Vendimi i Gjykatës së Strasburgut kundër Shqipërisë
VENDIM Nr. 263, datë 6.4.2016 PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 6.10.2015, PËR ÇËSHTJEN “VALIO SHIPPING COMPANY KUNDËR SHQIPËRISË” (APLIKIMI NR. 34230/07)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr. 147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
- Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 6.10.2015, për çështjen “Valio Shipping Company kundër Shqipërisë” (aplikimi nr. 34230/07), në favor të shoqërisë “Valio Shipping Company”, në shumën 1 288 455 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë) USD, për sa i përket dëmit pasuror.
- Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku do të depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
- Shuma e përcaktuar si detyrim, nga ekzekutimi i këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, date 6.10.2015, për çështjen “Valio Shipping Company kundër Shqipërisë” (aplikimi nr. 34230/07).
- Pagesa e shumës së depozituar në favor të “Valio Shipping Company”, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda një afati 3-mujor nga data që vendimi është bërë përfundimtar, data 6.10.2015.
- Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 3, të këtij vendimi, të shumës së përcaktuar si detyrim, të paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, për periudhën e mospagimit, plus tre për qind.
- Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi i kontingjencës i buxhetit të shtetit.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTRI Niko Peleshi