Shkarpa i merr qeverisë në Strasburg 3300 euro
VENDIM Nr. 241, datë 30.3.2016 PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 8.10.2015, PËR ÇËSHTJEN “SHKARPA KUNDËR SHQIPËRISË” (APLIKIMI NR. 50308/13)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr. 147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
- Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, date 8.10.2015, për çështjen “Shkarpa kundër Shqipërisë”, (aplikimi nr. 50308/13), për shumën 3 300 (tre mijë e treqind) euro, në lidhje me dëmin moral, kostot dhe shpenzimet gjyqësore, si dhe vendimin nr. 596, datë 21.9.2006, të Komisionit të Shërbimit Civil, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
- Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
- Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Vasil Shkarpa, në shumën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.10.2015, për çështjen “Shkarpa kundër Shqipërisë”, aplikimi nr. 50308/13.
- Pagesa e shumës së depozituar, sipas pikës 3 të këtij vendimi, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti I shtetit, brenda një afati 3-mujor, nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë final.
- Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 5, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme të paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) për qind.
- Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi I kontingjencës i buxhetit të shtetit.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ekzekutimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Edi Rama