Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Vdekjet që tronditën Bllokun

Image result for shtepia e enver hoxhes

Banorët e Bllokut nuk e kalonin jetën aq paq, pa telashe. Nuk mungonin as aty zhgënjimet, intrigat, veset dhe as shqetësimet njerëzore si ato që përjetonin qytetarët që jetonin jashtë tij. Kishte edhe në Bllok zili, ambicie mes banorëve, lajkat, servilizëm e hipokrizi. E sidomos kishte kontroll e komente të jetës së njëri – tjetrit. Në Bllok si kudo tjetër kishte edhe ditë zije, sepse në privilegjet që gëzonin banorët e tij nuk përfshihej pavdekësia. Vdekja që tronditi së tepërmi Bllokun ishte ajo e Gogo Nushit, ish – antar i Byros Politike, shok i ngushtë lufte i Enver Hoxhës. Ai vdiq në moshën 57 vjeçare në 9 prill 1970 dhe u varros me një ceremoni shtetërore.

“Hija e vdekjes e Gogos i tkurri vërtetë udhëheqësit. Vdekje së cilës i shpëtuan në malë, luftë, mund ti vinte nga një armik tjetër që këta nuk e kishin llogaritur dhe nga i cili nuk mbroheshin dot me ushtarë dhe automatikë”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i librit “Blloku”.

Vdekja më e bujshme e banorëve të Bllokut, e shëndrruar në ngjarje madhore kombëtare, ishte ajo e Hysni Kapos në vitin 1979.

Ai ishte numri tre në hierarkinë më të lartë të udhëheqjes. Kapo vdiq nga një sëmundje e pashërueshme në Paris dhe u varros me një ceremoni tepër madhështore.

Kurse vdekje pa asnjë ceremoni varrimi, e mbështjellë nga një atmosferë e ngrirë misteri, ishte ajo e Mehmet Shehut në dhjetor të vitit 1981. Në vend të dhimbjes ajo krijoji hutim, dyshim, pështjellim dhe zemërim te Enver Hoxha.

“Asnjëra nga “vdekjet e personazheve madhore” të treshes më të lartë udhëheqëse nuk shpëtoi pa u mitizuar. Këta udhëheqës nuk mund të vdisnin kurrsesi nga shkaqe natyrore, apo mjekësore, ose duhet të ishin vrarë ose helmuar nga armiqtë”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Liljana, gruaja e djalit të vogël të Enverit, nën atmosferën paranojake të Bllokut u “zgjua” 16 vjet pas vdekjes së vjehrrit duke shpërfillur diagnozën dhe shkaqet e dokumentuar të vdekjes, dhe shpalli publikisht se Enveri ishte helmuar.

Sipas saj, ai ishte helmuar nga një komplot i përbashkët i Nexhmijes dhe Ramizit, në të cilin ishin përfshirë edhe Sulo Gradecit, kryeroja i tij si dhe mjeku personal Isuf Kalo.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në rastin e Hysni Kapos. Edhe pse ajo ishte e paevitueshme për shkak të sëmundjes së tij, disa familjarë nuk deshën ta pranojnë. Ata deri tani vonë vijojnë të ngrenë pikëpyetje me aludime për vdekjen “gjoja” të pashpjegueshme, enigmatike, jo natyrale të tij.

Nuk u besua nga simpatizantët, familjarët dhe nga njerëz të afërt, as vetëvrasja e Mehmet Shehut. Ndonëse logjika të çonte tek dyshimet, pas akuzave dhe sulmeve personale ndaj dinjitetit, meritave e lavdisë së tij që i bënë ish shokët e Byrosë. Këto ishin dëshmuar qartazi edhe në letrën që Mehmeti la pas të shkruar me dorën e tij.

Sipas kësaj mendësie, vdekja natyrale nga mplakja apo nga sëmundjet ndodh vetëm te njerëzit e zakonshëm. Liderët e mëdhenj nuk vdesin prej tyre. Kjo i shndërron ata në viktima, në martirë apo heronj të “rënë në krye të detyrës” të glorifikuar përjetësisht në histori. Bashkë me këtë vazhdon kredibiliteti, favoret dhe privilegjet për familjarët e tyre të mbetur gjallë.

Si ishte zona e Bllokut dikur, nga Mercedes-at e zinj, e deri tek banorët e “mistershëm”!

Blloku ishte një territor mitik në qendër të Tiranës. I mbështjellë së jashtmi me mister. I ruajtur nga të gjitha anët me roje, ushtarë me automatik në krah, ku hynin e dilnin mercedes të zinj.

“Koha e ndërtimit, është periudha e Italisë, periudha e pushtimit mbas ’39, kohë në të cilën u bënë dhe planet e mira rregulluese nga arkitektët italian, ishin vilat e nëpunësve, qytetarëve italian, ishin të tregtarëve, pra të njerëzve me një status ekonomik të mirë. Në momentin që u ndërtuan dhe përfaqësonin këtë status, këto personalitete morën këto status për të pasur një shkallë drejtuese”, tha arkitektja Loreta Çapeli

Aty jetonin udhëheqësit më të lartë të diktaturës së bashku me familjet e tyre. Blloku nuk ishte thjesht territor. Ai ishte mendësi, simbol i autoritetit shtetëror.

“Blloku nënkuptonte një grusht të bashkuar, simbolizonte unitetin udhëheqës me popullin. Një interpretim tjetër, Blloku, Postëbllok do të thotë që të ndalon të dalësh jashtë, të ndalon dhe të hysh brenda”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Blloku ishte territor i super mbrojtur, por i zymtë pa zhurma jetësore. Aty banorët kishin favore, por jo hare. Mbi çdo çati rëndonte si mjegull një re e zezë, ndjenja e frikës dhe e pasigurisë së përhershme. Secila vilë ruante në kujtesën e mureve të saj ankthin dhe gjurmët e tragjedisë së banorëve paraardhës, të rënë njëri pas tjetrit viktima fatkeqe prej damkës “deviator ose tradhtar”.

Ishte një mendësi Blloku, nuk ishte një territor, e cila përfaqësonte një dëshirë për të demonstruar super realitetin apo avantazhet e një elite udhëheqësish”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Familjet më të vjetra e më të fuqishme në Bllok u vunë në një lloj gare të pashpallur për veshje, banesa e mobilim dhe stil modernist që shfaqte aristokracinë e re. Të gjitha të paguara e financuara nga shtetit.

Ndërkohë që populli i thjeshtë rrinte në radhë të stërzgjatura për ushqim.
“Bënin jetë borxheze, i kishin kushtet, natyrisht jo të vetat por të shteti, se kur ra shteti ikën ato me valixhe, por bënin jetë borxheze”, tha Spartak Ngjela, avokat, kundërshtar i regjimit.

“Kur ishin të sëmurë bllokmenët ose gratë e tyre, ose fëmijët e tyre, nëse nuk kishin shërim këtu në spitalet tona, me teknikën që kishim në atë kohë, dërgoheshin jashtë. Kur dërgoheshin jashtë edhe vinin, ato sillinin disa plaçka por jo më shumë se 30 mijë lekë vlera e tyre. Kjo ishte privilegji i tyre, por disa nga fëmijët e këtyre bllokmenëve e prishën këtë rregull e bastarduan na nxorën bojën. Sepse blinin bluxhinsa, ose këpucë e ua shisnin shokëve në Universitet. Ata filluan ti ekspozonin”, tregon Muho Asllani, Ish – anëtar i Byros Politike.

Blloku së jashtmi ngjallte zili.

“Është njëlloj si pallati i Mbretit. Disa e urrejnë dhe disa e adhurojnë. Kështu ka qenë”, thotë Spartak Ngjela, avokat.

Ai kishte aureolën e një oazi luksoz, me vila të formave e modeleve të ndryshme, me ballkone, veranda, oborre me lule, kopshte me pemë e me gjelbërim.

“Ishte një enigmë, Blloku madje duhet të ketë patur si synim të mbetej enigmë për qytetarët. Askush nuk dinte çfarë bëhej në Bllok, si ishte jetesa , çfarë bënin, si vepronin familjet e bllokut njëra me tjetrën”, tregon Prof. Dr Fatos Tarifa, ish – diplomat.

Vilat, mobiliet dhe pajisjet brenda tyre ishin pronë shtetërore. Udhëheqësit që banonin në to paguanin qira mujore në shuma të reduktuara. Ata paguanin faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Por nuk paguanin faturat e ngrohjes, të mirëmbajtjes dhe të meremetimeve ose rikonstruksioneve të banesave.

“Në Bllok ne paguanim 2000 lekë qiranë për shtëpinë”, tregon Muho Asllani, ish- anëtar i Byros Politike.

Udhëheqësit që banonin në Bllok, kush jetonte tek vilat luksoze

Blloku nuk kishte hierarki të shpallur brenda tij. Ajo mund të hamendësohej së jashtmi thjeshtë duke parë e krahasuar përmasat e vilave.

“Këto interiere ishin prap të përshtatura më këtë dëshirë, që të përfaqësonin një status social, dhe kuptohet të rejat teknologjike që mund të vinin nga kontaktet e mira që kishim me italinë, ktheheshin në të reja teknologjike që përshtateshin me vilat, apo me materialet e reja të ndërtimit, por dhe arkitektura ishte shumë e rëndësishme ”, tregon Loreta Çapeli, arkitekte.

Përreth vilës së Enver Hoxhës, banonin me gjithë familjet katër udhëheqësit kryesor. Thuajse ngjitur me vilën e Enverit banonte më besniku i tij, Hysni Kapo. Pak më larg banonte Mehmet Shehu, po aq larg sa ai banonte Ramiz Alia dhe pak më tutje Beqir Balluku.

Në Bllok nuk kishte bibliotekë, as sallë leximi e as vallëzimi. Por disa që banoni aty prej disa vitesh kishin në shtëpi biblioteka të pasura me libra, shumica në gjuhë të huaj. Enver Hoxha kishte bibliotekën më të pasur me rreth 25 mijë libra.

“Udhëheqësit, kishin me vete, jo vetëm ato si çift, por edhe fëmijë, edhe prindërti, motrat, pra ishte koncepti i një familje të madhe, ndoshta e bënin që të përfitonin nga privilegjet që kishin atje”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

E moshuara më e çuditshme dhe më misterioze brenda Bllokut, ishte një grua e huaj vetmitare, beqare, me origjinë nga Çekia e me shtetësi polake. Ajo jetoi rreth 50 vite brenda Bllokut dhe vdiq po aty në moshën 85 vjeçare. Ajo ishte Maria Saas, e cila do të hynte në familjen e Mehmet Shehut me detyrën e dados së tre djemve të tij.

“Ka mbetur enigmë hyrja e saj, një grua e çuditshme atje që nuk kishte asnjë lidhje familjare, nuk i gjindej asnjë adresë, nuk e dihej nga vinte, e thënë në kontekstin që hyrja në bllok kontrolloheshin dhe zogjt që hynin”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Mehemet Shehu ishte prej 4 vitesh kryeministër, kur Maria hyri në Bllok dhe në shtëpinë e tij si dado. Duke qenë e pastrehë e pa familje, ajo u mirëprit si njeri i brendshëm i familjes Shehu. Fakti që ajo vinte nga një zonë që ndodhej nën influencën sovjetike, pa asnjë dokument me vete, mund të kishte mjaftuar që, për arsye sigurie, ajo të mos lejohej të hynte në Bllok e paverifikuar. Biografia e saj nuk njihej fare dhe as që u bë e mundur të njihej më pas.

“E kam njohur personalisht, Maria e kishte emrin, ishte Çeke, dado ka qenë edhe para se ta gjente Shehu. Edukonte fëmijët e shtresave të larta. Fillimisht u krijuan mite se ajo po lidhej me perëndimin, i bënë lidhjet përmes saj, vetëm lidhje përmes saj nuk mund të bëheshin sepse ajo ishte një grua pa nivel intelektual”, tregon Spartak Ngjela, avokat
Ajo bisedonte plot afeksion me zogjtë e saj në kafaz, sikur ua dinte gjuhën. Maria i ushqente zogjtë në disa kafaz në korridorin para dhomës së saj.

“Atë e donte shumë, e respektonte shumë, këtë e di shumë mirë. Respekti vjen nga një feeling, ajo nuk ishte një grua e bukur, të kuptohemi, nuk kishte lidhje me atë, por i rriti fëmijët, kjo nuk ishte pak. Pastaj Shehu ka pas peripeci politike, dhe ajo i qëndroi prane, nuk ishte pak”, tregon Spartak Ngjela, avokat

Cilat ishin privilegjet ekskluzive për banorët e Bllokut?!

Në privilegjet ekskluzive për banorët e Bllokut përfshihej edhe furnizimi pa tollona me produkte ushqimore sipas kërkesave të secilës familje. Kështu veprohej edhe për kërkesat për veshjet, pajisjet, mobiliet dhe aparatet elketroshtëpiake.

Këto mungonin ose gjendeshin më vështirësi nga qytetarët e zakonshëm. Pajisjet silleshin posaçërisht me porosi, me cilësi shumë të mire dhe me çmime modeste.

Një privilegj tjetër i lakmuar nga banorët jashtë Bllokut ishte edhe mundësia për të ndjekur programet televizive italiane e jugosllave.

“Nëse në familjet e Bllokut shihej televizioni Italian lirisht, qytetarëve të thjeshtë kjo ju privohej. Natyrisht një dëshirë e madhe ishte se njerëzit nëpërmjet atij ekrani shihnin botën përtej Adriatikut”, tregon Prof. Dr Fatos Tarifa, ish – diplomat.

Si u ngjit në majat e karrierës Ramiz Alia, falë lidhjeve të tij në Bllok

Ramiz Alia ishte a gjashti në listën për të zëvendësuar Enverin pas vdekjes. Por për të punoi fati duke i eleminuar të gjithë personat që ishin më të zotë për të trashëguar pushtetin.

“Krijoi një lidhje familjare sepse djali i madh u martua me Teutën, që ishte një vajzë e re”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Në rrethanat e reja të krushqisë, Ramizi dukej si zgjedhja më e sigurt për të ardhmen. Në duet “Ramiz-Nexhmija” do të mbështetnin dhe plotësonin njëri-tjetrin.

Por le të kthehemi pas në histori për të parë se si ishte rrugëtimi i Ramiz Alisë në Bllok, që nga fillimi deri sa u ngjit në majë të pushtetit.

Fati u tregua bujar me të, duke i dhënë mundësi që ua dhuron vetëm individëve të zgjedhur prej tij. Kthesa ndodhi në moshën 17 vjeçare ku së bashku me shokun e tij Manush Alimanin, Ramizi u aktivizua në Lëvizjen Rinore Antifashiste. Pas një viti në moshën 18 vjeçare ai u takua me Enver Hoxhën. Ky i fundit e simpatizoi atë djalosh me pamjen e brishtë e thuajse fëmijërore..

“Ramiz Alia në të vërtetë në imazh ishte ndryshe nga anëtarët e tjerë, ishte më i ri, ishte i qytetëruar, i brisht me një zë jo autoritar, me një zë të hollë, dukej që i shmangte konfliktet”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Megjithatë të gjitha këto nuk do të qenë të mjaftueshme nëse ai nuk do të njihej me Nexhmije Xhuglinin. Ramizi do të aktivizohej fillimisht me rininë dhe pas kësaj, ai do të futej në rrethin e bllokmenëve.

“Ramizi mbeti në Bllok por nuk kishte as bukurinë, as autoritetin e as nderet që kishte Enveri për atë kohë”, tregon Muharrem Xhafa, ish – shef i Sektorit të Edukimit.

Propaganda dhe zbukurimi i realitetit do të ishte puna parësore e Ramiz Alisë.

“Propaganda kishte pushtuar 60 % të popullsisë, që e adhuronin pa e ditur pse. Por unë e di pse” forca e pushtetit”, tregon Spartak Ngjela, avokat.

Situata ekonomike në vend sa vinte dhe rëndohej. Njerëzit e varfër kërkonin ushqim ndërsa të diturit kërkonin liri. Por kjo nu ndjehej në bllokun e Ramizit dhe Enverit.

“Të internuarit, të burgosurit nuk ishin pjesa më e madhe e shtypur e shoqërisë , kanë qenë koperativistët. Tmerr si mund të punosh për 30 lekë? Të prodhosh grurë dhe të hash bukë misri. Pse i pranonin, ishin burgjet, katër fshatar fuste ai në burg dhe 4 000 të tjerë ulnin kokën. Ky ishte regjimi. Ajo ishte një tragjedi një ëndërr e ligë në historinë e Shqipërisë”, tregon Spartak Ngjela, avokat.

Ramiz Alia mundohej që të mos linte gjurmë për ato që thoshte në mënyrë që të mos mbante përgjegjësi. Ai fliste me nënkuptime dhe më shpesh preferonte të bënte naivin se sa të merrte vetë një vendim. “Ramizi pranoi të ishte i pari por nuk pranonte se ishte ai kryesori”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Ramiz Alia shpëtoi tek festivali 11, Enver Hoxha dënoi Todi Lubonjën

Një episod ku ai shpëtoi mirë është momenti i festivalit të 11 të Radio Televizionit Shqiptar në 1972. Ramizit i pëlqenin këngët dhe muzika e perëndimit. Ai nuk guxoi vetë që të hidhte hapa promovues të artit dhe muzikës modern, por tentoi një herë në jetë që tju linte atyre derën hapur.

“Muzika jonë në atë kohë ishin Led Zepelin, Beatlles, Deep Purple, Tom Jones. Kjo qe muzika që dëgjonim dhe e jepte Radio Tirana. Festivali i 11 i dha fund gjithçkaje, me atë filluan jo vetëm spastrimet në fushën e ideologjisë por edhe mbyllja e Shqipërisë në fushën e ekonomisë, fushën ushtarake. Vete izolimi i Shqipërisë filloi pikërisht pas atij festivali”, tregon Prof. Dr. Fatos Tarifa.

Enverit nuk i pëlqeu festivali, sepse sipas tij ishte shfaqje e liberalizimit në artin shqiptarë Kështu pasojat i mbajti drejtori i TV ku u transmetua festivali që ishte Todi Lubonja, mik i ngushtë i Ramiz Alisë.

“Ramiz Alia ishte shumë i zgjuar, finok, aktor aty për aty e ndryshonte. Hynim me mendjen tonë e dilnim me mendjen e Ramiz Alisë. Në festivalin e 11 ai ka qenë dakord. Enver Hoxha e thirri Ramiz Alinë, ky edhe e pranoi edhe se pranonte. Nuk jam fut shumë shoku Enver, nuk jam fut këtu, nuk jam fut atje”, tregon Muho Asllani, Ish – anëtar i Byros Politike

Ramizi më lehtë dhe më me sukses përdori gjuhën e Ezopit. Tejet i kujdesshëm në fraza, i pa shkoqitur në kuptime dhe po aq hezitues në veprime. Ai nuk shqetësohej e nuk tregonte dhimbje apo angazhim direkt për problemet e njerëzve, qoftë dhe të atyre që punonte.

“Ramiz Alia ka qenë një figurë gjithmonë oportuniste, ku gjithmonë ka dashur të shpëtojë veten. Ndoshta asnjëherë nuk u mësua se cilat kanë qenë pikëpamjet e vërteta të tij”, tregon Prof. Dr. Fatos Tarifa.(Top Story)

Please follow and like us: