Albspirit

Media/News/Publishing

PE miraton rezolutën për Shqipërinë

Parlamenti Europian miratoi sot me 428 vota projektrezolutën për Shqipërinë për vitin 2015 të hartuar nga eurodeputetët Knut Flekenshtain dhe Eduard Kukan.

“Shqipëria është në udhën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Eyropian – deklaroi Flekenshtajn -. Vendi aktualisht po përgatit një reformë shumë ambicioze në sistemin e drejtësisë e cila do të trajtojë shqetësimet më të rëndësishme të ngritura nga qytetarët dhe do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit në jetën e përditshme. Qytetarët shqiptarë duan të bëhen gati për të qenë pjesë e BE-së. Tani udhëheqësit politikë duhet të vijojnë me zbatimin e reformave”.

Sipas rezolutës, nëse dëshiron çeljen e negociatave për anëtarësim, Shqipëria duhet të intensifikojë reformat në çështjet me përparësi kyçe, siç janë sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore të njeriut.

Parlamenti Europian mbetet i shqetësuar nga përhapja e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe në disa fusha të tjera. “Po ashtu është shtuar vetë-censura mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë pengohen fizikisht të mbulojnë ngjarje të caktuara ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, theksohet në rezolutë.

Gjatë debatit mbi rezolutën e Flekenshtainit për integrimin evropian të Shqipërisë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Xhanin Henis-Plaskaert dhe komisioneri Johanes Han, kanë radhitur si kryepërparësi për Shqipërinë finalizimin e reformën e drejtësisë përmes dialogut politik dhe fillimin e zbatimit të saj. Komisioneri Han ka thënë se për këtë reformë ka mbetur për t’u hedhur hapi i fundit dhe ndonjëherë hapi i fundit është më i vështiri. Por sipas tij, kjo reformë është tepër e rëndësishme për vendin për t’u përdorur si një subjekt manovre politike nga ndonjë parti politike. Por presidenca holandeze dhe Komisioni Europian janë shprehur qartë, se kjo nuk është e vetmja reformë mbi bazën e së cilës do të vlerësohet Shqipëria.

Please follow and like us: