Albspirit

Media/News/Publishing

Armiqtë e Perëndimit janë edhe të Kosovës

Nga Suzana Tahiri

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së Kosovës, të parlamentit të saj dhe të shumë institucioneve të tjera, shteti më i ri i Europës ka një farë destabilitetit që vjen kryesisht dhe vetëm nga veprimet e dhunshme dhe pa alternativë të një pjese të opozitës, madje edhe të femrave deputete.

Natyrisht se kjo gjendje shqetëson gjithë shqiptarët e Kosovës, përfshi edhe anëtarësinë dhe militantët e Nismës, AAK dhe VV. Por më tepër se kaq shqetëson edhe kancelaritë perëndimore që kanë thënë prerë dhe qartë se opozita duhet t’i rikthehet dialogut, të heqë dorë një herë e mirë nga protestimi i dhunshëm dhe të shfrytëzojë hapësirat ligjore për kërkesat e saj.

Në takimin më të fundit të kryeparlamentarit Veseli me ambasadorët e tri nga vendet më të rëndësishme perëndimore, pra me Angelika Viets të Gjermanisë, me Maryse Daviet të Francës dhe Andreas Ferrarese të Italisë, është kumtuar se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në Kuvend.

Ambasadorët kanë shprehur shqetësimet e qeverive të tyre duke theksuar se “pamjet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës janë të papranueshme dhe të dhimbshme, me efekte të dëmshme, jo vetëm për funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe për proceset integruese të Kosovës, në radhë të parë, procesin e liberalizimit të vizave”.

Deklarata të ngjashme kanë dhënë gjithashtu edhe ambasadorët e SHBA dhe BE, të cilët gjithashtu kanë dënuar veprimet e dhunshme në protestat antiqeveritare. Përpos tyre ka një vend të rëndësishëm si Rusia, që nuk i intereson stabilitetit i Kosovës, çka në mënyrë të tërthortë, mund të jetë frymëzues dhe nxitës për veprime të tilla të përgjakshme.

Parë në këtë këndvështrim është e drejtë të pohohet se armiqtë e Perëndimit janë njëherësh edhe armiq të zhvillimit dhe begatimit të Kosovës dhe kjo këmbanë bie për ata që kanë veshë. Shqipëria në NATO, Maqedonia me gjysmën e popullsisë shqiptare shumë pranë saj, Mali i Zi (edhe me banorë shqiptarë) në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Kosova me një bazë amerikane – hapësira e trojeve shqiptare me popullsinë më proeuroatlantike do t’u rezervojë një fund të turpshëm kundërshtarëve të prirjes së natyrshme perëndimore.

Please follow and like us: