Video/Blogerja Rejona Saqellari, intervistë për ‘NEWZMAGNET’

Rejona Saqellari është një ndër “Beauty Bloger-et” e para në Shqipëri. Që prej disa kohësh me anë të videove të saj në kanalin personal që zotëron në ‘Youtube’ na ka mësuar se si të grimohemi për raste të ndryshme. Në një intervistë për ‘NEWZMAGNET’ ajo shprehet për lindjen dhe vazhdimin e pasionit të saj për ‘Make Up’ e gjithashtu zbulon se çfarë surprize ka përgatitur për publikun e veçanërisht për ndjekësit e saj.

 

Intervista e plotë

 

Si lindi ideja dhe dëshira juaj për tu marrë me make up e për ta zhvilluar më tej në kanalin tuaj në youtube?

 

Rejona Saqellari: Para disa vitesh, nuk kujtoj dot ekzaktesisht sa, nisa të shikoja video në youtube, ku vajza të ndryshme, të cilat sot cilësohen si “beauty guru” ose “beauty influencer”, tregonin se si bënin make-up për raste të ndryshme që mund të kishin. Nisa t’i shikoja si për të humbur kohën, por çdo video më jepte diçka më shumë, një shtysë ndoshta që një ditë të nisja kanalin tim. Nuk ishte e lehtë të fillohej, sidomos për vendin ku jetojmë, Shqipëria nuk mendoj se premton shumë në këtë sektor. Fillimisht hapa një website/blog ku shkruaja dhe tregoja me foto stile të ndryshme të make-up-it.

Vazhdova rreth një vit kështu derisa vendosa të bleja një kamera profesionale dhe një dritë të mirëfilltë për të nisur videot e mia. Duke qenë se kam mbaruar gazetari televizive, më ndihmoi shumë në montazhin që duhet të bëja për të edituar videot që do të realizoja. Pra, si të thuash krijova platformën time në youtube, ku filmoja, editoja, hidhja voice-n, për të sjellë në Shqipëri këtë frymë të vajzave të perëndimit, të cilat filmonin veten duke u lyer dhe kjo u sillte jo pak përfitime në produkte kozmetike si dhe ato financiare nga kompania gjigande e Youtube, përmes klikimeve, që ato kishin.

 

U bënë disa muaj që nuk kemi një video nga ju, kur do ta postoni videon e ardhshme?

 

Rejona Saqellari: Fillimisht kur e mora këtë nismë, isha jashtëzakonisht entuziaste dhe me dëshirë shumë të madhe që të postoja shumë shpesh video, në mënyrë që të kënaqja ato vajza që besuan të unë dhe më ndoqën që në hapat e parë të mi. Por siç përmenda dhe më lart, Shqipëria nuk të ofron shumë. Duke parë “shoqet” e mia jashtë se sa feedback kishin për punën që bënin dhe sa fitonin, mendova se këtu nuk do arrinte kurrë ky lloj përfitimi. Megjithëse pata shumë takime me kompani të ndryshme kozmetike, për të reklamuar disa produkte të tyre, një marrëveshje e mirëfilltë nuk u arrit kurrë dhe kjo çoi dhe në vonesë të videove, sepse nuk kisha një stimul apo një përfitim sado të vogël nga ajo që po bëja. Gjithsesi nuk jam tip që dorëzohem kollaj. Momentalisht po mbaroj një master të dytë në trajtimin e fëmijëve me autizëm dhe kjo më ka larguar pakëz nga bota e make-up, por jo për gjatë. Nisma ime e rradhës është një ambjent i marrë me qera pranë ‘Ti institute’, për të realizuar make-up professional të gjitha atyre që më kanë ndjekur dhe kanë pëlqyer videot e mia. Videove do t’I kthehem shumë shpejt…më e afërta mendoj që do jetë ajo e Shën Valentinit, ku do të tregoj si të realizojmë një truk të veçantë për këtë ditë.

 

Cilat janë disa nga markat e tua të preferuara?

 

Rejona Saqellari: Kam disa marka të preferuara, ose më mirë të themi një markë të preferuar për një produkt të veçantë, psh: si krem pudër preferoj të përdor Nars (fakteqësisht nuk ndodhet në asnjë dyqan në Tiranë, por jashtë gjendet te çdo filial i Sephora); si concealer më pëlqen firma Mac; si pudër fiksuese do zgjidhja gjithmone Laura Mercier; e fundit për buzët do zgjidhja Mac ose HudaBeauty. Ka dhe shumë të tjera, por këto janë të preferuarat e momentit.

 

Sa mirë dinë të grimohen femrat shqiptare në jetën e përditshme nga 1-10?

 

Rejona Saqellari: Mendoj që femrat shqiptare dinë ta mbajnë shumë mirë veten dhe së fundmi janë përmirësuar goxha në veshje dhe në make-up. Më vjen mirë që nuk shohim më taka 15-she dhe truk të ekzagjeruar në orën 10:00 të paradites. Vajzat janë bërë më të thjeshta dhe trukohen më pak. Ka dhe përjashtime, të cilave do t’u sugjeroja një make-up sa më të thjeshtë. Sa më natyrale aq më mirë do të dukeni.

Kështu që vlerësimi im do të ishte rreth 7-ës.

 

Cili është gabimi që bëjnë femrat më së shumti gjatë aplikimit të make-up-it?

 

Rejona Saqellari: Me aq sa kam parë mendoj se gabimi më i shpeshtë bëhet te truku i syve dhe përdorimi i concealeri-t (ose ndryshe korrektorit). Sytë shpesh janë të ngarkuar me laps të zi rreth e përqark, gjë e cila e bën syrin të duket jo bukur. Që të mund të bëjmë një tualet të rënduar te sytë, duhet të jemi pak më specialist në bërjen e tij dhe jo të ekzagjerojmë nëse nuk ia themi fare për make-up. Më mirë do dukeni me një penel të hollë lart syrit, kjo do t’jua tregojë atë më të ngritur se ç’është realisht. Përsa i përket korrektorit, ai vihet ose shumë nuanca më I bardhë se ç’duhet ose nuk vendoset fare. Të dyja rastet janë gabim: nëse e vendosim shumë nuanca me të bardhë do të duket jo në harmoni me pjesën tjetër të fytyrës dhe do dukeni qesharake; në rastin e dytë kur nuk preferoni ta vendosni fare do të dukeni të lodhura dhe të fjetura. Korrektori ndihmon shumë në kompletimin e një make-up-i të mirëfilltë, prandaj mos e neglizhoni atë.

 

Cilin do të zgjidhni për të hequr nga make-up-i juaj: buzëkuqin, konturin, lapsin e vetullave apo rimelin dhe pse?

Rejona Saqellari: Do të hiqja konturin sepse mendoj që është më pak i rëndësishmi. Me vetulla të rregulluara, pak rimel dhe buzëkuq jemi në rregull të gjitha.

 

Mund të na tregoni disa nga trendet më të fundit të make-up-it?

 

Rejona Saqellari: Sipas Make-up artistëve më në zë të momentit, duhet të kemi gjithmonë vetulla të krehura dhe të rregulluara mirë, jo shumë të nënvizuara dhe jonatyrale. Nuancat me shkëlqim në sy, të tipit “glossy look” janë parë shumë gjatë javës së modës dhe nëpër revista të ndryshme. Gjithashtu po shohim që është rikthyer shkëlqyesi i buzëve dhe po zbehet tendenca e buzëve mat.

Kjo eshte nje nder videot e Rejones ne Youtube: