Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova s’ka kohë për të humbur

Nga Suzana Tahiri/
Ka disa kohë që protestat e dhunshme në Kosovë, të frymëzuara nga “Vetëvendosja” e dyshes Ymeri-Kurti, por edhe nga dy partitë e tjera (“Nisma” dhe “AAK”), kanë krijuar një gjendje ankthi dhe pasigurie në vend. Shkaku i këtyre protestave, sipas organizatorëve, janë dy marrëveshjet që Prishtina zyrtare ka nënshkruar me qeverinë e Malit të Zi dhe me atë të Serbisë.
Duke lënë mënjanë vlerësimin që ka bërë qeveria e Kosovës për këto protesta të dhunshme, aspak demokratike, faktori ndërkombëtar apo diplomacitë e vendeve më të zhvilluara euroatlantike (SHBA, BE) i kanë dënuar ato, madje kanë kërkuar që ndaj organizatorëve të veprojë drejtësia.
Mesazhi më domethënës rreth tyre e dha Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry që u fotografua me trupat e policisë në aeroportin “Adem Jashari” (pra që mbështeste përpjekjet e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend) dhe nuk u takua me asnjë nga drejtuesit e partive opozitare.
Natyrisht që marrëveshjet e qeverisë së Kosovës me dy qeveri fqinje nuk janë të përkryera dhe në një shtet normal demokratik ka rrugë të tjera (seancë pyetjesh me kryeministrin, padi në Gjykatën Kushtetuese, protesta paqësore gjithashtu në qendrat më kryesore, etj), por janë të papranueshme aktet vandale që na dëmtojnë të gjithëve.
Opozita në çdo demokraci, përfshi edhe në Kosovë dhe pikërisht tre partitë e sipërcituara, janë të domodoshme, por në çdo rast ato duhet të sillen si qytetarë dhe me kulturë demokratike. Asnjëherë nuk është vonë për t’i thirrur arsyes dhe për të qënë më konstruktivë duke u fokusuar më shumë në përparësitë që ka Kosova, për të cilat kanë përgjegjësi të përbashkët si pozita dhe opozita.

Please follow and like us: