Albspirit

Media/News/Publishing

Bisedimet me Greqinë, çamët protestojnë para Ministrisë së Jashtme

Kanë kaluar dy ditë nga përfundimi i takimit dypalësh në Korçë, ku ministrat e Jashtëm, Kotzias dhe Bushati diskutuan për disa marrëveshje që do të sheshonin konfliktet mes dy vendeve.

Takimi i tyre vijon të mbetet temë e nxehtë diskutimesh në vend, ndërsa një takim në nivel kryeministrash, midis Edi Ramës dhe Aleksis Tsipras pritet të ndodhë në forumin ekonomik në Davos.

Të pakënaqur nga bisedimet dhe rezultatet e arritura në takimin e Korçës, kanë mbetur shqiptarët e Çamërisë, të cilët nën drejtimin e Shoqatës Çamëria dhe PDIU-së, kanë protestuar pasditen e sotme para Ministrisë së Jashtme në Tiranë.

Të pranishëm ishin dhjetëra protestues. Me pankarta në duar, kundër bisedimeve ata kanë ndezur qirinj në trotuarin para MPEJ-së në kujtim të të rënëve në Çamëri.

Protestuesit kanë shprehur rezervat e tyre për një qëndrim të njëanshëm lidhur me varret e të ndjerëve nga të dyja palët, teksa në Tepelenë kanë nisur kërkimet për eshtrat e ushatarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ish-deputeti i PDIU, Tahir Muhedini tha se “në një kohë kur varret e të parëve tanë u shkatërruan në Greqi, në Shqipëri kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë”.

Në këtë protestë foli edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, që nuk e mohoi zhgënjimin nga rezultatet në këto diskutime dypalëshe.

“Ne prisnim zgjidhjen e problemeve që kishte Shqipëria me Greqinë”, tha Idrizi.

“Edhe këtë rradhë ne u informuam nga ministri i Jashtëm i Greqisë, duke mësuar se në bisedime janë diskutuar vetëm problemet e Greqisë. Është për të ardhur keq! Më gjeni një rast të asaj që po ndodh në Shqipëri, ku kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë, të cilët kanë ardhur si pushtues në Shqipëri”, shtoi më tej kreu i PDIU.

 Sipas Idrizit “në bisedimet e fundit sërisht avancoi axhenda greke dhe jo ajo shqiptare”.

Idrizi e mbylli fjalën e tij duke thënë se kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati po punon për zgjidhjen e problemeve që mund të kenë grekët me Shqipërinë dhe jo problemeve të çamëve.

Please follow and like us: