Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja e Mao Ce Dunit, lajmi u kap nga radiozbulimi ynë

Vinte në detyrë duke zëvendësuar drejtuesin legjendë të Zbulimit Ushtarak, Andon Shetin. Këtë shërbim, kohë më parë e kishte drejtuar vetë Kadri Hazbiu. Ndërsa Eqerem Osmëni do të qëndronte në krye të këtij pozicioni delikat për të paktën 6 vjet me radhë. Ekipi i oficerëve që drejtonin zbulimin, ishin të shkolluar mirë, kishin kaluar një test inteligjence maksimal e kishin të paktën nga dy gjuhë të huaja në veprim. Pjesa tjetër kishte të bënte me përvetësimin e teknikës bashkëkohore. Eqerem Osmëni, për “Shekullin” rrëfen detaje nga jeta e tij në krye të Zbulimit Ushtarak:
Si e morët detyrën e Drejtorit të Zbulimit?
Në korrik 1974 përfundova Akademinë Ushtarake. Në 1 shtator m’u komunikua detyra: shkoja në dispozicion të grupimit të Elbasanit. Por në 12 dhjetor ‘74 më thërrasin sërish në MM. Salla e kolegjiumit të Ministrisë ishte mbushur plot, me drejtorët e drejtorive, komandantët e korpuseve e kuadro të larta të ushtrisë. Hyri Mehmet Shehu i cili pa humbur kohë hapi dosjen dhe lexoi se përveç detyrës si kryeministër ngarkohej dhe me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Më tej ai foli për punën armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e të tjerëve. Në vijim tha: Byroja Politike e KQPPSH, vendosi: Të shkarkoj nga detyra e të lirojë nga ushtria me motivacionin “Të padenjë për të shërbyer në radhët e FA të RSH personat: Muhamet Prodani, Andon Sheti, Nikollaq Sallabanda, Todi Naço, Abaz Fejzo, Kiço, Janku, Vaskë Gjino. Lirohen nga detyra: Muharrem Kokomani, Luto Haxhiu dhe Faik Take. Ata që dëgjuan emrat të dalin jashtë e të na lenë të punojmë”. Todi Naço duke dalë tha “Të rrojë partia”. Por Mehmeti ia ktheu “Todi, dil jashtë, ti kurrë se ke dashur Partinë, prandaj nuk ke vepruar si të ka mësuar ajo”. Pastaj Mehmet Shehu lexoi vendimin e Byrosë Politike për emërimet e reja ku unë merrja postin e Drejtorit të Zbulimit Ushtarak.
Si ua dorëzoi detyrën paraardhësi juaj, Andon Sheti?
Të nesërmen shkova në rezidencën e Drejtorisë së Zbulimit që ishte vendosur në territorin e Pallatit të Brigadave. Kur hyra në zyrën e drejtorit, Andon Sheti u ngritë në këmbë, më pyeti për shëndetin dhe më uroi suksese në detyrë. Pastaj më dorëzoi detyrën. Andon Sheti u nda i përlotur nga efektivi prej 30 vetash që kishte drejtoria. Duhet të them se detyrën e drejtorit të Zbulimit e mora në një kohë tepër të vështirë, ku gjithandej flitej për një punë të madhe në dëm të Partisë, sidomos në ushtri. E ndjeva të nevojshme të punoja e flija në zyrë. Pas 6-muajsh tërhoqa familjen në Tiranë.
Keni raportuar para Enver Hoxhës?
Padyshim. Në shkurt 1975 punuam për të përgatitur një raport mbi gjendjen e shërbimit të Zbulimit Ushtarak, për në Këshillin e Mbrojtjes. Në 25 maj ’75, bashkë me Shefin e Shtabit, Veli Llakaj, e drejtorët Hajrullah Muhametaj e Gaqo Pojani u mblodhëm para godinës së KQ. Në orën 10.00 Haxhi Kroi shefi i kabinetit të Enver Hoxhës na ftoi të futeshim në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Mbrojtjes. Komandanti i Përgjithshëm na priti me mjaft përzemërsi. Në tavolinë kishin zënë vendet të gjithë anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes ku ishte Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu. Enveri tha: Po e fillojmë me Hajrullain e pastaj me Gaqon dhe kur të largohen këta do dëgjojmë drejtorin e Zbulimit”. Kur më erdhi radha raportova në mënyrë të përmbledhur. Enver Hoxha e vlerësoi raportin tim. Ai porositi që të mos zihemi në befasi nga kundërshtari dhe vuri në dukje kujdesin që duhet të tregonim në përzgjedhjen e kuadrit. Porositi që të shikoheshin me përparësi kërkesat tona për pajisjen me teknikë të radiozbulimit. I vetmi që foli pas Enverit ishte Mehmet Shehu që gjithashtu e vlerësoi punën e zbulimit.
A keni pasur ndonjë mosmarrëveshje pune me Mehmet Shehun?
Më kujtohet që nga drejtoria u kërkua ngritja e shërbimeve të reja, kryesisht shërbim teknik në disa shtetet si Jugosllavia, Greqia, Italia, Bullgaria, Hungaria. Ky shërbim sipas nesh duhej të ngrihej dhe në transportin detar. Përgatitëm kërkesat me shkrim dhe unë vetë mora guximin t’ia dorëzoja dorazi Mehmet Shehut, zarfin me shënimin “Tepër Sekret”. Pas disa orësh ai më thirri në zyrë. Pa më thënë të ulesha më hodhi rrëshqanthi mbi tavolinë materialin e tha: “Nuk bëhen kollaj këto punë”. U detyrova t’i them se koha do tregonte se këto shërbime do të ishin të domosdoshme. Të nesërmen përmes telefonit më kërkoi t’ia çoja sërish materialin në zyrë. Më dëgjoi dhe një herë me kujdes dhe më tha se këtë punë do ta bisedonte dhe me shokun Enver. Pas 5 ditësh më njoftoi se propozimi ynë ishte miratuar. Në gjithë periudhën time 6-vjeçare në detyrën e Drejtorit të Zbulimit Ushtarak, kam pasur fatin të punoj me Mehmet Shehun. Për mua si ushtarak ai mbetet një strateg i madh e një teoricien i Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore, jo vetëm për kohën e tij.
Cila ishte teknika me të cilën punonte radiozbulimi?
Një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen ishte krijimi i zbulimit elektronik. Vitet 1965-1975 u njohën si vitet e zgjerimit të shërbimit e zbulimit elektronik. U ngritën pika në skalionin e parë të mbrojtjes së vendit. Zgjerimi i dytë do të ishte ai teknik nëpërmjet kanalit ushtarak me aleatin e asaj kohe, Kinën. Në vitin 1966 në repartin ushtarak 2908 në Tiranë u ngrit Qendra e Pelengimit. Pika pelengatore u vendosen dhe në Sarandë e Shkodër. Me teknikën që u vendos u bë i mundur përcaktimi i komandave dhe i shtabeve, njësive e reparteve në drejtimin lindor dhe atë perëndimor të vendit tonë në thellësi deri në 450 km. Në vitin 1970-1973 shërbimi u pajis me teknikë të kohës, me transistorë, aparaturë radiomarrëse shumëkanalëshe, aparaturë analizuese, etj. Modernizimi i teknikës ndihmoi në efikasitetin, në kërkimin, kapjen dhe përcaktimin e mjaft objekteve të reja.

Please follow and like us: