18 maj 2014/Besmira Uruçi, një shqiptare në Universitetin Franko-Gjerman
Ajo është Besmira Uruçi. Për disa ajo ka qenë vetëm vajza e Esmeralda Uruçit, një profesoreshë e nderuar, nje ministre, dhe nje intelektuale shume e njohur. Por, sot ajo vazhdon rrugën dhe ëndrrat e së ëmës, e cila me siguri prej së largu do të ishte krenare për vajzën e vet. Diplomimi në Paris, Francë, e ka rikthyer Besmirën në atdhe per nje projekt me shume interes. Është këtu për një projekt Franko-Gjerman, i cili kërkon studentë të dalluar edhe nga Shqipëria.
E ka ndërmarrë këtë iniciativë duke qene prane disa emrave shume te njohur të jetes akademike evropiane. Në një intervistë për gazeten “Shekulli”, Besmira Uruçi do t’i bëjë thirrje të gjithë studentëve t’i bashkohen një universiteti ku edhe ajo vetë do të ligjërojë. Do të na tregojë më shumë për iniciativën ku eshte perfshire si dhe për edukimin që prinderit e saj kane mundur të rrënjosin tek ajo që në vitet e para të jetës. Një vizitë në Paris dhe premtimi që i bëri vetes, vetëm kur ishte trembëdhjetë vjeç, e sjellin sot në vendlindjen e saj si një ndër vajzat për të cilat shqiptarët nuk kanë se si të mos krenohen.
Dëgjuam për një projekt me interes, i cili mendohet të zhvillohet në disa vende të gadishullit Ballkanik. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë nismë?
Me iniciativën e Profesor Otmar Seul nga Universiteti Paris X Nanterre dhe Profesor Heinrich Dorner nga Universiteti i Munster – it është hartuar dhe po merr jetë projekti i Universitetit të parë Franko-Gjerman të Verës ne Ballkan. Personalisht, jam përzgjedhur dhe jam emëruar si Sekretare e Pergjithshme e këtij projekti. Deri tani janë angazhuar dhe pranuar si pjesëmarrës Universiteti SS Kiril Skopje, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Europian i Tiranës. Aktualisht, këto universitete janë të mjaftueshme për fillimin e projektit. Ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet që numri i pjesëmarrësve të rritet me studentë nga universitete edhe nga vende të tjera të Ballkanit.
A ka seli të universiteteve të këtij lloji edhe në vende të tjera?
Profesor Otmar Seul ka tashmë 10 vjet që merret me hapjen e këtyre universiteteve verore nëpërmjet ndihmës e financimit të Universitetit Franko-Gjerman. Universitete të tjera verore janë hapur në disa vende te Europes dhe te Amerikes Latine.
Çfarë mund të na thoni diçka më konkrete për programet e kësaj shkolle dhe a ka projekte të tjera më të rëndësishme në perspektivë?
Programi mësimor do të zhvillohet në Shkup nga data 3 deri më datë 7 Shtator; në Prishtinë nga data 8 deri më datë 10 Shtator; dhe në Tiranë nga data 11 deri më datë 13 Shtator. Karakteri i këtij programi është multidisiplinar, por orientimi i përgjithshëm është drejt shkencave të jurisprudencës. Aplikimet janë akoma të hapura dhe ato mund të bëhen pranë universiteteve tona me te cilat ne bashkëpunojme. Kushtet e pranimit janë vendosur nga çdo universitet në mënyrë të pavarur. Krahas programit mësimor është parashikuar edhe një program kulturor që do të zhvillohet pas leksioneve dhe që do të promovojë vlerat e çdo vendi në publikun e huaj të këtij universiteti.
A ka pasur publikimi i këtij projekti interes tek studentët dhe a kanë filluar regjistrimet?
Në komunikimet thuajse të përditshme që kemi me koordinatorët tanë lokalë situata është shumë optimiste. Vetë fakti që programi i këtij projekti vjen nga dy qendra universitare Franko-Gjermane dhe veçanërisht niveli i mësimdhënies ku janë planifikuar të japin mësim profesorë shumë të njohur të botës akademike franceze dhe gjermane ka tërhequr vëmendjen e studenteve dhe pedagogëve në këto vende. Me këtë rast dua të them se unë kam vazhduar kontaktet dhe me universitete të tjera të gadishullit dhe kam prekur nga afer interesimin ne rritje te profesoratit në këto vende për t’u angazhuar në projekte të tilla elitare. Natyrisht ky është një fillim i mbarë dhe jam shumë e sigurt se në vitet pasardhëse pjesëmarrja do të rritet shumë si nga numri i studentëve dhe pedagogëve ashtu dhe nga universitetet e tjera të Ballkanit. Projektet e së ardhmes janë shumë interesante. Synimet janë madhore, por unë nuk jam e autorizuar të jap për median të dhëna më të detajuara.
Po eci në hapat e nënës time
Besmira ka qenë e njohur per median edhe vite me pare. Ajo është bija e dy prindërve intelektualë te mirenjohur, Dashamir dhe Esmeralda Uruçi. Emri i nënës së saj edhe sot, pas ndarjes tragjike nga jeta lakohet si një ndër emrat që ka punuar më shumë për shoqërinë shqiptare. Ishministrja Esmeralda Uruçi, nëna e Besmirës, gjatë jetës së saj akademike, botoi pa u lodhur artikuj dhe libra të veçantë nga fusha e ekonomisë. Ajo ishte Dekane Fakulteti si dhe me pas Zv/Rektore ne Universitetin Aleksander Moisiu. Ajo punoi gjithashtu ne funksione te larta drejtuese per vite me radhe prane Bankes Qendrore te Shqiperise. Sigurisht që Besmirën do ta pyesnim edhe për ndikimin e së ëmës në vendimet e saj.
Je vajza e një familjeje intelektuale dhe e dy prindërve të njohur. Veçanërisht mamaja juaj Esmeralda ka qenë një personalitet i jetës akademike dhe politike të vendit. Sa ka ndikuar mamaja në formimin tuaj kulturor?
Që në moshë të vogël e kam ndier nga afër dorën e ngrohtë të prindërve e të familjes sime. Veçanërisht mami, Esmeralda, ka qenë pranë meje në të gjitha sfidat e jetës. Më kujtohet si sot kur vajtëm për herë të parë në Francë dhe bëmë një vizitë në Universitetin e Sorbonës. Nuk i kisha mbushur ende trembëdhjetë vjeç dhe ashtu me vendosmërinë e një fëmije i thashë: “Mami, unë dua të studioj këtu”. Edhe sot kur kthehem në kujtimet e asaj dite nuk e di se çfarë po ndodhte me mua. Ishte një trill i momentit, ishte një mesazh nga nuk e di se ku, kete nuk mund ta them, por ëndrrën e asaj dite të madhe për mua me kujdesin e veçante të mamit unë e bëra realitet. Studiova në Paris dhe u specializova edhe në Universitetin e Sorbonës.
Po në projektet e së ardhmes sa ka ndikuar ajo?
Gjithashtu është interesante të them se edhe këtë projekt ku unë jam angazhuar aktualisht dhe prej më shumë se prej dy vitesh e kam biseduar dhe miratuar me mami Esmeraldën qysh në fillimet e tij. Më ka porositur qe t’i përkushtohem e të punoj pa u lodhur sepse çdo punë ajo e konsideronte një mision. Si e mban mend mamin dhe përpjekjet e saj në projekte? Edhe sot, pas humbjes së saj tragjike, mua më ka mbetur në kujtesë vullneti i saj i jashtëzakonshëm, përgjegjësia për të përballuar të gjitha detyrat që merrte përsipër. Më ka mbetur në kujtesë butësia dhe kultura me të cilën ajo komunikonte, pasioni me të cilin bisedonte me studentët dhe kolegët për probleme të ndryshme të punës e të shoqërisë. Gjatë jetës së saj shumë të gjatë akademike, ajo krijoi e botoi pa u lodhur materiale e artikuj dhe libra të veçantë nga fusha e ekonomisë brenda dhe jashtë vendit. Ashtu siç ka thënë një personalitet i njohur i botës financiare evropiane “CV-ja e Esmeralda Uruçit është një CV impresionuese”. Sado që të flas për të një gjë e di me siguri: Ajo ka qenë dhe mbetet modeli i jetës sime.
Mes artit dhe botës akademike
Besmira është me interes për publikun e gjerë të dimë diçka edhe nga jeta dhe aktiviteti juaj. Ju kemi parë dikur edhe në festivalet e fëmijëve, në Ethet e së premtes 3, pra keni qenë edhe një artiste… Si e kujtoni këtë pjesë të jetës?
Nuk e fsheh dot që në kujtimet e fëmijërisë time, pjesëmarrja në festivalet e fëmijëve, pjesëmarrja në Ansamblin Karabashi dhe në Ethet 3 ku dhe dolëm finalistë me grupin Alb, janë të gjalla tek unë. Kujtoj shpesh skenën dhe atmosferën e atyre ditëve të paharruara ende edhe sot që bisedojmë. Kënga dhe melodia e zbukurojnë jetën e njeriut. E bëjnë më të ndjeshëm ndaj shoqërisë dhe ndaj familjes, e pasurojnë botën e tij shpirtërore dhe për këtë falenderoj dhe i jam shumë mirënjohëse prindërve të mi dhe të gjithë atyre që më ndihmuan të jem pjesë e këtyre aktiviteteve artistike dhe të jap një kontribut modest në skenën shqiptare për artin dhe muzikën tonë te mrekullueshme.
Besmira cilat janë projektet tuaja të së ardhmes? Dhe ku e gjen veten Besmira Uruçi? Do të jetojë në Francë ku ka studiuar, do të kthehet në atdhe apo një këmbë do ta ketë në Evropë e një në Shqipëri?
Unë kam shumë ëndrra dhe aspirata për të ardhmen. Jam e re dhe dua të bëj shumë gjëra të bukura e të dobishme. Përpara meje, natyrshëm, është puna, familja, rritja ime profesionale dhe aktiviteti im në fushën akademike. Pjesëmarrja ime në projekte të tilla të nivelit evropian më kanë obliguar shumë, por të them të vërtetën më kanë njohur me botime shkencore e profesionale si dhe me pedagogë dhe studiues të elitës evropiane. Sigurisht, unë jam shqiptare dhe e dua shumë vendin tim. Aty kam lënë gjithçka, kam shtëpinë time, kam lindur dhe jam formuar me dashuri të madhe për vendin tim dhe një nga ëndrrat e mia më të mëdha është të jap kontribute për Shqipërinë. Pjesë e këtij kontributi është edhe ky projekt i iniciuar në qendrat universitare të Francës dhe Gjermanisë. Për futjen e tij në Shqipëri kam edhe unë kontributin tim, i cili me siguri në të ardhmen do të rritet e do të kualifikohet më tej. Natyrisht vendosja ime në postin e Sekretares së Përgjithshme më obligon edhe më shumë për të punuar dhe veçanërisht për të rritur vizionin tim drejt së ardhmes. Do të përpiqem që edhe me projekte të tjera të kontribuoj që nga vendi im Shqipëria, të ketë sa më shumë pjesëmarrje nga universitetet e vendit, sepse ne kemi nevoje te dime me shume dhe sigurisht qe shqiptaret meritojne me shume.
Studimet
Ju falenderoj shumë që më dhatë rastin të them edhe diçka nga jeta ime. Kam mbaruar Kolegjin Turk “Turgut Ozal” këtu në Tiranë. Ndërsa më pas kam vazhduar studimet e larta universitare në Universitetin Paris X Nanterre, Universitetin e Sorbonës dhe Institutin e Shkencave Politike të Grenoble. Gjithashtu kam marrë pjesë në trajnime të ndryshme ku mund të përmend Akademinë e së Drejtës Ndërkombëtare të Hagës, Universitetin Golden Gate të Kalifornisë e të tjerë. Të gjitha këto natyrshëm më mbushin me krenari sepse kam përfituar dhe jam formuar profesionalisht në disa universitete shumë të njohura ndërkombëtare.
Është me rëndësi t’ju them se në vitin 2013 unë kam përfaqësuar rininë shqiptare në Forumin e 8-të të Rinisë së UNESCO-s në Paris. Atje unë përgatita shumë materiale në përputhje me tematikat e Forumit. Paraqita vërejtje dhe sugjerime, disa nga të cilat u pranuan nga vendet e tjera dhe u bënë pjesë e rekomandimeve të Forumit rinor ndaj vendeve anëtare të UNESCOs. Me propozim të “Youth Team” te “Social and Human Sciences” Sector të UNESCO-s, të cilët ishin edhe organizatorë, u zgjodha përfaqësuese e Forumit Rinor përpara vendeve anëtare të UNESCO-s në Konferencën e 37-te te Përgjithshme të kesaj Organizate te Kombeve te Bashkuara. Ajo u mbajt ne Nëntor të vitit 2013. /Luela Myftari, gazeta shekulli/