Albspirit

Media/News/Publishing

Hetime mbi shkaqet e rrëzimit të avionit rus

Autoritetet ruse po hetojnë shkaqet që çuan në rrëzimin e një aeroplani pasagjerësh pranë Moskës të dielën. Të 71 njerëzit në bord mendohet se kanë humbur jetën. Fragmente të avionit të tipit An-148 janë gjetur pranë fshatit Stepanovskoye, rreth 40 kilometra larg aeroportit Domodedovo në Moskë. Më shumë se 400 njerëz dhe 70 automjete u dërguan në zonën ku ra avioni, njoftoi Ministria ruse për Emergjencat. Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar një komision special për të hetuar shkaqet e rrëzimit të avionit Antonov AN-148.

Hetuesit rusë thonë se ekuipazhi i avionit që u rrëzua pranë Moskës të dielën nuk kishte raportuar probleme teknike para fatkeqësisë. Ministri i Transportit, Maxim Sokolov, tha se ishte ende herët për të përcaktuar shkakun.

“Departamentet e hetimit dhe Komisioni i Aviacionit Civil po hetojnë të gjitha pikëpyetjet rreth shkakut të rrëzimit. Ndaj është shumë herët të njoftojmë ndonjë konkluzion. Specialistët janë duke punuar, duke mbledhur pjesët e avionit, dhe po kërkojnë kutitë e zeza. Sapo të marrim rezultatet dhe të bëjmë shqyrtimin e tyre, do të jemi në gjendje të flasim për arsyet e rrëzimit.”

Avioni i kompanisë “Saratov Airlines” u nis nga aeroporti Domodedovo në orën 2:48 pasdite sipas orës lokale. Pas pak minutash aeroplani humbi kontaktin me radio dhe u zhduk nga radarët.

Banorët thonë se dëgjuan një shpërthim të fuqishëm.

“Fillimisht thirrëm stacionin lokal të emergjencës. Menduam se kishte shpërthyer stacioni. Ata na lajmëruan se ishte rrëzuar një aeroplan, fillimisht kujtuan se ishte helikopter. Pastaj konfirmuan se ishte një aeroplan”, thotë një banor.

Aeroplani me 65 udhëtarë dhe ekuipazh prej gjashtë vetësh fluturonte nga Moska për në Orsk. Ministri i transporteve tha se psikologët dhe punonjësit e siguracionit ishin dërguar në rajonin Orenburg për të punuar me familjet e viktimave. Në bazë të ligjit federal, tha ai, familjet mund të merrnin rreth 35 mijë dollarë nga siguracioni, por qeveria vendëse mund ta rrisë shumën.

Në Rusi kanë ndodhur disa fatëkeqësi ajrore gjatë viteve të fundit, përfshi rrëzimin në dhjetor të vitit 2016 të një avioni ushtarak me Korin e Ushtrisë së Kuqe. Aeroplani me 92 njerëz në bord u rrëzua sapo u nis nga vendpushimi Sochi në Detin e Zi. Shkak për rrëzimin thuhet se ishin gabimet e pilotit. Katastrofa më e rëndë ajrore ishte ajo e vitit 2015 e një avioni me turistë nga një vendpushim në Egjipt drejt Shën Peterburgut. Një grup terrorist i lidhur me Shtetin Islamik mori përgjegjësinë për sulmin që u mori jetën të 224 njerëzve në bord.

Please follow and like us: