Albspirit

Media/News/Publishing

Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve tridhjetë

 

 

Marieta Shatro

 

Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje në kolegjin Saverian të Jezuitëve, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet më pas, së bashku me At Anton Arapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve” që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në Universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Tërhoqi vëmendjen e albanologëve Jokël e Lambert. Më 1939 u emërua Ministër i Arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Po në 1939 u emërua titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Romës. Në vitin 1940 organizoi në Tiranë Kongresin e Studimeve Shqiptare. Në 1941-1942 dërgoi në Kosovë 200 mësues dhe dha një numër të madh bursash studimi. Në 12 dhjetor 1941 hapi shkollën e parë të mesme në Kosovë. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit La Sapienca të Romës. I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij vdiq në Romë më 15 janar 1975. Pra, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë 41vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë këmbanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol.

 

Testamenti poetik

 

Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shęjzat’, që tingëllon si testament poetic. Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, ai njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shęjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe. E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studentore “Noi giovani” të Bergamos. Gjatë mërgimit në Jugosllavi botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike; më 1929, “Hija e maleve” e më 1935 “Tregtar flamujsh”, kushtuar jetës në Shkodër. Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i “Poetëve të mëdhej të Italisë”. Më pas botoi “Kangjellat e Rilindjes” (1959) dhe romanin “Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet. Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë “Dante Aligheri”; “Yllin e artë për merita të shkollës”; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut”, Anëtar nderi i qëndrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.

 

Nderimi nga arbëreshët

 

Disa vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dhe jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi. A mund t’i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe? Në 113 vjetorin e lindjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut. Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, ndërsa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodër, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu: “Kndojnë bashkë në mëngjes pesë kumbonare, këndojnë në ajri mbi Shkodër ende fjetur mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh në liqe synin e qetë. Përhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë, e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë. E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija, tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë: skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë”.

 

Editoriali për atdhedashurinë

 

Më 1965 në editorialin “Politika dhe Kultura” shkruan për atdhedashurinë. “Si mund t’i thotë vetes ‘atdhetar’, ai bir shqipeje që për arsye shkalle shoqërore, feje a krahine e shikon shtrembër dhe me urrejtje bashkëkombësin e vet, thua se Shqipëria nuk është çerdhe e përbashkët, por llogorja ku fati na dënon të kalojmë jetën.Pra vetija e parë e një atdhetari qëndron në dashurinë për vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe. Mos urre edhe nëse nuk të pëlqen…po je më i shkolluar ndriçoje,po je më i pasur ndihmoje…Duke përbuzur bashkëkombasit, ti mohon mundësinë e bashkëjetesës kombëtare, vërteton fjalët e të huajve që s’na duan dhe që trumbetojnë se shqiptarët s’janë të zotë t’i krijojnë vetes një atdhe”. “Veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk është gjë tjetër, veçse një lojë kote,që argëton ata që e lozin,por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë”. Ernest Koliqi mbetet një nga figurat më elitare te letërsisë shqiptare.Vepra e tij duhet të njihet nga të rinjtë dhe të jetë pjesë e teksteve shkollore.

 

 

Please follow and like us: