Albspirit

Media/News/Publishing

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF): Thirrje për aplikime për Programin “LEAD Albania 2019”

Programi

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka hapur aplikimet për Programin “LEAD Albania 2019”. Ky program është konceptuar sipas Programit të Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin (angl. White House Fellows Program) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë sonë nëpëmjet një përvoje njëvjeçare, që e vendos përfituesin pranë një pozicioni qeveritar shumë të lartë. Individëve të përzgjedhur do t’u ofrohet mundësia për të punuar si pjesëtarë në kabinetet e titullarëve të institucioneve të larta shtetërore si Kryeministria, Institucioni i Presidentit, Ministri të ndryshme dhe Bashkia e Tiranës. Vendimet për pozicionet do të merren mbi bazën e interesave dhe përvojës së aplikantëve. Përvoja e pjesëmarrjes në Programin “LEAD Albania” do të pasurohet me një komponent edukimi, i cili do të shoqërojë përvojën e punës gjatë gjithë vitit. Në formate seminaresh dhe takimesh do të trajtohen tema si integrimi evropian, politikat publike, vendimmarrja, politika e jashtme, politika të sigurisë apo zhvillimi i kompentencave sociale dhe aftësive të lidershipit. Programi do të mbulojë për secilin individ të përgjedhur shpenzimet e lidhura me pagën dhe përfitimet përkatëse, sipas kategorisë së pagave në institucionin ku vendosen.

Kushtet për të aplikuar

Për të aplikuar në programin “LEAD Albania”, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • Aplikantët duhet të jenë nënshtetas shqiptarë (pranohet nënshtetësia e dyfishtë).
  • Aplikantët duhet të kenë përfunduar studimet në arsimin e lartë. Përfundimi i studimeve pasuniversitare mund të jetë avantazh i rëndësishëm.
  • Aplikantët duhet të kenë përvojë pune. Preferohet një minimum prej të paktën pesë vitesh. Në rast përfundimi të studimeve të doktoraturës, minimumi i preferuar zbret në tre vjet.
  • Personat të cilët punojnë aktualisht në institucione të qeverisjes qendrore (Kryeministri ose Ministri) ose Institucionin e Presidencës, NUK lejohen të aplikojnë.
  • NUK ka kufizime moshe. Megjithatë, Programi është krijuar për t’u dhënë aplikantëve të përzgjedhur përvojën e qeverisjes në fazat e para të karrierës së tyre.

Profili i kandidatëve

Programi “LEAD Albania” dhe Komisioni Përzgjedhës do të kenë parasysh kriteret e mëposhtme në përzgjedhjen e finalistëve:

  • Arritje profesionale të rëndësishme në karrierë;
  • Dëshmi të aftësive për lidership dhe potencial për rritje të mëtejshme;
  • Interes i provuar për sferën publike dhe/ose shoqërinë civile;
  • Aftësi për të pasur sukses në nivelet më të larta qeveritare dhe aftësi për të punuar efektivisht në ekip.

Cilësi të tjera të rëndësishme përfshijnë:

  • Aftësi shumë të mira në të shkruar;
  • Njohuri të gjuhëve të huaja;
  • Qëndrim pozitiv;
  • Aftësi të mira menaxhuese;
  • Aftësi shumë të mira ndërpersonale;
  • Nivel të mirë ekspertize në fushën e propozuar si fokus në kuadër të Programit.

Procedura e aplikimit

Aplikimi kryhet vetëm online. Informacione të mëtejshme dhe udhëzimet përkatëse gjenden në faqen e internetit www.aadf.org/lead . Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve është data 15 mars 2018, ora 17:00. Nuk do të merren në konsideratë aplikimet e paraqitura dorazi apo me email.

Please follow and like us: