Çerçiz Loloçi: Rezistenca iraniane dhe kryediplomati Murati
Çerçiz Loloçi
Me kërkesë të dy miqve, shkrimtarë dhe publicistë të rezistencës iraniane (MEK), të vendosur përkohësisht në qytezën e Manzës së Durrësit, bëmë sot në Tiranë një takim të përbashkët me kryediplomatin Shaban Murati.
Natyrisht zoti Murati s’ka qenë asnjëherë Ministër i Jashtëm nga qeveritë e majta dhe të djatha që janë këmbyer në këto 29 vjet në vendin tonë, por përballë atyre të caktuar nga partia, shpesh herë individë joseriozë apo megallomanë, ai është sipëror dhe me individualitet të spikatur.
Madje përvoja e gjatë si gazetar i marrëdhënieve ndërkombëtare, publicist, autor i disa librave të rëndësishëm themeltarë dhe patjetër diplomat karriere, ai ka dhënë një ndihmesë krejt të veçantë dhe të pangjashme me askënd tjetër.
Simpatia ime dhe jo vetëm ndaj Shaban Muratit kanë qenë edhe për angazhimin e tij kombëtar përballë sharlatanëve dhe fokloristëve që nuk kanë reshtur këndej dhe andej kufirit shtetëror (në shumë raste kanë prishur punë se sa kanë bërë diçka të mirë), por sidomos për ndjekjen sistematike të zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme dhe për sugjerimet mjaft të mençura dhe konstruktive për Tiranën e Prishtinën zyrtare apo për faktorin shqiptar në shtetet fqinje me Shqipërinë.
Në takimin e sotëm me miqtë e rezistencës iraniane, zoti Murati dëgjoi ekspozenë e tyre dhe i pyeti ata se çfarë e pengon Rezistencën Iraniane (MEK) që të mos njoh pavarësinë e Kosovës. Është fakt dhe vlerë njëkohësisht për qeveritë shqiptare, tha në thelb ai, që ju gjendeni në vendin tonë, por nga Rezistenca Iraniane nuk ka asnjë deklaratë apo qëndrim për pavarësinë e Kosovës.
Personalisht kam disa vjet që e mbështes Rezistencën Iraniane (ndryshe nga shumë individë dhe organizata hiena), kam marrë pjesë edhe në disa takime në Shqipëri dhe jashtë vendit, madje kam denoncuar disa profesorë dhe akademikë nga Tirana e Prishtina që bashkëpunojnë me revistën “Perla” që financohet nga Regjimi Iranian, pikërisht nga ai regjim që Kosovën e quan ende pjesë të Serbisë.
Duhet thënë se me liderët kryesorë të rezistencës iraniane janë takuar deputetë dhe ish deputetë, ministra dhe ish-ministra, kryeministër dhe ish-kryeministra, madje është ngritur edhe një grup miqësie legjislatorësh që kryesohet nga ish–deputeti Namik Kopliku, megjithatë asnjëherë nuk e kam dëgjuar një kërkesë të tillë në bisedimet formale dhe joformale dhe kjo është turpëruese për politikën shqiptare, por nuk e nderon gjithashtu edhe MEK.
Siç dihet Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shtetet më të rëndësishme të perëndimit, madje po ato vende me SHBA në krye që janë investuar në mbështetje të fuqishme të Rezistencës Iraniane. Po ashtu është e ditur që regjimi aktual në Iran e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë, madje këtë qëndrim nuk harrojnë ta përsërisin herë pas here teksa takohen me zyrtarë të lartë të Beogradit!
Sigurisht është pozitive që shteti ynë i pranoi pa mëdyshje dhe me një kërkesë të aleatit të vet strategjik, por ajo nuk është tërësisht pa kosto dhe më e pakta që mund të bënte Rezistenca Iraniane do të ishte njohja e menjëhershme e Pavarësisë së Kosovës.
Kush është Shaban Murati?
Diplomat karriere dhe gazetar. Autor i shumë librave, artikujve, aalizave dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to. Disa nga botimet e autorit:
- Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004.
- Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007.
- Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009.
- Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009.
- Hije në diplomacinë shqiptare – 2012.
- Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013.
- Rusia ballkanike – 2014.
- Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016.
- Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana- 2019.
Disa nga botimet e autorit
- Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004
- Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007
- Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009
- Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009
- Hije në diplomacinë shqiptare – 2012
- Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013
- Rusia ballkanike – 2014
- Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016