Andi BEJTJA: Arti si shtesë pallati

Një duzinë aktorësh po protestojnë këto ditë, siç thonë dhe vetë, për të ruajtur vendin e tyre të punës, godinën e Teatrit Kombëtar, por në fakt ndoshta pa vetëdije po protestojnë për diçka më shumë, për diçka më të madhe dhe qytetare: po protestojnë për të ruajtur atë pak memorie historike të qytetit. Prandaj, në fakt kjo nuk është thjeshtë një protestë e aktorëve të Teatrit.

Sot, nuk duhet të shtrohet çështja; a do të ndërtohet Teatri i Ri Kombëtar në direkun e një vaporri -pallat, që do të fillojë te ish-PD-ja vjetër e do të mbarojë tek Ministria Rendit, bashkë me teatrin si shtesë Pallati, por a do të mbetet Teatri i mëvetësishëm i rikonstrutar, si një vlerë historike e këtij qyteti.

Sot, më mirë ky teatër, të mbesë simbol i “brekëve të Violeta Manushit”, se sa simbol i  një qendre të madhe tregtare. Fatkeqësisht, ka mbetur shumë pak për të mbrojtur dhe sic ka thënë dikur Spartak Ngjela, ky qytet po kthehet në as më pak e as më shumë në një fjetore të madhe dhe ky është krimi më i madh që i është bërë këtij qyteti, i pariparueshëm,  i pakthyeshëm dhe miliona vite burg i dënueshëm.

Sot disa zëra të veçuar që etiketohen nga Kryeministri “kazan” dhe një pjesë e medias serioze gjithashtu “Kazan” për Kryeministrin, na sollën në kujtesë se si bazuar në të famshmen formulë të Ramës partneritet Publik- Privat, u zhduk Kinema 17 Nëntori, një nga vlerat më të mëdha historike të këtij qyteti, u zhduk kinema Republika, u zhdukën muzera, jo një po disa.

Sot Stadiumin Kombëtar Qemal Stafa që dhe ashtu si ishte përfaqësonte një vlere historike të këtij qyteti edhe pse është lënë me perimetër të mëvetësishëm i kanë ngjitur po një kullë sipër, sikur dikush ka vënë bast, që po nuk pati pallat rrethe qark ta ketë sipër.

Fytyra e këtij qyteti sot, është ai monumenti otoman përbri Partizanit të Panjohur, i harkuar nga të gjitha anët dhe sipër nga një godinë shumëkatëshe, që duket si një embrion fëmije që barkun e asaj godine shumëkatëshe që nuk do ta lërë të lindë kurrë.

Sot, për momentin e vetmja godinë arti me perimetër të mëvetësishëm është Teatri i Operës dhe Baletit, fati i së cilës gjithashtu ka gjasa të jetë me pikëpyetje. Të vetmet kompromise që vendet e qytetëruara përfshi dhe Vatikanin, kanë bërë me nazistët, janë lidhur pikërisht me mosprekjen e memories historike të qytetit, ndërsa për ne, ky është kompromisi më i  pamundshëm që mund të bëjmë më bashkatdhetarët që na qeverisin.

Ndaj,sot teksa një duzinë aktorësh po protestojnë për këtë godinë Teatri, ndoshta është koha t’i kërkojmë falje shqiptarëve për protestat e munguara qytetare në ruajtje të memories historike të këtij qyteti.

Duhet të kishim protestuar për kinematë e humbura të këtij qyteti, për muzetë e humbura, për kalldrëmet e humbura e shumë e shumë të tjera, duhet të kishim protestuar që kur u prish lartësia e bulevardit nga kullat përballë Piramidës, lartësi të cilën nuk guxoi ta prishte as diktatori Enver Hoxha.

Sot po të shëtisësh në rrugët e këtij qyteti kupton dy gjëra: që arti është shtesë pallatesh dhe që ky qytet është qeverisur, nga të paluturuar, injorantë dhe mbi të gjitha nga hajdutë.