 5 vjeç, thoshte muzikanti dhe këngëtari i madh John Lennon,  mamaja më thoshte që lumturia ishte kyçi i jetës. Kur shkoja në shkollë, vazhdon ai, më pyetën se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Dhe unë përgjigjesha:“të jem i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kuptonin përgjigjen, ndërsa unë u thashë që ata nuk kuptonin jetën. Po Irini Qirjako, përveç se këngëtare e madhe, a është bërë e lumtur?

– Sipas meje në jetë duhet të jesh e suksesshme dhe suksesi është të marrësh atë që do. Unë e kam marrë atë që dua. Ndërsa  lumturia është diçka tjetër:  të duash atë që merr. Dhe unë e dua atë që kam marrë./Dita/

Please follow and like us: