Portalet, beteja e fituar me mediat e shkruara
Prirjes botërore për t’iu larguar shtypit të shkruar i është afruar vrullshëm edhe komuniteti shqiptar i gazetarëve, duke krijuar një lloj mediumi që shkon më shpejt te lexuesit dhe ka një ndikim gjithnjë e më të madh.
Nëse do t’i hidhim një sy një sajti botëror (alexa.com) që mat shikueshmërinë e portaleve në hapësirën shqiptare për datën 7 shkurt 2016 do të kishim këtë renditje në top dhjetë më të mirat: Gazetaexpress, Telegrafi, Lajmi.net, Balkanweb, Noa, Koha, Merrjep, Top Channel, Anabel dhe Syri. (Pavarësisht se ky sajt, ashtu si edhe Facebook apo rrjete të tjera sociale, të ngrenë më lart në renditje kundrejt pagesës, prirja flet qartë për mediat elektronike me më shumë influencë).
Dhe ndërsa disa prej tyre kanë një staf të kompletuar me reporterë dhe drejtues, portalet e tjera janë me 2-3 persona ose shpesh identifikohen me pronarët e tyre, si “Anabel” me Dalina Buzin, “Citynews” me Elvi Fundon, “Syri” me Çim Pekën, “Class” me Alketa Vejsiun, “Ana media” me Ardit Gjebrenë, “Noa” me Edison Kuranin, “Lapsi” me dyshen Shkullaku-Bushati, “Newsbomb” me Anila Bashën, “Droni” me Sami Nezën, “Përqasje” me Artur Nurën, “Civitas” me Armir Shkurtin, “Opozita” me Qazim Dodën, “Bordo” me Ilda Lumanin etj.
Përpos tyre ka një mjet tjetër, po aq efikas, ta krijon Facebook dhe jo vetëm. Një faqe personale, pa kurrfarë shpenzimi dhe me një minimum kohe në dispozicion, në këtë rrjet social është gjithherë më i ndjekur se të gjitha gazetat bashkë dhe një zë promovues apo opozitar kundër keqqeverisjeve, deformimeve të demokracisë, korrupsionit dhe shumë dukurive të tjera negative.
Ndërsa po të shikonim përafërsisht përqindjet e përdoruesve të internetit në botë, renditja e shteteve vjen në këtë mënyrë: Kina: 618,110,314 persona, India: 352,340,854, SHBA: 266,441,302, Japonia: 109,755,777, Brazili: 103,720,965, Rusia: 87,495,296, Gjermania: 68,131,244, Nigeria: 65,675,984, Britania e Madhe: 56,954,584 dhe Franca: 54,027,428 vetë.
Pra shqiptarët ashtu si edhe qytetarët e tjerë të botës, falë teknologjisë, kanë sot një mjet të mjaft të fuqishëm që mund ta përdorin në interes të shoqërisë dhe të vetvetes, çka nuk duhet t’i bëjë të ndihen keq pronarë dhe fanatikë të shtypit të shkruar, që duan apo s’duan, janë shndërruar në rudiment.