Skënder Sherifi: ODISEJA E DASHURISË

 

 

HAPJA E VEPRËS, me Hyrje muzikore simfonike

 

Të dua, oh po të dua mbi gjithçka që ekziston

përtej Fjalëve dhe Heshtjeve në dekadencë

Qeshjeve dhe Lotëve në Vjeshtën e trishtuar

Përrenjve dhe Lumenjve në Urtinë e shamatuar

Bjeshkëve të bleruara e Shkreptimave të harruara

Deteve dhe Oqeaneve në Universin e pashkruar

Tokave nën flakë djegur dhe Qiejve të përndezur

Horizonteve xixëlluese si Fishekzjarrët e Festave

dhe Diejve rrezatues në Ëndrrën e thellë … heshtur!

 

Po të dua më shumë se gjithçka në Botë krijuar

përtej Jetës dhe Vdekjes, në Ekzistencën e amshuar

tej Mbretërive dhe Perandorive që tani më s’janë!

Në Ditët më të bukura dhe në Fatet më të zeza

të dua përtej Universeve, hapësirës dhe Kohës

përtej Fushës magnetike, Materies dhe Eterit

në përjetësinë e Momentit, të ëmbëlsisë dhe Nderit

përtej Dimensionit gavitacional të “ Matricës – X ”

Në të gjitha Stinët e mundshme

në të gjitha Kohërat e tundshme

në Uraganin e mistereve dhe të Dëshirave të plota

nga Qenia deri në Asgjësi, nga Qeliza në perfeksion

Përtej pyetjeve dhe Lutjeve nën dëshirën e Dashurisë

Sigurive dhe Frikërave që kemi në Jetë dhe në mos-jetë

mes Pafundësisë së thërrmijës

dhe milimetrisë së Gjigandes …

 

2

Ah, po e Dashura ime, që në Zemër më banon

të dua në Puthje, të dua … me afsh e Pasion

Pafundësisht – hyjnisht – flakërisht në Flakë

Dhembshurisht – çuditërisht – thellësisht në Thellësi

I përhumbur – marrëzisht

thelbit të thelbeve, thelbësisht … nga Tërësia në Hiç!

Dritësisht – në dritë thekur, rrezikshmërisht

Lozonjarisht, në aventurë, lajkarisht

Çmendurisht, si i sëmurë, dhe dashurisht …

Ndjenjërisht gjer në panumërim dhe në pakuptim

Përjetësisht, dehurisht – ëmbëlsisht në Mjelmurinë

Seksualisht gjer ku s’ka limit, erotikisht

Epshërisht gjer në shkrirje, përtej sensit gotik

Romantikisht, gjer në romantike sublime

Dreqësisht dhe pafajësisht, gjer në skajin që fik!

 

Po, po është e marrëzishme mënyra si të dua

në shkrirje – jashtë çdo Kufiri dhe Thelbi Surrealisht –

pa kushte gjer në Fund të fundeve

në Ethe zhytur, me idhnim, në një Etje të pashuar

Jashtë çdo Arsye e logjike të shkruar e të pashkruar

jashtë gjitha Normave – me Prekje të lehta sensuale

jashtë çdo Rezistence, ti s’ke më të voglin Shans

për të më kundërshtuar – unë jam eterik dhe depërtues

më i shkathët sesa Dhelpra, më insistues se një Knues!

Jashtë çdo Durimi, në shkatërrim të çdo Dëshpërimi

nën Hënë, me stilin e saj hënërisht nën rreze argjendi

nën Diell, diellisht, me një Ngrohtësi që zgjon Gjenet

Yllësisht, nën yje që në Univers vijnë e shkojnë

i bindur sentimentalisht dhe pabesueshmërisht…

 

Më shumë se çdo gjë, të dua deri në Vdekje

Rigorozisht me triptik, asketikisht e barokisht

Mistikisht në mister – fetarisht, në Parajsë e Ferr

Fatalisht në pakthim, tragjikisht në Tragjedi

Errësisht në sterr të zi, kokëfortësisht në Dijëshmëri…

Me vetëdije, në nënvetëdije dhe plot Pasion

Pavedijshmërisht në pavdekësi – mjegullisht

në Anarshi Humoristikisht në gaz e shend – kotësisht në Asgjësi!

Falas jepem, falas marr, Dashuria ka çmim të shtrenjtë

Bukurisht jam bërë Skllav

kujdeshmërisht kam marrë vlerë

Rastësisht të kam njohur në Pranverë

Përjashtimisht jam dashuruar gjer në Humnerë…

Dhe mbi gjithçka në këtë Botë unë të dua, dhe të çmoj

Madhërisht të madhëroj – Organikisht të përvetësoj

Brendësisht të burgos – Fizikisht të marr në krahë

Psiqikisht të sundoj, gjer në Ndjenjën më të shtrenjtë

Moralisht të nënshtrohem, intelektualisht të përkëdhel

Ndjeshmërisht bisedojmë në Botën tonë plot Jetë

Randësisht në jepemi Netëve vullkanike

kurvërisht harbojmë ngado, Hapësirave galaktike…!

Zbulueshmërisht zbulojmë veten shenjtërisht ne pendohemi

Belbërisht ne belbëzojmë

Princërisht bëjmë lajka e naze

dhe përvesisht ia rifillojmë

me ca grindje të papërshtatshme, kapriçoze…

Energjikisht protestojmë, Tajfunërisht shkatërrojmë

Shkreptimisht shpërthejmë me njëmijë Nerva

paqërisht pajtohemi, harxhojmë Rezerva

Dhe mbretërisht ne dashurohemi pa Ngarkesa

sikur të tjerë s’ka në këtë Botë plot pengesa!

 

– Po atëherë s’paska asnjë dyshim, more Maçoku im

Më dashke totalisht, dhe kjo më trand ëmbëlsisht!