Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Asqeriu: Artistët të bojkotuar nga shteti

Aktorët e Teatrit Kombëtar dhe Sindikata e Artistëve vazhdojnë të kundërshtojnë zhvendosjen e teatrit tek “Turbina”. Bujar Asqeriu ka folur sot në emër të artistëve duke thënë se shteti gjithnjë nuk është interesuar për ta. Ai u shpreh se artistët kanë roga më të ulëta dhe se nënpunësit e shtetit, ndërsa shtoi se politikanët e kanë mendjen të vjedhin.

‘Artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit. Zoti i paftë ata që vjedhin”, ka thënë Asqeriu duke shtuar se “nga jeta ikën artistët më të njohur dhe askush nuk e çau trapin për ta. Bujar Lako jetonte në një dhomë 50 metra katror dhe askush nuk u kujtua për ta. Ndonjëherë them pse të flas, për çfarë të flas?!

Mendojnë sesa do fitojnë dhe me kë do e bëjnë qejfin dhe jo për ne”. “Refleksionet nga qeveria e ministria duket që janë të vakëta mos me thënë të ftohta. Këtu nuk e kuptojnë në thelb çfarë është artisti. Ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar këtyre artistëve. Neve na fusin në vrimën e miut, atje në hidrocentral, se hajdutët nuk na lënë lekë”, tha Bujar Asqeriu. Ndërkohë regjisori Altin Basha ka ftuar ministren Mirela Kumbaro që ditën e mërkurë në orën 16:00 të vijë në godinën e Teatrit Kombëtar për dialog me artistët.

“Artistët nuk lejohen të hyjnë në sallën e teatrit për të mbajtur një deklaratë. Shenjë skandaloze. Administrata e teatrit që përfaqëson ministrinë e Kulturës nuk ka dëshirë për dialog. Na janë bashkuar kolegë nga cirku, nga TKOB, nga QKK gjëja që nuk është më e vogël. Janë 4 mijë firmëtarë të peticionit online. Kumbaro ka kërkuar një përfaqësi për takim në ministrinë e Kulturës të mërkurën në orën 4. Ditën e mërkurë në orën 4 e presim këtu në teatër ministren”,tha Basha.

Ndërsa regjisori Stefan Çapaliku u shpreh se “Asnjë nuk e di sa është fondi publik i teatrit” “Transparenca është zero. Zgjedhja e lidershipit të institucioneve kombëtare kulturore duhet të ndryshojë. Rektori i Universitetit zgjidhet në mënyrë demokratike, politika nuk ka kontroll mbi universitetet po ka mbi teatrin, ky është absurd i madh. Do bëjmë kërkesë në Parlament për amendament ku të thuhet që lidershipi nuk emërohet por zgjidhet nga komunitetit”, tha Stefan Çapaliku.

Please follow and like us: