Albspirit

Media/News/Publishing

Elez Biberaj: Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës

 

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës paraqet një moment kyç në tranzicionin e vështirë të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një sitem shumë-partiak.
Kjo ngjarje gjithashtu paraqet një nga mbulimet më të rëndesishme të zhvillimeve në Shqipëri nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës.
Në shkurt te vitit 1991, Zëri i Amerikës ishte në një pozitë të veçantë për t’i mbuluar ngjarjet në Shqipëri. Me mbulimin e zhvillimeve kryesore gjatë vitit 1990, Zëri i Amerikës kishte nxitur elementët reformatorë dhe kishte arritur deri dikund t’i jepte formë debatit politik që po zhvillohej në vend. Si rrjedhim, Zëri i Amerikës kishte fituar popullaritet si një burim i besueshëm lajmesh.
Në Perëndim dominonte mendimi se për shkak të natyrës së ashpër të regjimit shqiptar, shanset e një tranzicioni paqësor në demokraci ishin, në rastin më të mirë, të vogla. Për ne ishte parësore që në emisionet tona të mos kishte nxitje dhune. Ne ishim të kujdesshëm dhe përmbajtja, gjuha dhe toni i transmetimeve tona ishte në përputhje të plotë me standartet më të larta të Zërit të Amerikës. Përmes raportimeve, intervistave, deklaratave zyrtare të qeverisë amerikane dhe analizave tona ne theksonim nevojën për ndryshime paqësore dhe bënim thirrje për qetësi. Besoj se Zëri i Amerikës ka luajtur një rol moderues gjatë atyre situatave jashtëzakonisht të tensionuara.
Ndërsa Zëri i Amerikës përpiqej të ishte një vëzhgues objektiv i zhvillimeve në Shqipëri, programet tona kishin synime të qarta: mbeshtetjen e kërkesave të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Ne ishim shumë të interesuar që lëvizja studentore të çonte në krijimin e një sistemi demokratik, që do të respektonte plotësisht të drejtat e njeriut, dhe që Shqipëria më në fund t’i bashkohej familjes së vendeve të lira.
Mënjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit 1990, çështja se si duhej trajtuar figura e Enver Hoxhës dhe trashëgimia e tij u bënë çështje kontestuese në marrëdhëniet mes qeverisë, e cila ishte e vendosur të mbronte trashëgiminë e diktatorit, dhe opozitës, që kërkonte de-Hoxhaizimin e vendit.
Partia Demokratike, në Programin e saj Minimal, të botuar me 12 dhjetor dhe të transmetuar në tëresi nga Zëri i Amerikës me 19 dhjetor, ishte zotuar të realizonte programin e saj në rrugë parlamentare, paqësore, dhe demokratike. Me gjithë kërkesat për de-politizimin e forcave të armatosura, të organeve të sigurimit dhe të drejtësisë, fillimisht Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare mbanin një qëndrim të kujdesshëm. Të shqetësuar nga mundësia e përplasjës me forcat konservatore komuniste, që kontrollonin ushtrinë, policinë dhe Sigurimin, udhëheqësit e rinj opozitarë ishin të kujdesshëm, që të mos provokonin forcat e vjetra dhe kërkonin ndryshime graduale.
Ky qëndrim i opozitës pasqyrohej ne intervistat që Zëri i Amerikës zhvilloi – pas 12 dhjetorit e deri nga fundi i janarit – me udhëheqësit opozitarë, përfshirë Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Azem Hajdarin, Arben Imamin, Besnik Mustafajn, Sabri Godon si dhe me intelektualë te shqyar, përkrahes te ndryshimeve demokratike, si Ismail Kadare, Dritero Agolli, Neshat Tozaj, Arben Puto, etj.
Një muaj pas krijimit të Partisë Demokratike, ne zhvilluam intervistën e parë të plotë, për një gamë të gjerë çështjesh me Sali Berishën. Intervista u transmetua me dy pjesë, më 12 dhe 13 janar 1991. Kryetari i Partisë Demokratike dhe ndihmësit e tij kryesorë ende nuk e kishin kritikuar publikisht Enver Hoxhën.
I pyetur drejtpërdrejtë se si e vlerësonte figurën e Enver Hoxhës, Berisha dha një përgjigje të kujdesshme, siç duket me synim për të kënaqur si komunistët ashtu edhe anti-komunistët. Berisha e cilësoi Hoxhën si një figurë komplekse që kishte udhëhequr Luftën Nacional Çlirimtare, dhe se nën udhëheqjen e tij Shqipëria kishte shënuar “arritje të pamohueshme.” Njëkohësisht, ai e cilësoi Hoxha si një diktator, që me politikat e tij të luftës së klasave dhe të izolimit i kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha Shqipërisë.
Por ndërsa udhëheqësit e Partisë Demokratike mbanin një qëndrim të kujdësshëm ndaj figures së Enver Hoxhës, një grup aktivistësh dhe ish të burgosurish politikë, mbanin një qëndrim më të ashpër, duke kërkuar hedhjen poshtë menjëherë të Enver Hoxhës dhe kritikonin ashpër opozitën zyrtare pse nuk po tregonte angazhimin e duhur për de-Hoxhaizimin e Shqipërisë.
Më 11 janar, 1991, ne transmetuam një intervistë me Edi Rama, në atë kohë pedagog në Institutin e Arteve. Rama kishte organizuar një peticion, i cili u nënshkrua nga 480 vetë dhe iu dërgua Kuvendit Popullor, me anë të cilit kërkohej ndër të tjera rivlerësimi i Enver Hoxhës. Në intervistë për Zërin e Amerikës, Rama kritikoi ashpër Ramiz Alinë dhe Partinë e Punës dhe theksoi se, “Pa një rishikim të plotë e të saktë të së kaluarës nuk mund të bëhen hapa përpara.” Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama tha:

“Ka shumë opinione këtu që thonë se janë disa njerez që duan të hedhin baltë mbi figurën e Enver Hoxhës. Unë desha vetëm të shtoj një frazë në atë që ne nuk duam të hedhim baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, por duam të heqim baltën që na ka hedhur Enver Hoxha neve.”

Më 20 Janar 1991, ne zhvilluam një intervistë me shkrimtarin disident Kasëm Trebeshina, i cili kishte kaluar 17 vjet në burg. Trebeshina theksoi se nuk kishte pranuar të merrte pjesë në aktivitetet e atëhershme politike pasi partitë e reja politike nuk kishin programe të qarta, strategjike dhe “nguronin të preknin kultin e Hoxhës.” Në intervistë Trebeshina tha:

“Këto parti nuk mund ta kuptojnë se duhet një program strategjik për ta çuar vendin përpara, por merren me particizma edhe ngurojnë qe të prekin direkt kultin e Enver Hoxhës, kufoma e tij që qëndron si një arkivol përpara në rrugën e popullit shqiptar edhe nuk e le të eci përpara drejt demokracisë. Po nuk u hoq ky arkivol nga rruga dhe të flaket, populli shqiptar nuk mund të eci përpara.”

Udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët në atë kohë ishin përfshirë në një luftë të ashpër për kreun e partisë, u përballën me kritika të ashpra, që po tregoheshin shumë të butë lidhur me çështjen Hoxha.
Ne e trajtuam këtë çështje në një intervistë me Azem Hajdarin, të transmetuar më 8 shkurt 1991, pesë ditë para se Berisha të zgjidhej kryetar i partisë.
Qëndrimet e Hajdari ishin më të afërta me ndjenjat anti-kuministe të popullsisë dhe ai kishte prirjen të mbante qëndrime më ballafaquese se sa Berisha ose Pashko. Hajdari u pyet të përgjigjej për kritikat se Partia Demokratike nuk ishte një parti e vërtetë opozitare dhe se ishte krijuar me nismën ose propozimin e Ramiz Alisë. Ai bëri thirrje për dënimin e Enver Hoxhës, dhe shprehu mbështetje pa rezerva për Berishën dhe Pashkon. Ai e cilësoi Berishën si “flamurtari i pluralizmit politik,” dhe Pashkon si të parin që kishte bërë thirrje për ekonomi tregu dhe që kishte mbështetur Kadarenë kur shkrimtari kërkoi strehim politik në Francë.
Ndërsa gjendja e përgjithshme politike dhe ekonomike po përkeqësohej, Presidenti Alia vazhdonte t’u rezistonte thirrjeve për një ndarje të qartë me të kaluarën. Pas shtimit të sulmeve kundër simboleve të diktaturës, me 22 janar 1991, Alia miratoi një dekret për gjoja mbrojtjen e monumenteve të figurave kombëtare shqiptare, por që qartazi synonte t’u jepte fund sulmeve ndaj monumenteve të Hoxhës.
Berisha, Pashko dhe Hajdari menjëherë e dënuan dekretin e Alisë, por nuk kërkuan shkëputje të qartë nga e kaluara. Udhëheqja e Partisë Demokratike në atë kohë ballafaqohej me sfida më të ngutëshme e më të mprehta se ajo e Hoxhës: anti-mitingje të organizuara nga forcat komuniste no zona te ndryshme të vendit, frika e humbjes së kontrollit mbi lëvizjen e opozitës dhe shqetësimi që grupe dhe udhëheqës më radikalë mund të siguronin përkrahje popullore.
Pas shpalljës së dekretit të Presidentit Alia, gjendja politike dhe e sigurisë u përkeqësua me shpejtësi, u shtuan trazirat, grevat, sulmet ndaj zyrave të partisë komuniste, dhe në Durrës policia u përlesh me qytetarë të dëshpëruar që donin të shkonin në Itali. Studentët në Kamëz dhe në Tiranë u hodhën në grevë. Kërkesa kryesore e studentëve në Tiranë ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Pasi qeveria nuk i mori parasysh kërkesat e studentëve, më 18 shkurt 1991 mbi 700 studentë, përfshirë rreth 200 studente, si dhe pedagogë, filluan një grevë urije.
Ngjarjet që të çonin në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, i dhanë Zërit të Amerikës, një mundësi të jashtëzakonshme, që ne e përdorëm deri në maksimum, për t’i dhënë zë lëvizjes së studentëve dhe forcave demokratike dhe për të theksur se përpjekjet e Presidentit Alia për të mbrojtur trashëgiminë e Hoxhës dhe për të ngadalësuar proceset demokratike do të deshtonin.
Ne mobilizuam githë burimet tona, zgjeruam mbulimin e ngjarjeve në Tiranë dhe praktikisht thyem monopolin e regjimit mbi informacionin.
Mbulimi ynë u përqëndrua në tre aspektet kryesore:
• Ne arritëm të vendosnim një lidhje të drejtpërdrejtë komunikimi telefonik me studentët grevistë, ç’ka na krijoi mundësinë të kishim njoftimet më të fundit për situatën dhe për të shpjeguar natyrën e kërkesave të tyre.
• Ne transmtuam intervista ose përmbledhje intervistash me personalitete të njohura shqiptare, të cilët gëzonin autoritet moral, si dhe me udhëheqës opozitarë, që shprehënin mbështetje të plotë për studentët.
• Ky mbulim u plotësua më tej me komentet dhe analizat tona, me reagimet e zyrtarëve dhe ekspertëve të huaj si dhe me përmbledhjen e artikujve të shtypit amerikan dhe atij të Evropës Perëndimore.

Më 18 shkurt 1991, ditën e parë të grevës së urisë, në një analize, unë sugjeroja që Alia kishte vetëm një mundësi realiste: të pranonte kërkesat e studentëve.

“… Klima e re politike e bënë të lëhtë që Presidenti Alia t’i jap fund njëherë e përgjithmonë trashëgimisë së Enver Hoxhës për të mirën e Atdheut. Në kushtet e pluralizmit politik, i cili lindi si reagim i diktaturës së trashëguar nga Enver Hoxha, nuk mund të ketë vend për kultin enverist… Me Enver Hoxhën mund të mburret Partia e Punës, por jo populli shqiptar, i cili aktualisht po ballafaqohet me krizën më të thellë në këtë gjysëm shekulli, pikërisht si rrjedhim i politikës dritëshkurtër të diktatorit.”

Më 19 shkurt 1991, një ditë para rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, të dy emisionet tona, pas lajmeve ndërkombëtare, iu kushtuan tërësisht grevës së studentëve. Emisioni i orës 18, emisioni ynë kryesor, përmbante një raport të posaçëm dhe u hap me lajmin se pleniumi i Komitetit Qëndror, që ishte mbledhur atë ditë, kishte mbështetur vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kërkesat e studentëve. Lajmi u pasua nga intervistat me drejtuesit e studentëve Ridvan Peshkëpia dhe Arben Lika. Peshkëpia theksonte se studentët kërkonin dialog, por ishin të vendosur të vazhdonin grevën deri në plotësimin e kërkesave. Arben Lika shprehu të njejtat ide duke shtuar:

“Nuk jam mirë akoma. Do të jem mirë vetëm atëherë kur ta marrim vesh saktësisht që është hequr emri i Enver Hoxhës nga universiteti jonë, vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i them vetes të hyjë në dyert e këtij universiteti. Vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i kërkoj edhe kombit tim paksa qetësi, paksa admirim, paksa admirim për këtë rini kaq të mrekullueshme, për lirinë universitare, për shokët e mi që bënë një sakrificë kaq sublime.”

Ndërsa në fillim opozita dukej se nuk u kishte dhënë mbështejtje të fortë studentëve potestues, tani udhëheqësit e Partisë Demokratike, në intervista me Zërin e Amerikës, i mbështetën plotësisht kërkesat e studentëve. Gramoz Pashko, me një ndjenjë alarmi, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe të parandalojë një gjenocid të mundshëm. Ndërsa Berisha deklaroi se, “Do të ishte tragjike që kulti i individit të Enver Hoxhës të bëhej shkak për një dramë të madhe kombëtare.”
Napoleon Roshi, drejtor i Radios së Jashtme të Tiranës, në një intervistë të drejtpërdrejtë telefonike nga Qyteti Studenti kritikoi autoritetet për manipulimin që po i bënin opinionit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë atij në Kosovë, dhe bëri një thirrje emocionale për mbështetje ndërkombëtare për demokratizimin e Shqipërisë.

“Po të flas nga Qyteti Studenti, ku 720 bijë dhe bija nga më të mirët e Shqipërisë, ajka e rinisë shqiptare, janë në një grevë të drejtë urije. Kërkesa e studentëve është që t’i hiqet emri Enver Hoxha sepse nuk mund të ketë depolitizim të universitetit po që së nuk i hiqet emri që përfaqëson një parti. Më shqetëson një gjë. Më shqetëson manipulimi i opinionit ndërkombëtar, heshtja e opinionit ndërkombëtar në një kohë kur 700 bijë dhe bija të Shqipërisë bëjnë grevë urije për një kërkesë të drejtë… Nuk mund të ketë demokratizim të jetës pa u plotësuar kjo kërkesë elementare e studentëve.”

Në emisionin e orës 20:30 më 19 shkurt, ne transmetuam të rejat e fundit. Cituam burime nga Tirana që vinin në dukje se forcat policore dhe ushtarake kishin rethuar Qytetin e Studentit, studentët këmbëngulnin se nuk kishin ndërmend t’i jepnin fund grevës së urisë, dhe se ata gëzonin mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Por segmenti më i rëndësishëm i emisionit ishte një intervistë me Ismail Kadarenë, i cili shprehu mbështetje pa asnjë mëdyshje për studentët. Shkrimtari i shquar tha se studentët po luftonin për “dinjitetin e Shqipërisë” dhe shtoi se, “Asnjë shqiptar nuk duhet të vuajë, të dënohet këtej e tutje për shkak të emrit të Enver Hoxhës.” Kadare më pas i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme Presidentit Alia:

“I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të keqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Ata e duan Shqipërinë më shumë se këshilltarët e keqij. Në qoftë se Presidenti Ramiz Alia dëshiron që bota përparimtare ta përkrahë aksionin e tij të pajtimit kombëtar e të demokracisë, në qoftë se ai e dëshiron më të vërtetë këtë pajtim, e unë shpresoj se është kështu, ai duhet të mbledhë mendjen njëherë e përgjithmonë se përpara interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve s’mund të qëndrojë asgjë dhe askush, asnjë doktrinë, asnjë emër, asnjë parti, e asnjë shef partie. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri.”

Menjëherë pas emisionit mora disa telefonata kërcënuese dhe tepër armiqësore, disa besoj nga Shqipëria dhe të tjera nga vende të Evropës Perëndimore, me akuza se transmetimet tona po e çonin Shqipërinë drejt një lufte civile.
E mërkura, 20 shkurt 1991, do të sillte zhvillime dramatike. Në mëngjes përmes telefonit kontaktova burimet tona të Tiranë. Njoftimet ishin alarmuese: mijëra njerëz ishin mbledhur në Sheshin Skëndërbej, tanket kishin dalë në qytet, dhe dukej se Shqipëria ishte në prag të një ballafaqimi të rrezikshëm.
Por pak para fillimit të emisionit, morrëm lajmin se mbi 100,000 njerëz, të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës, kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës.
Zëri i Amerikës e filloi emisionin duke njoftuar se simboli më i rëndësishëm që kishte mbetur ende nga komunizmi në Shqipëri më në fund kishte rënë. Por kriza nuk kishte përfunduar: qeveria ende nuk i kishte pranuar kërkesat e studentëve.
I gjithë emisioni atë ditë iu kushtua zhvillimeve në Shqipëri dhe përmbante intervista me përfaqësues të studentëve dhe disa personalitete të shquara, mes tyre Profesor Rexhep Qosja, Sali Berisha, Ridvan Peshkëpia, Arben Demeti, dhe disa studentë grevistë.
Gjatë dy ditëve të fundit, nga Prishtina kishte sinjale të ndryshme. Ndërsa studentët atje, ishin në solidaritet me vëllezërit dhe motrat e tyre në Tiranë, disa figura të njohura në Kosovë u kishin bërë thirrje publike studentëve ta ndërprisnin grevën e urisë. Deklaratave kritike ndaj protestuesve të ish udhëdheqësit të partisë komuniste Mahmut Bakalli dhe të profesorit të njohur Mark Krasniqi, u ishte dhënë rëndësi e veçantë nga shtypi i kontrolluar nga qeveria në Tiranë.
Profesor Qosja gëzonte mbështetje nga të dyja palët në Shqipëri. Ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e qëndrimit të Kosovës ndaj Kadaresë, kur ai u largua nga vendi dhe gjatë demonstratave të dhjetorit të studentëve. Në të dyja rastet, ai e kishte bërë të ditur qëndrimin e tij në intervista me Zërin e Amerikës. Demokratët, nga ana tjetër, kishin marrë një shprehje të Qoses gjatë një intervistë me Zërin e Amerikës, më 13 dhjetor 1990, për t’i vënë titullin gazetës së tyre Rilindja Demokratike. Berisha, në intervistën e tij të parë me Zërin e Amerikës, më 12 dhjetor 1990, i pyetur për sfidat e pajtimit kombëtar, ishte përgjigjur duke cituar Qosen: “I përmbahemi asaj që thotë Rexhep Qosja: në luftë me vëllaun kërkush s’fiton”.
Qosja ishte një mbështetës i hapur i Presidentit Alia dhe unë nuk isha i sigurtë se çfarë qëndrimi do të mbante. Qosja i bëri thirrje Presidentit Alia të pranonte kërkesat e studentëve, duke shtuar se “e drejta është në anën e tyre” dhe se “është e palejueshme që për shkak të një emri të vdekur të bijë qoftë edhe një pikë gjaku në Sheshin e Skëndërbeut!” Qosja i bëri një thirrje emocionale Ramiz Alisë: “Studentët po kërkojnë t’i hiqet emri Enver Hoxha këtij universiteti. Le t’i hiqet! Universiteti është i popullit, i Shqipërisë, e jo i partive. Nuk jetohet prej namit të të vdekurve e sidomos nuk jetohet prej namit të atij që ka vdekur dyfish: edhe si njeri, edhe si simbol. E ka vdekur dyfish sepse ishte diktator.”
Në intervistën e tij, Sali Berishën bënte thirrje për qetësi dhe u kërkoi përkrahësve të mos binin pre e provokimeve të komunistëve: “Levizja studentore është një lëvizje demokratike ose më drejtë, pararoja e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ajo nuk synon aspak në destabilizimin e gjëndjes, provokimin e akteve të dhunës, apo përleshjeve sociale. Përkundrazi, ajo ka si qëllim kryesor vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri… Vetëm një Shqipëri demokratike, me qytetarë të lirë, me qytetarë që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e individit do mund t’u dalë zot dhe të mbrojë interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata janë.”
Ridvan Peshkëpia and Arben Demeti përshëndetën rrëzimin e monumentit, por theksuan se greva e urisë do të vazhdonte deri në plotësimin e kërkesave të studentëve. Ne po ashtu transmetuam komente të shkurtëra nga një dëshmitare që kishte parë rrëzimin e monumentit dhe tre studente të reja që ishin në grevën e urisë.
Brenda dy orësh, kur i erdhi koha emisionit tonë të radhës, në orën 20:30, nga Tirana kishte lajme të mira: qeveria kishte ndryshuar qëndrim duke pranuar që emri i Enver Hoxhës t’i hiqej Universitetit të Tiranës, ndërsa studentët njoftuan se do t’i jepnin fund grevës së urisë. Ne transmetuam materiale që përshkruanin atmosferën festive në kryeqytet përmes intervistave me dëshmitarë.
Rrëzimi i monumentit të Hoxhës çoi në një acarim të rrezikshëm të gjendjes, Shqipëria dukej se ishte shumë pranë një lufte të gjithashme civile, dhe për disa ditë emisionet tona iu kushtuan pothuajse tërësisht mbulimit të trazirave.
Alia personalisht mori përsipër kontrollin e vendit, emëroi një këshill presidencial prej nëntë anëtarësh dhe zëvendësoi kryeministrin Adil Çarçani me Fatos Nanon. Po ashtu, ai arriti një marrëveshje me partitë e opozitës sipas së cilës ato ranë dakord të pezullonin gjithë veprmtaritë që lidheshin me emrin dhe monumentet e Hoxhës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 31 marsit 1991. Gjatë një fjalimi drejtuar vendit më 23 shkurt 1991, Alia u premtoi përkrahësve të vet se çështja e monumenteve të Hoxhës do të vendosej nga parlameti i ri, ose me referendum mbarëkombëtar pas zgjedhjeve.
Mirëpo, pas zgjedhjeve, vendi u përball me çështje më të mprehta dhe çështja Hoxha kurrë nuk u bë objekt i një diskutimi serioz nga elitat politike te vendit.
Njëzeteshtatë vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk janë shkëputur nga e kaluara e tyre e errët komuniste dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të dyzuar rreth figures së Hoxhës. Mungesa e një konsensusi për figuren dhe trashëgiminë e Enver Hoxhës vazhdon të prodhojë polarizim dhe debate të pafundme.
Fryma dominuese e vitit 1991 – që dënonte krimet e së kaluarës komuniste – duket së është zëvendësuar nga një frymë alternative:
• që nxjerr në pah rolin e Enver Hoxhës gjatë luftës
• vlerëson arritjet gjatë sundimit të tij por pa dënuar me vendosmëri terrorin e ushtruar nga Hoxha
• dhe arrinë deri aty sa të vendosë, në mënyrë të pamoralshme, shenja të barazisë mes qëndrimeve komuniste dhe atyre anti-komuniste.
Kujtesa e krimeve të Enver Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik. Ajo është lënë mënjanë dhe me ikjen e brezave të vjetër, kjo kujtesë gradualisht mund të fshihet.
Ndoshta kjo gjëndje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë. Sidoqoftë, mendoj së shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale që të përballen publikisht, të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste, dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e trashëguara nga regjimi i Enver Hoxhës.
Është me rëndësi që kujtesa historike të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më!

Fjalim në Konferencën “Rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës në Pasqyrimin e Shtypit Ndërkombëtar” 
Fondacioni Konrad Adenauer
Tiranë, 20 Shkurt, 2018

Please follow and like us: