Albspirit

Media/News/Publishing

Suzana Tahiri: Homazh për dashuritë e pambaruara me dhimbje pafund

Në vend të një urimi për festën e Shën Valentinit

Edhe një ditë më shumë, edhe një Shën Valentine më tepër. Në prehërin tim shtohet dhimbja dhe shtrydhet shpirti im, nga kujtesa për ty që s’më zë mendja dhe syri i uritur shton mallin për ty; në shpirtin tim, të venitur nga mendimet që s’të kam pranë dhe të kam humbur përgjithmonë, andaj, më vjen të ulurij në kupë të qiellit, sepse, jeta pa ty nuk ka kuptim për mua dhe më bën të mos shoh asgjë me sytë e mi që asokohe t’i fala vetëm ty.
Shpeshherë kemi qenë të lumtur, me caste të bukura dhe të parrëfyeshme që më shumë ndihen se sa tregohen, duke menduar se do jemi të pandashëm dhe përgjithmonë të jesh i imi: I vetmi yll në qiellin blu parajsor…
Por, ja se jeta qenka shumë e vrazhdë dhe e vështirë pa ty, që të desha nga thellësia e zemrës dhe qenësia ime e gatuar për ty, i dashur im! Edhe një natë, sikur të isha pranë teje do ta ndizja flakën në ty dhe ti në mua…
Mundohem të fle, por ja se kot! Pa aromën tënde gjumi nuk vjen në sytë e mi të përlotur për ty dhe aromën tende… Tani, vetëm lotët më shoqërojnë dhe sikur më këndojnë këngën e ngushëllimit, për shpirtin tim që iku në qiellin paskaj.
Por, ç’të bëj? – kur jeta i merr të mirët dhe mua më la të verbër nga dashuria për ty dhe tani nuk mundem te shkruaj më, sepse kam dhimbje në zemër dhe kur dhemb zemra, trondit çdo pjesë të trupit të plagosur nga dhimbja për dashurinë e humbur. Prandaj, më dridhej dora me të cilën po e shkruaj këtë copë letër të mbështjellë me dhimbje që më shpojnë kudo në trup. Nuk e di! – ndoshta koha do t`i lidhë plagët e mia? Mirëpo, dashuria për ty, asnjëherë nuk do të venitet në shpirtin tim.
Ndoshta, prapë ushqehem nga shpresa që do të vijë një ditë kur për mua e tërë kjo do të jetë një e kaluar e hidhur, që nuk do ta kujtoj as për një moment, ndoshta…
Kam shpresë se do të vijnë ditët e lumtura për mua, por një gjë e di se ti nuk je pjesë e asaj të ardhmes sepse nuk e meriton!

 

13 shkurt 2016

Please follow and like us: