Në Lozanë është bërë tërheqja e shortit për Ligën e Kombeve, një garë e re e UEFA-s, e cila do të nisë në shtator të këtij viti.

Në tërheqjen e shortit ishin të pranishëm edhe presidenti i Federatës së Futbolli të Kosovës, Fadil Vokrri, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe trajneri i Kombëtares A, Muharrem Sahiti  dhe menaxheri, Bajram Shala.  Kosova do të bëjë pjesë në grupin 3 të Ligës D, ku do të garojë me Azerbejxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe.

Ndeshjet e para të Ligës së Kombeve do të zhvillohen më 6-8 shtator të këtij viti, kurse ndeshje do të ketë edhe më 9-11 shtator, 11-13 tetor, 14-16 tetor, 15-17 nëntor dhe 18-20 nëntor. Ndërkohë, skuadrat fituese të grupeve në ligat B, C dhe D do të ngjiten një ligë më lart, kurse fituesit e katër grupeve të Ligës A do të luajnë në play-off prej 5 deri më 9 qershor të vitit 2019 për t’u përcaktuar kampioni i Ligës së Kombeve.