Albspirit

Media/News/Publishing

Thirrje për shqiptarët e Amerikës: Bill Clinton ju pret nesër në Bronx

Një takim masiv do të mbahet nesër në Bronx, New York, në mbështetje të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Takimi që do të ketë si folës kryesor ish-Presidentin Bill Clinton, do të ketë në skenë edhe kongresistin e njohur Eliot Engel dhe asamblesistin e shtetit, Mark Gjonaj.
Në bisedat konsultuese me botuesin e gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, fushata e kandidates Hillary Clinton ka shprehur dëshirën për një pjesëmarrje masive të shqiptaro-amerikanëve, në këtë grumbullim, ku do të jepet njëzëri mbështetja për Senatoren e 8 viteve të shtetit të New York-ut.
“Illyria” ka qenë mbështetëse e kandidaturës së Hillary Clinton për Presidente, përpara se ajo të merrte vendimin e ta shpallte publikisht atë. Me një reklamë në gazetën “New York Daily News”, gazeta e inkurajonte që të hynte në garë se do të kishte mbështetjen e amerikanëve përfshi edhe të shqiptarëve të Amerikës.
Nuk ka president që të ketë qenë më popullor mes shqiptarëve sesa Bill Clinton, për shkak to rolit historik të tij në çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Vështirë se shqiptarët, kudo që jetojnë do ta humbnin një shans për ta parë e për ta mbështetur.
“Ne shqiptarët i jemi mirënjohës Presidentit Bill Clinton. Sot kemi një rast i rrallë për t’ia shpërblyer sado pak ndihmën që na dha kur kishim aq shumë nevojë”, thotë Vehbi Bajrami, duke iu bërë thirrje shqiptarëve në New York dhe rrethina që të mos e humbasin këtë rast për të treguar karakterin e tyre.
Hillary Clinton është e vetmja kandidate që e njeh mirë situatën në Ballkan dhe në Europën Lindore, që ka lidhje të forta me shqiptarët dhe që duket se është gjithashtu alternative më e shëndetshme politike e kësaj gare të pazakontë presidenciale.
Në tubim nesër do të jenë edhe dy figura të njohura për shqiptarët: kongresisti Engel, një mik i dëshmuar për gati tri dekada në Washington DC dhe Mark Gjonaj i pari asambleist shqiptaro-amerikan në historinë e diasporës sonë në New York.
Nesër mos mungoni në shesh!

Please follow and like us: