Albspirit

Media/News/Publishing

Qarrishta, fshati që hapi dyert për hebrejtë

Në të majtë të qytetit të Librazhdit, drejt verilindjes, nis një rrugë e porsa shtruar, që të çon në Steblevë e më tej. U deshën vite e vite, që këmbët e rrugëtarëve të kësaj treve apo dhe gomat e makinave të vjetra, të ceknin për herë të parë asfaltin. Nuk bën më tepër se pesë kilometra dhe një degëzim në të djathtë, ngjitet pjerrtasi mes fshatrave Dorëz e Gizavesh të komunës Qendër, Librazhd. Autobusi ynë, mbushur me dhjetëra pasagjerë e ca vende “rezervuar” për gazetarë, ecën butë-butë mbi një shtresë zifti të hollë. Kësisoj, të krijohet ndjesia e një udhëtimi komod, pa ditur se për një distancë afro 30 kilometra, do të duhen mbi dy orë për të mbërritur në Qarrishtë.

Të gjithë tunden, shkunden e mbahen fort mbi sediljet që u ka dalë skeleti i hekurt, teksa mjeti i tipit gjerman, prodhim i viteve ‘70-të, uturin me sa fuqi që ka. Pas xhamave të shtrënguar fort me bullona hekuri, syri të rrok bukuri mahnitëse. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, burimet ujore që rrjedhin pa pushim nën cicërimat e zogjve, të japin imazhin sikur dëgjon “simfoninë” e pyllit. Ne, që jemi të zhytur në smogun e trashë të Elbasanit të ndotur, hapim gojë e hundë për të mbushur mushkëritë me ajrin e virgjër. Ndonjë operator qejfli romantik, teksa fshin me mëngë tisin e avullit mbi xham, përpiqet të fokusojë në kamër bukuri natyrore të rralla. Syresh, nxjerrin dhe blloqe shënimesh pa kurrfarë informacioni.

 

Ne, që udhëtojmë për herë të parë drejt fshatit Qarrishtë, mbetemi kureshtarë, sa për të parë këtë fshat, aq edhe për të përfytyruar se çfarë do të ndodhë atje në kujtim të asaj që ka ndodhur 70 vjet më parë. Sa më tepër i afrohesh fshatit, aq më e vështirë bëhet rruga mbi gurë, që në çdo njëqind metra duhet të kalosh gurgullimat e ujit dhe gurët e mëdhenj të përrenjve që zbresin me vrik nga vargmalet e Shebenikut, majat e të cilëve, ende qeleshebardhë. Që në nisje, ishim kuriozë për të prekur nga afër një copëz histori të shuar ndër vite të këtij fshati. Plotë shtatëdhjetë vjet më parë, aty do të strehoheshin për dy vjet 26 hebrenj prej inkuizicionit gjerman! E rrallë, por e krenarishme.

Histori e shkruar mbi gur Mure të gurtë. Çati me rrasa guri. Rrugica, shtruar me gur. Shpate malesh të gurta. Një jetë mbi gur. Historia mbetet po aty. Venitet, por nuk prishet. Njerëzit, gurë të fortë. Dy shekuj më parë, qëkurse ky vend u popullua, ka mbetur po ashtu. Nga lindja, vargmale të lartë gjer në kupë të qiellit, që e ndajnë me Maqedoninë fqinje. Nga jugu e perëndimi vargmalet e Shebenikut, që e ndajnë atë nga Rrajca e Struga. Nga veriu male të lartë, që e ndajnë nga Stebleva. Den baba den këtu mes ashpërsisë natyrore e malesh stoikë. Nën një hapësirë qiellore disa hektarëshe e mbi ngastra toke gjysmë dynymësh ende jetohet në këtë fshat mes malesh.

Dielli del vonë e ikën shpejt. Blegtorët u ngjiten shpateve e pllajave pa lind e kthehen pasi perëndon. Amvisat pranë oxhaqeve që nuk u shteron zjarri, misërnike në çerep e gatime vetëm me gjalpë. Çobanët e burrat e lodhur ndër ara duhen ushqyer mirë. Jeta ka të njëjtin refren këtu. Ndërsa viti me dy stinë ka vetëm dy ngjyra. Jeshilja pa kufi në verë e bardhësia që vret në dimër. Në dy shekuj mbijetesë, dy herë ka fluturuar helikopteri mbi këtë fshat mes malesh. Një herë është ulur mbi dëborë duke marrë një të sëmurë rëndë dhe një herë tjetër, në pamundësi uljeje, ka lënë pas dhimbjen e një gruaje për lindje. Nga 200 familje, sot bujisin vetëm 40.

Të ikurit dhe të mbeturit, gjithçka e kanë shkruar mbi gurë muzealë. Kështu edhe për epopenë dyvjeçare të mbajtjes nën “gjuhë” të 26 hebrenjve, për pak se martirizues. Një ceremoni modeste Ka lindur dhe është shndërruar në traditë një festë në këtë fshat. Ajo e Bashkimit. Është konceptuar kështu, për tu ndodhur bashkë një herë në vit. Të ikurit, 160 familje dhe të mbeturit rreth 200 banorë. Brenda festës, edhe ajo e përkujtimit të dy viteve që u strehuan hebrenjtë. Qindra pjesëmarrës në atë tokë gurishtë rreth “lapidarit” ku shkruhet, “Qarrishta, besa shqiptare”. Shkruar thjeshtë, por shumë domethënëse. Në Jeruzalem, në hartën e Shqipërisë është shkruar “Zero”! Kjo, për faktin që asnjë hebre nuk është vrarë apo dorëzuar tek gjermanët. Në pritje të ambasadorit izraelit, të ardhurit e vendasit, sikur çfarë do të ndodhë! Mes tyre dhe deputeti Taulant Balla dhe Eduard Selami, që ndoshta për herë të parë përqafohen e shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Mbase idilizmi i festës solli këtë moment kortezie.

Ndërsa ambasadori vendos dy tufa lulesh artificiale mbi pllakën e gurtë përkujtimore, (që sa hap e mbyll sytë u rrëmbyen nga dy vocërrakë) dhe drejtohet jo me shumë optimizëm para kamerave. Me sinqeritet ai falenderon banorët e këtij fshati e në veçanti familjen Biçaku, që mbajtëm me bukë e u dhanë jetë për dy vjet bashkëkombësave të tij, e, po me këtë çiltërsi ai pranon se pasardhësit e tyre nuk janë gjendur asnjëherë këtu, për të mos thënë që nuk kish dijeni se ku mund të ndodheshin ata, shumica të shpërndarë nëpër botë! Ceremonia spostohet në oborrin e shkollës me 40 nxënës, çatia e së cilës sikur puthej me tokën. Pas muzikës tallava, ushqyer me rrymë elektrike nga një gjenerator i sjellë nga Durrësi, përshëndetjet e rastit nga kreu i komunës, Enver Shkurti. Mes të tjerash ai do të citonte: “Gjyshërit dhe prindërit tanë për dy dimra mbajtën gjallë 26 jetë hebreje në emër të besës e mikpritjes shqiptare, në emër të Zotit dhe të drejtës për të jetuar, edhe pse e dinin së jeta e tyre do të shuhej në çast nga bajonetat e karabinat gjermane, pa menduar kurrë për haraç në ditët e lirisë që do të vinin.

Por, – vazhdoi ai mes të tjerave, – sot shpresoj, që distanca që ndan këtë komunitet nga jeta cilivizuese përtej këtyre maleve, do të shkurtohet edhe nga kontributi i shtetit të atyre njerëzve që ne strehuam në ato vite të vështira lufte e dimri”. Edhe pse duartrokitjet herë-herë ndërprisnin përshëndetjen e ambasadorit izraelit, që shqipërohej jo fort mirë, ky i fundit në thelb do të thoshte se “… mirënjohja ndaj familjes, Biçaku dhe miqësia jone me popullin shqiptar nuk do të shuheshin kurrë“. Dhe, … vetëm kaq. Ndërsa dy personazhet e politikës, Balla e Selami, nuk mbajtën ndonjë fjalë të rastit, “dueti” nuk i kurseu buzëqeshjet e fotot me të gjithë të pranishmit. Në një farë mënyre, i njëjti ritual edhe nga ambasadori izraelit. Dreka fshatçe rreth 5 kilometra më tej. Pikërisht në themelet e mbetura të familjes Biçaku, që sakrifikoi gjithçka për të mbetur gjallë 26 hebrenj nga shumë të tjerë të shpërndarë në vendin tonë e më gjerë.

Pjesëtarë dhe pasardhës të familjes Biçaku, jo fort të privilegjuar në festën që mbart brenda saj edhe kujtimet e komunitetit të vogël hebre të strehuar në shtëpinë e tyre. Ata dhanë gjithçka në atë kohë absurde për mbajtjen e përcjelljen gjallë të atyre njerëzve. Sakrificat e papërshkruara të kësaj familjeje do të mbaheshin në sirtarë arkivash për më shumë se 50 vjet. Të djeshmit i persekutuan, pse strehuan dhe u dhanë bukë bijve të atyre që për shtetin komunist të 45 vjetëve ishin “koburja“ e ngrehur e “imperializmit amerikan”. Të sotmit, i lanë pothuajse sërish në harresë. Veç ca dekorimesh nga lobet izraelite në Amerikë e së fundi edhe në Parlamentin shqiptar, asgjë tjetër. Paradoksi mbetet në atë se persekutorët e djeshëm janë kthyer sot në tribu të atributeve të akteve humane të kësaj familjeje. Djemtë dhe mbesat e familjes, Biçaku, (sot banues në Durrës apo në Elbasan) nuk kanë shkuar më tej sesa të përfituarit e një pune sanitare e pa shtëpi. As shteti i tyre nuk u dha mirënjohje apo mbështetje konkrete, as shteti i atyre që strehuan e as pasardhësit e atyre hebrenjve që u përcollën shëndoshë e mirë, hipur mbi kuaj, pranverën e “45-ës, drejt Strugës. Aso kohe, teksa karvani kalorësiak ecte mes malesh, në të kaluar të kufirit, ata (hebrenjtë) do tu premtonin një jetë të begatë të paktën tre brezave të familjes që i kishte shpëtuar si shpërblim për jetën që u kishin shpëtuar! – “Babai im do të refuzonte që në gjallje të tij lëmoshën 30 dollarëshe që do t’i vinte privatisht nga njëri prej atyre që mbajti në shtëpinë e tij“, shprehet Muhameti duke shtuar se “vetëm ishte vlerësuar me dekorata në Amerikë”! – “ Asnjëri prej atyre që mbajtëm apo pasardhësit, nuk janë bërë të gjallë qoftë dhe për një kontakt fizik në këtë vend ku qëndruan për dy vjet gjyshërit e tyre“- pohon Natasha, mbesa e kësaj familjeje. – “Gjyshi im i mori nga Tirana e i solli këtu natën me mushka e po me mushka blinim drithë e ushqime në Strugë e Ohër për tu siguruar ushqim, por të themi të drejtën pak mirënjohje na është përcjellë“ ,– shton mbesa tjetër, Elida. Nga ç’është bërë, gjallë po përpiqet ta mbajë në këmbë shoqata e miqësie me kontributet e dhëndrit të kësaj familjeje mikpritëse, Kujtim Hasbiu. Ky i fundit mbetej organizatori i kësaj ceremonie, më së shumti për të lartësuar krenarinë e virtyteve shqiptare.

Festa ka mbaruar shpejt. Afër të perënduari të diellit, autobusi, që numëron ditët për skrap, bën rrugën e kthimit. Shoferi, i gëzuar sa s’ka, pse e vetmja ditë që i kish siguruar dyfishin e pasagjerëve, merr ç’pasagjerë gjen rrugës. Mezi arrijmë të futemi brenda. Tre veta në dy sedilje. Dhe ne të medias, si të shumtit në këmbë, mbahemi fort në ca hekura të salduar afër tavanit prej llamarine të autobusit “Benz-70”. Gratë e vajzat mbulojnë gojën me shami prej erës së rëndë e avujve të rakisë kumbullake. Një ditë e bukur, e lodhshme, por me mbresa. Në atë copëz toke shqiptare, rrethuar e harruar mes malesh, përkujtohet gjer në lartësim strehimi i 26 hebrenjve, më tepër si simbol i besës dhe mikpritjes të vendit të shqiponjave. Ndërsa i afrohemi qytetit të Elbasanit, këshilltari i ambasadorit izraelit, me celular, interesohet se kur dhe në cilat media do të jepet ndodhia e kësaj dite.

Besim Dybeli dhe Andi Qosja

Please follow and like us: