Albspirit

Media/News/Publishing

Arti i Edukimit është shumë i vështirë

Image result for fran gjoka

FRAN GJOKA

          

-Me sociologun Gëzim Tushi-Mjeshtër i Madh-

Dhuna dhe të rinjtë në Shqipëri duket se po jetojnë në një simbiozë siameze. A mendoni se janë dobësuar shumë lidhjet mes familjes, shkollës dhe institucioneve të tjera edukative në shoqërinë tonë?

Dhuna rinore dhe bashkë me të edhe krimi janë bërë sot në shoqërinë tonë, fenomene tejet të përhapura, të zgjeruara dhe me intensitet të lartë social. Pa diskutim një nga problemet dhe shqetësimet më të mëdha që kemi. Dhunë e kudondodhur dhe e përhapur gjithandej. Gati po bëhet një lloj “limfe sociale” që rrjedh pa u ndalur në të gjithë dejet e shoqërisë. Padyshim kjo kurbë e zgjeruar e dhunës është duke u shfaqur dukshëm tek adoleshentët dhe të rinjtë. Nuk ka ditë të mos dëgjojmë për konflikte të zgjeruara midis prindërve dhe fëmijëve në familje, midis të rinjve dhe të rejave në shkollë.

Kronikat e zeza të krimit janë të mbushura me lajme dhune që të rinjtë ushtrojnë mbi njëri tjetrin. Në të gjitha format dhe me të gjithë mjetet e mundshme. Dhunë fizike, verbale, psikologjike, buliste pse jo edhe seksuale. Tërë kjo “gjeografi dhune” kaq shumë e përhapur dhe e lidhur me të rinjtë, me moshën, mungesën e pjekurisë dhe aftësisë për të administruar instiktet e veta dhe për t’i zgjidhur konfliktet e natyrshme moshore apo fare të panatyrshme, jo me dhunë dhe “instrumentet e krimit” por me tolerancë, mirëkuptim, dialog e zgjidhje humanitare.

Ka shumë shkaqe e arsye pse është kaq e përhapur dhuna tek të rinjtë e sotëm. Ato duhen njohur dhe interpretuar drejt nga pikëpamja morale, sociale, psikologjike e moshore në mënyrë që të bëjmë diagnostikime të sakta të shkaqeve dhe të përcaktojmë edhe terapitë e duhura, rrugët që duhen ndjekur për të parandaluar dhe zbutur pasojat e dhunës.

Padyshim dy institucionet ku ndihet më shumë dhuna rinore, por dhe që kanë role me rëndësi për edukimin e nxënësve dhe parandalimin e dhunës, janë familja dhe shkolla. Të dy këto institucione të njohura të “disiplinimit social” të të rinjve kanë pësuar ruptura të forta antiedukative dhe në një farë mënyre janë shndërruar për vete në vatra të konfilteve permanente dhe të dhunës së vazhduar. Kjo tregon se këto dy institucione të rëndësishme të shoqërisë, që kanë mision të parë edukimin human dhe qytetar të nxënësve, kanë pësuar dëmtime serioze në strukturën dhe funksionimin e duhur të tyre.

“Kushtetutat” e familjes dhe shkollës duhet ta kenë mision të parë të tyre edukimin human dhe qytetar të adoleshentëve dhe fëmijëve. Por nuk është institucioni si i tillë që e luan këtë rol. Janë prindërit në shkollë që duhet ta bëjnë familjen “vatër të parë” të edukimit të fëmijëve të tyre. Por kjo nuk bëhet as me indiferencë, as duke u munduar për ta shkarkuar tërë “përgjegjësinë e edukimit” vetëm mbi shkollën. Që prindërit të dinë të prindërojnë dhe të luajnë rol edukator duhet të jenë të angazhuar, të përgjegjshëm dhe zotërues të mirë të kërkesave të reja të prindërimit modern. Sepse fëmijët sot më shumë se janë bij të etërve të tyre, janë produkt i kohës në të cilën jetojnë. Ndërkaq shembulli i prindërve, mënyra si i ndërtojnë marrëdhëniet bashkëshortore dhe si komportohen edukativisht me fëmijët e tyre, është me rëndësi për edukimin human, tolerant, miqësor e mirëkuptues të fëmijëve të tyre.

Edhe shkolla nga ana e saj ka përgjegjësitë e veta në këtë situatë e në shfaqjen në këto përmasa të dhunës nga të rinjtë, nxënës të shkollës së tyre. Shkolla, sipas mendimit tim, ka rënë në “shtratin” e ngrohtë të mungesës së përgjegjësisë sociale dhe ka shfaqje serioze të një lloj “njëanshmërie edukative” të shoqëruar me indiferencë e mungesë përgjegjësie për të rivitalizuar një proces të gjallë, dinamik e koherent të edukimit qytetar të fëmijëve në shkollë.

Përkundrazi shkolla në shumë raste është shndërruar në një “vatër konfliktualiteti” qoftë midis nxënësve me njëri-tjetrin, për arsye të larmishme, por përgjithësisht banale dhe jo të qënësishme apo edhe midis mësuesve dhe nxënësve, marrëdhënie të cilat në jo pak raste kanë prodhuar dhe kanë degjeneruar në dhunë reciproke midis mësuesve dhe nxënësve. Shkolla duhet ta “ndërrojë optikën” e njëanshme vetëm të mësimdhënies dhe të mendojë edhe për komponentin e edukimit qytetar, i cili do apo nuk do shkolla e ka apo jo qejf mësuesi mbetet një nga misionet e para dhe të pandryshuara të shkollës.

Si mund të realizohet procesi i edukimit qytetar tek të rinjtë e sotëm dhe si mund të reflektohet nga institucionet sociale dhe shtetërore lidhur me dhunën kaq të përhapur kohët e fundit në Shqipëri, siç ishte dhe rasti i dy të rinjve nga Fieri?

Unë besoj se beteja për edukimin qytetar të të rinjve është bërë një proces i vështirë, i ndërlikuar, por megjithatë nuk mund të konsiderohet i pamundur. Në fakt ka një psikologji disfatiste të përhapur gjerësisht në jetën tonë shoqërore, në familje dhe në shkollë, që i kanë rritur përmasat e “abortimit” të procesit të edukimit tek të rinjtë. Sigurisht ka shumë arsye pse janë shtuar vështirësistë në kohën e sotme dhe pse jo gjithnjë jemi të suksesshëm në procesin e punës sonë edukative si prindër e mësues.

Atmosfera liberale, zgjerimi i dimensioneve të të drejtave të njeriut pavarësisht nga mosha kanë bërë që të rinjtë të kenë sjellje të personalizuara dhe të vështira për t’u standartizuar. Unë gjithnjë them se të rinjtë e sotëm janë të ndërtuar nga një lloj “materieje sociale” tjetër që është shumë rezistente ndaj procesit të edukimit me metoda klasike dhe instrumente tradicionale. Ndërkaq në shoqërinë tonë ka një proces të zgjeruar të demokratizimit të familjes shqiptare.

Kjo ka bërë që vendin e familjes tradicionale me korniza disiplinore të forta dhe rregulla të qarta të funksionimit, në të cilin rolet dhe pozicionet e fëmijëve dhe prindërve kanë qenë më të qarta dhe më autoritariste, gradualisht po e zë familja liberale dhe e demokratizuar, në të cilën ka një barazi midis  njerëzve të saj, pavarësisht nga roli, pozicioni, mosha etj. Kjo ka ndikuar që vendin e strukturës së ndërtimit vertikal të marrëdhënieve prind fëmijë, ta zërë një lloj pozicioni i barabartë dhe i horizontalizuar, në të cilën modualet dhe modalitetet e vjetra të ndikimit edukativ përmes mjeteve autoritariste nuk pinë më ujë.

Padyshim një rol të veçantë duhet të luajnë edhe institucionet e tjera të jetës sociale krahas familjes për ta bërë sa më komplementar procesin e edukimit permanent të të rinjve dhe edukimin e tyre sa më të vërtetë dhe efektiv.

Dhuna ndaj grave dhe sidomos vrasjet makabre të tyre në sy të fëmijëve apo në sheshe në prani të qytetarëve, si mund të komentohet nga ana Juaj?

Në shoqërinë shqiptare situata e dhunës është tejet e agravuar. Madje deri në përmasa të tilla që e turpërojnë shoqërinë tonë. Përhapja e saj në të gjithë mjediset sociale dhe ambientet e jetës private dhe publike është më të vërtetë një shqetësim i madh social. Viktima të dhunës në mënyrë direkte apo indirekte jemi të gjithë. Por analiza dhe statistikat tregojnë se viktimat kryesore të dhunës, sidomos në familje, janë gratë dhe fëmijët. Por kjo dhunë sidomos ndaj grave e ka “pasdarmin” kryesor në familje.

Familja shqiptare, në shumë raste, në vend që të jetë një vatër e ngrohtë për gratë dhe bashkëshortet bëhet një epiqendër e dhunës mbi to. Ideja maskiliste se “shtëpia” është institucion i jetës private, më saktë shpërdorimi i kësaj të vërtete ka bërë që gratë të ndihen të pasigurta, të dhunuara dhe të përdhunuara. Aktorët e dhunës mbi femrat përgjithësisht janë meshkujt e familjes. Kryesisht bashkëshorti. Por në shumë raste edhe vjehrri, nipi, djali, etj.

Por tani kanë filluar edhe format e dhunës në publik mbi femrat e pambrojtura. Ato dhunohen jo vetëm në familje dhe brenda mureve të shtëpisë, por dhe në rrugë e ambiente të tjera publike. Ky mentalitet i egër maskilist, kjo prani e shtuar e meshkujve të palatuar e të paqytetëruar, tregon se një pjesë prej tyre kanë mbetur robër të biologjisë dhe që paradoksalisht mendojnë se kanë të drejtë që mbi “femrat e tyre” si bashkëshorte, nënë, motër, bijë etj. mund të përdorin të gjithë format e dhunës nga ajo fizike e psikologjike e deri tek format verbale apo dhunime të tjera anormale, të përbindshme, kafshërore.

 Raportet mes pushtetit të shtetit dhe institucioneve të edukimit të braktisura, a krijojnë situata të tilla shqetësuese për standardet e qytetërimit tonë dhe si mendoni se do të modifikohet një gjë e tillë në të mirë të shoqërisë?

Po është e vërtetë që ka një hallkatje, moskoordinim dhe mungesë përgjegjësie të disa aktorëve dhe faktorëve që kanë role dhe përgjegjësi për edukimin qytetar. Një lloj ndarje me “mur kinez” midis përgjegjësive të shtetit dhe rolit të tij edukativ (aq sa i takon) dhe institucioneve të tjera të jetës sociale dhe edukimit qytetar është një nga shkaqet që kemi këtë pasojë socale të shoqëruar nga nivele të larat dhune. Po kështu është me rëndësi të theksohet se ka një indiferencë të zgjeruar edukative edhe nga faktorë të tjerë të edukimit. Familja e shkolla në rradhë të parë, por dhe institucionet e parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës dhe krimit. Padyshim pritet një rol i ri dhe angazhim më i fortë i shoqërisë civile që duhet të ketë një “pushtet edukativ” qytetar më të fortë në jetën e shoqërisë.

Nuk kemi për të patur rezultatet që priten në punën edukative pa bashkuar të gjithë këto faktorë që kanë role e përgjegjësi edukative në një “ortek” të bashkuar institucional, për ta ngritur në një nivel të ri cilësor dhe efikas procesin e edkumit qytetar të të rinjve. Por jo vetëm të tyre por të gjithë njerëzve tanë si kusht që ata të bëhen qytetarë dhe të qytetëruar.

 Si mendoni ju lidhur me një mungesë të theksuar të zbatimit të normave qytetare, të shfaqura në mungesën e dinjitetit qytetar, sidomos nga të rinjtë, a janë mangësi të liberalizimit të shoqërisë sonë, apo të diversitetit komunitar të përqëndruar në qendra urbane?

Mungesa e zbatimit të rregullave qytetare dhe normave urbane të jetës së qytetëruar është një faktor madhor që ndikon fuqishëm në nivelin e larët të shfaqjeve antiedulative e kundërkulturore në qytetet tona. Kudo ka shënja vrazhdësie e brutaliteti, shenja rrugaçërie e asocialiteti, mungesë edukate në ambientet e jetës publike, komunikime jo adekauate e me fjalor banal, grindje të pakuptimta e plot fenomene të tjera që i ndeshim në jetën e sotme urbane. Kjo situatë ka shumë arsye. Qoftë të natyrës demografike e përzjerjes së popullsive, të zgjerimit të qyteteve dhe dobësimit të kontrollit urban, zgjerimin e lagjeve periferike dhe shtimin e zonave të vesit (ku përdoret drogë apo ushtrohet prostitucion ilegal).

Liberalizimi i jetës, krijimi i kushteve për një jetë të individualizuar, dobësimi i “pushtetit” dhe rënia e autoritetit të organizimeve të jetës komunitare, zgjerimi i përdorimit të drogës, alkoolit, rendja e shfrenuar pas qejeve dhe kënaqësive të kota, përhapja e një stili adoleshent të të jetuarit kanë dhënë shumë impakte negative antiedukative.

Megjithatë në parim liberalizimi i jetës postmoderne në shoqërinë tonë, normalisht do të duhej të ishte shoqëruar me spikatjen e tipareve qytetare të jetës, me zbatim të ndërgjegjshëm të rregullave etike të jetës së përbashkët komunitare, me një përsosje të tipareve edukative të sjelljes personale dhe komportimit social. Fakti që kjo nuk po ndodh  apo që shumë tregues  të jetës edukative po përkeqësohen, për këtë nuk e ka fajin as demokracia as liberalizimi i jetës. Përkundrazi ato duhen konsideruar si faktorë që mund dhe duhet të ndikojnë pozitivisht për të ecur procesi në rrugën e duhur.

Të rinj të vetmuar, siç jeni shprehur tek libri juaj i fundit “Edukimi në familje dhe në shkollë”, asocialë, patologjikë, brutalë, kriminelë, vrasës, paranojakë, të droguar, bastardë në sjellje me familjen dhe prindërit, të dhunshëm deri në sadizëm me gratë dhe fëmijët, si mund të ndalohet veprimi i tyre brutal në familje dhe në shoqëri?

Po, është e vërtetë, në librin tim të fundit “Edukimi në familje dhe në shkollë” kam bërë një përpjekje për të analizuar shumë anomali edukative të sjelljes së të rinjve. Jam mundur që pas diagnozave diferenciale të shkaqeve të shfaqjes së disa fenomeneve tek të rinjtë të bëj edhe rekomandime për një lloj terapie edukative që duhet përdorur me të rinj që kanë sjellje asociale e patologjike, që janë të hutuar, brutalë, kriminelë në sjelljet e tyre në familje, në shkollë e shoqëri.

Mjetet, metodat, rrugët dhe format që mund të përdoren për të ndrequr edukativisht sjelljet e tyre janë të shumta e të larmishme. Ka rëndësi që cilido që është në rolin e eduaktorit dhe ka përgjegjësi për edukimin e fëmijëve duhet të jetë në gjëndje të individualizojë shkaqet e sjelljeve antiedukative dhe të personalizojë mënyrat e intervenimit edukativ.

Këtë duhet ta bëjnë prindërit në familje, mësuesit në shkollë dhe punonjësit socialë që punojnë në institucionet e riedukimit dhe dënimit të fëmijëve. Arti i edukimit është shumë i vështirë dhe me sa duket akoma më i vështirë do bëhet në të ardhmen. Këtë art të edukimit nuk mund ta zotërojnë ata që nuk kanë disponim personal e njohuri të gjëra psiko-pedagogjike, që nuk kanë nerva, që nuk dinë të komunikojnë me fëmijët. Mbi të gjitha indiferenca dhe mungesa e hapësirës dhe kohës së duhur të prindërimit, për shkak të angazhimeve që kanë prindërit e dhënë pas punës, parasë, suksesit, karrierës janë me pasoja të pallogaritshme në deformimin e thellë edukativ të fëmijëve të tyre.

Please follow and like us: