Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro LOLI: Shënime mbi librin “Përballë pasqyrës së një gruaje” të Kadaresë

Image result for piro loli

 

 

“Përballë pasqyrës së një gruaje” është një narativë e I. Kadaresë, ndoshta bërthama e një drame me subjekt tepër original. Është një tendosje tërë nerva e ankthe për një periudhë të zymtë të diktaturës shqiptare në vitet ’60. Koha e marrëzisë kish filluar që kur lindi diktatura e do të vazhdonte dhe pas gremisjes së saj… Ishin vitet e kinezërive. Ose vitet e tredhjes masive. Ose lejfenizmit masiv shqiptar. Pasi ishte tredhur i gjithë populli “heroik”, u erdhi radha shkrimtarëve, “këtyre borgjezve të pandreqshëm”. Kish ndodhur edhe gjetkë. Kish ndodhur pa metaforë. Studentët hindianë ishin tredhur vërtet pas thirrjes së Nekrusë për mosshtimin e popullsisë; nën një zjarrmi patriotike, shoqëruar me muzikë dhe erë jodi… Kish ndodhur në të gjithë perandorinë e kuqe. E në “mënyrë krijuese” ndodhi edhe tek ne.
Kish mbetur pa u tredhur prostituta Margaritë që nëna i gjente klientët dhe natën ajo bënte punën e vet. Autori i ri e dashuron putanën. Si personazh opozitar. Ishte tipi i femrës që e tërhiqte “si krisje e gëzueshme akujsh”; ishte e bukur Margarita me një përpëlitje të dallandyshtë qerpikësh si Greta Garbo. Në këtë kohë e në këtë provincë tredhjesh masive, ishte një akt civilizues simbolik e i guximshëm, ndërkohë kur sigurimi i njihte klientët e putanës, zotërinjtë që…
Njeriu ka nevojë “të nxjerrë sytë”, por në këtë vend shkretan, gjëja më e ndërlikuar që ndodhte ishte pikërisht rreth… asaj të Margaritës, ose seksit.
Regjimi e paraqiste veten si më i moralshmi e më i ndershmi në botë. E kurvërira “nuk kish fare”. Këto punë më mirë i dinë poetët dhe kurvat. Protestë e heshtur: “Ju shkoni me ato të BGSH-së, plenumeve, unë me kurvat”…Por poetët janë të molepsur me shfaqje të huaja, bëjnë aventura e kanë ndikime nga letërsia dekadente. Morali ishte thembra e Akilit në psikologjinë e popullit tonë e diktatura e përdori mjeshtërisht e sipas udhëheqësit legjemndar: “degjenerimi moral një hap është ndaj degjenerimit politik.”… (S’ka gjë se përdorte dhe kësi femrash për të kapur armiqtë! S’ka gjë se për vete ia zgjidhnin të bukurat sejmenët e tij e ia bënin dhuratë, s’ka gjeë se oficerë hetues e sigurimsa shfrytëzonin femrat fatkeqe duke i përdhunuar zyrave e birucave të burgjeve…
Partia tensionon situatën. Me mbledhje, ballafaqime analiza. Frika pushton të gjithë. Sektori i letërsisë gjithnjë problematik. Një gabim në shtypin e partisë a një poezi të kushton shumë. Ddhe jetën. Në prag të përvjetorit të vetvrasjes së Majakovskit (të Merlin Monrosë, Eseninit apo Hemingueit), partia është e shqetësuar se nuk po pasqyrohet mirë në shtyp letërsia kineze, vietnameze, kubaneze… (Më kujtohet kur isha student na detyruan të bënim nja gjashtë muaj kurs rreth poezive madhështore të poetit Mao Ce Dun. Ishin orët më me qyfyre, plot humor, barcaleta ) E çuditshme. Diktatorët dëshirojnë të jenë poetë ose shkrimtarë. Dhe Stalini, dhe Hitleri, dhe Enveri, dhe Sadami dhe Kadafi “paskan qenë” poetë ose shkrimtarë! Ndoshta është sfera më e papushtueshme nga diktatorët, prandaj donin ta kishin të tyre edhe këtë sektor delikat…
Sëprapthi të gjitha. Dhe sendet nuk kanë emrin e tyre. Mbyllen kafenetë, pakësohen honoraret e shkrimtarëve. Pijet, gratë, muzika, feja, poezia hermetike, moda e veshjes, flokët, minifundet, s’janë tonat…, por të armikut. Në modë epidemia katastrofike e një populli të tërë, lejfenizmi shqiptar. Heronj të aksidentuar, idhuj pa krena.
Klasa punëtore (në fakt partia dhe udhëheqja) është e zemëruar me shkrimtarët… Vini re penën shpotitëse të Kadaresë: Një poeteshë e re, flet dhe nëpër plenume dhe spiunon e kurvëron fjalën më tepër se Margarita. Partia u bën thirrje shkrimtarëve “të shkunden”, domethën të tridhen. Poezia duhet të jetë “bombë e flamur”… Tredhja vazhdon. Një shkrimtar “ hindianoshqiptar” me emocion e zjarrmi patriotike: Honoraret e mia ia fal shtetit. Njeri propozon që librat të mos kenë emrin e autorit. Një tjetër nga ata të porositurit, që flasin në fund, bën thirrje për qarkullim… se udhëheqësi paska shkruar një poemë madhështore për qarkullimin si shpëtim për vendin…
Dhe pa dëgjoni! Veprat aq të shëndetshme plot diell pranvere, që përbën krenarinë e realizmit socialist shqiptar, janë krijuar nga njerëz, sipas autorit, I. Kadare, me cene trupore, prostat, majazëll, dhjamë, shurrim në krevat, ekzemë, zgjebë, herdhe të varurua me lemeri…Ç’neveri fizike e mendore! Dhe ishin më të nderuarit!.Dhe këndonin e shkruanin në kor me dirigjentin e sprovuar! [Dhe kish dhe nga ju të presidiumeve, i dashur që s’ia bënit dysh Partisë. Madje dhe nga Kryetarët e Lidhjes e anëtarët e kryesisë. Ose spiunë që e kishin kthyer LSHA si Degën e PB. dhe drejtonin me militantizëm infeksionin epidemik.] Qarkullimi ndodhi. “mirë t’u bëhet atyre borgjezëve (shkrimtarë)”! Kinezëri shqiptare. Heshtje. Vulosje e plotë. “Orizoreve”, kantiereve, fshatrave! Të kaliten. Të edukohen. Të sjellin prej andej përsonazhet që duhen.
Dhe kryetari i Lidhjes hijerëndë me çibuk në buzë. Ai i thërret fakirët poetë në zyrë e me urtësi u tregon adresat e reja të banimit.… Ai e ka zgjidhur dramën e vet dramatikisht. Studiuar në Francën perëndimore për t’u bërë më lindor se lindorët.(Dh.Sh.) [Dhe zëvendësuesi tij kish studjuar në Lindje dhe deri sa vdiq mbeti lëndor. Ndërsa, autori i kësaj vepre, vërtet u kualifikua në Lindje por, nga të vetmit shkrimtarë shqiptarë u përpoq të bëhet perëndimor, me disa vepra të nivelit të lartë evropian e më tej) Ky kryqëzim rrugësh ishte jo vetëm drama e poetëve por e të gjithë popullit, sepse fatkeqësisht nxituam për në Lindje. Busulla jonë kishte vetëm një akrep, lindjen staliniste e mauceduniste.
Dhe vini re absurdet ironikohiperbolike aq mjeshtërore të Kadaresë: Tregimi i tij sfidon me gozhdët e humorit çdo skenë të realitetit tonë lejfenist: Një sekretar partie bën seks me një kineze. Ajo e trembur nga barrosja tregon barkun e saj e pëshpërit: “Shok Kristaq, lutem jo aty, shok Kristaq!” Dreqo punë. … Sekretari i partisë donte ta çonte spermën e vet në një hapësirë tjetër, të huaj, të pamundur… E ka detaje e budallallëqe të guximshme që të skandalizojnë si në letërsinë e madhe. Paska dalë parfumi “Haxhi Qamili” (!) e “Djersa e kooperativistes” (!) e prezervativi i markës shqiptare me emrin “Skënderbeu”(!) e pra, prezervativi duhet të jetë i fortë, të mos çahet…si simboli i qendresës. E poetesha e re, ikën e turpëruar skuqur faqesh nga këto që dëgjon nga autori…
Tredhja vazhdon. Edhe pas qarkullimit. Me një tredhje tjetër. Ndoshta e dyta, përfundimtarja. Prerja e herdheve është shoqëruar me hollim zëri, me rritjen e shenjave femërore: Falenderojmë partinë që na hapi sytë. Premtojmë vepra të reja me punëtorë, fshatarë; jemi kundër nxirjes së realitetit kundër çoroditjes së ngjyrave te piktorët tanë… kundër ritmit të këngëve …Shkrimtarë qafëhollë, me jaka këmishash të gjëra, me kollaro të kuqe mjeranësh… Ndërkohë shpërthejnë talente të reja në të gjitha fushat, nga klasa punëtore, shoferë, mekanikë, nga fshatarësia kooperativiste, nga ushtarët, nga oficerët, gjeologët… “ndoshta dhe të rinj që i fuste sigurimi midis nesh”… Të gjithë lejfenistë.
…Por poeti s’ka vdekur. Thellë tij vetvetja gjallon. Në orën tre pas mesnate një trokitje. Ishte hëna në dritare, një ndriçim i lakuriqtë, i huaj si prej qelqi… Paska dhe hënë të plotë?! Një drithërimë e thellë ëndërre. Ndoshta një shkëndijim projekti për të shkruar diçka… Dhe një pështjellim i sinqertë dhe i guximshëm. Natën në gjumë. “Vetëtishëm si nën ndriçimin e një katastrofe, në trurin tim u pështjelluan një flamur mbi pirgun presidencial, gjithfarë emblemash rreth tij, dhe shkaba dhe zharatiera të zeza grash…në mungesë të emblemave të tjera, atyre të Dukagjinëve, të Kastriotëve, të Angjeisneve me gjithfarë shkabash, të bardha, të zeza, me gjarpër në sqep, me kurorë zambakësh ose kryq… Kisha gjetur një emblemë të re: atë që rasti më kish sjellë përpara, zhartierat e zeza të Margaritës (!)… Ndriçimi që i bënte në fytyrë sikur i merrte maskën mortore”.
Burracakët shkrimtarë dhe kur ktheheshin në Tiranë, në shtëpitë e tyre për festën e Vitit të Ri, fshiheshin në një ilegalitet të turpshëm nga frika.
Autori më trim me jakën e palltos të ngritur e me rrufë del udhëve të trishtuara për të takuar shokun e tij të ish zyrës.
– I hoqën dhe ato, nënë e bijë…
… Po hiqeshin me ngut prostitutat, kumarxhinjtë, homoseksualët.
– …
– Tragjedi?, pyeta –
– Tragjedi e kujt? Fol më qartë.
– Margarita me të ëmën, tha, kanë vrarë veten.
I kishin hipur në një kamion me laçka e plaçka e i kishin nisur në një katund të Lushnjës, të punonin në kooperativë e të banonin në një barakë të vogël… Ato të heshtura kishin vajtur në shitoren e kooperativës “për të blerë” ca plaçka e në mes të tjerash kishin blerë dhe një litar e sapun. Natën kishin varur veten. Kaq. Prostitua Margaritë nuk e duroi dot tredhjen. Heroina Margaritë gjen forca e varet në litar. Asnjë nga shkrimtarët e Realizmit Socialit nuk e vari veten… dhe ankoheshin për një rrufë… S’kishim ne asnjë Majakovsk, asnjë, të mohonte vargjet e vetvetes “bombë e flamur”. Godina e LSHA, ngjante si godinë inkuzicioni…

Fshehën brenda saj shumë kurvëri e gjurma krimi. Përballë saj autori ngre barakën e një prostitute, brekët e saj si symbol. larg humbëtirave, madhështore si katedrale. Letërsia shqiptare nuk i dha asnjë ngushëllim Margaritës, Margaritave, njerëzve të thjeshtë me vese njerëzore. Se ata nuk ishin tanët “Përkundrazi, si një grua që gjer në fund vetëm jepte, ajo i kish dhënë letërsisë diçka…”, personazhin.
Akti i një putane ngrihet kështu më lart se i shkrimtarëve. Personalisht e admiroj guximin për vetvrasje, por të tillët cironkat e shoqërisë nuk mbeten në hisrori. Nuk mund të quhen martirë. Dhe ja, së paku, pas 40 vjetëve një përshpëritje për Margaritën. Pak, shumë Pak. Gjene çka! Më mirë vonë se kurrë! Një pëshpëritje e tillë është dhe një pëshpëritje për të tredhurit. Një autokritikë. Post portem. Një kumt artistik që mund ta bëjnë vetëm penat e holla.

Please follow and like us: