Albspirit

Media/News/Publishing

“Stop Soros”, ligj i ri kundër NGO-ve në Hungari

Armiku i preferuar i kryeministrit hungarez Viktor Orban quhet George Soros. Sipas pikëpamjes së Orbanit, miliarderi i SHBA me origjinë hungareze e hebreje ka në plan që të shkatërrojë kulturën e krishterë të Evropës dhe të shkatërrojë kombet evropiane. Për këtë synim sipas Orbanit, Sorosi mbështet invazionin e kontinentit nga miliona migrantë myslimanë. “Plani Soros” kështu e quan kryeministri hungarez projektin e supozuar.

Tani qeveria e Hungarisë shkon edhe një hap më tej: ajo do të miratojë një të ashtuquajtur paketë ligjore “Stop-Soros”, siç bëri të ditur të mërkurën në Budapest ministri i Brendshëm, Sandor Pinter.

Taksa ndëshkuese, detyrim për regjistrim dhe ndalim hyrjeje për kritikët

Paketa ligjore e qeverisë drejtohet kundër organizatave të shoqërisë civile (NGO) – një nga instancat e fundit funksionuese të kontrollit të pushtetit në Hungari. Ajo përbëhet nga tri përcaktime:

– Të gjitha NGO-të, të cilat kontribuojnë në ndonjë formë për “migrimin ilegal” duhet të regjistrohen në gjykatë dhe të paraqesin rregullisht raporte për aktivitetin e tyre.

– NGO-të që kanë të bëjnë me “migrim ilegal” dhe që marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre nga bota e jashtme, duhet të paguajnë për këto të ardhura një taksë ndëshkuese prej 25 përqind.

– Qytetarëve hungarezë, të cilët dyshohen se e mbështesin “migrimin ilegal”, mund t’u ndalohet hyrja në një shirit prej tetë kilometrash në kufirin e jashtëm të Shengenit; qytetarëve të huaj, të cilët janë nën të njëjtin dyshim, mund t’u ndalohet hyrja në Hungari.

Please follow and like us: